Një ankesë e re e bujshme trondit botën e futbollit dhjetë ditë para fillimit të Botërorit të 22-të në radhë. Një raport nga “Equidem Research and Consulting” thekson shkeljet e mëtejshme të të drejtave të njeriut dhe denoncon vdekjen e dy punëtorëve të tjerë në kantierin e ndërtimit të stadiumit që duhet të presë finalen e ardhshme të Kupës së Botës.
Punëtorët migrantë të punësuar në stadiumet e Kupës së Botës në Katar ishin evakuuar nga kantieret përpara inspektimeve të FIFA-s, për të shmangur ekspozimet dhe ankesat në vendin e punës.
“Krerët e kompanive të ndërtimit, – shkruan “Daily Mail”, – do të lëshonin qëllimisht alarmet e zjarrit për të siguruar që punëtorët të largoheshin nga ambientet e punës. Synimi ishte tjetër, të mos ankoheshin për trajtimin e tyre te zyrtarët e FIFAs.
Shkeljet e të drejtave të njeriut përfshijnë ndëshkimin fizik e punëtorëve me performancë të dobët, largimet nga puna përballë ankesave dhe detyrimin për të punuar pavarësisht bllokimit të Covid-19″.
Situata me tifozët – Tifozët kanë rezervuar strehim në më shumë se 90 mijë dhoma, apartamente, vila dhe kabina portative në secilën prej ditëve të ndeshjeve të fazës së grupeve të Botërorit “Katar 2022”, thanë organizatorët të mërkurën.
Ata shtuan se të paktën edhe 25 mijë dhoma të tjera janë në dispozicion për të gjithë ata që duan ta vizitojnë Katarin dhe të përcjellin ndeshjet e veprimtarisë më të madhe futbollistike në planet, që fillon më 20 nëntor.
“Tregu është ende i hapur dhe tifozët kanë kohë të mjaftueshme për të vendosur dhe për të rezervuar akomodimin e tyre”, – tha Omar al-Xhaber, drejtor ekzekutiv i akomodimeve për turneun e Katarit, finalja e të cilit do të luhet më 18 dhjetor. Katari përllogaritet të presë 1.2 milionë vizitorë gjatë turneut njëmujor, me numrin maksimal që pritet mes datave 24 dhe 28 nëntor, gjatë fazës së ngarkuar të grupeve.
Mesatarisht tifozët do të kalojnë shtatë netë në Katar, sipas Al-Xhaber. Organizatorët, po ashtu prezantuan më shumë se 500 fluturime në ditë, duke i lejuar tifozët të qëndrojnë në qytetet fqinje si Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe, në mënyrë që të shmangin shqetësimet se Katari i vogël do të përballet me mungesë akomodimi.
Me një popullsi prej 3 milionë banorësh, Katari ka më pak se 31 mijë dhoma hoteli, kështu që organizatorët identifikuan gjithsej 130 mijë dhoma si akomodime alternative, duke konvertuar gjithë stokun e pasurive të paluajtshme në strehim të përkohshëm.
“Accor”, operatori më i madh i hoteleve në Evropë, po menaxhon shumicën e apartamenteve dhe vilave në Katar. Tre anije lundrimi do të vendosen në portin e Dohas për të siguruar më shumë se 5.000 dhoma. Disa tifozë do të qëndrojnë në 1000 tenda moderne në një ishull të krijuar nga njeriu në veri të Dohas.