MENU
klinika

OSHEE me humbje

Energjia/ Vit i artë për tregtuesit dhe prodhuesit privatë

26.11.2022 - 13:36

Situata e pafavorshme hidrike ka ndikuar negativisht në ecurinë e kompanisë energjetike në vend, në hallkat e shpërndarjes përmes “OSHEE Group”, për shkak të rritjes së çmimit të energjisë së importit në 6-mujorin e dytë të vitit 2021, barra e të cilit u mbajt nga OSHEE.

Ndërsa rritja e prodhimit në pjesën e parë të vitit, si rrjedhojë e situatës së mirë hidrike, ka dhënë efekt pozitiv në kompaninë prodhuese, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Edhe Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) raportoi fitime.

Viti 2022 po rezulton me një situatë shumë më të rënduar energjetike, për shkak si të thatësirës, ashtu dhe çmimeve të larta të energjisë së importit, që ka rënduar ecurinë financiare të OSHEE dhe KESH, teksa kjo e fundit nga janari i vitit 2022 u ngarkua me detyrimin për të mundësuar të gjithë energjinë e nevojshme nga Furnizuesi i Shërbimit Universal për klientët universalë.

“OSHEE Group”, me humbje gati 110 milionë euro

Në vitin 2020, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), u shndërrua në Korporatën e parë Publike Shqiptare, duke pasur në pronësi 3 shoqëri, Furnizuesin e Shërbimit Universal, Furnizuesin e Tregut të Lirë dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), nën ombrellën e “OSHEE Group Sh.A.”

“OSHEE Group” kishte qarkullim vjetor të të tria kompanive, duke netuar vlerat e të ardhurave nga aktiviteti i shoqërive brenda prej 64.2 miliardë lekësh në vitin 2021, duke u renditur në sipërmarrjen më të madhe në vend, sipas të ardhurave, me rritje rreth 7% në raport me vitin e mëparshëm. Grupi nuk rezulton në listën tjetër, atë të fitimeve.

Për shkak të situatës së vështirë energjetike në pjesën e dytë të vitit 2021, grupi ka deklaruar humbje të lartë prej 13 miliardë lekësh (110 milionë euro), nga 2.5 miliardë lekë në 2020-n, sipas të dhënave nga raporti i buxhetit të shtetit për vitin 2021, që raporton të dhënat e konsoliduara.

“Sa i takon bilancit, rritja e jashtëzakonshme e çmimit të energjisë në Tregun e Lirë në 6-mujorin e dytë të vitit 2021 ndikoi negativisht te financat e OSHEE Group Sh.A, duke kaluar nga një fitim neto prej rreth 2.5 miliardë lekësh në 6-mujorin e parë, në një humbje neto prej rreth 13.2 miliardë lekësh në fund të vitit”, pohon Adrian Çela, administrator i OSHEE Group Sh.A.

Ai shton se rritja e jashtëzakonshme e çmimit të blerjes së energjisë në 6-mujorin e dytë bëri që shpenzimet për importet në vitin 2021 të ishin 20.3 miliardë lekë më të larta se ato të vitit 2020, si rezultat i të cilave, performanca financiare shënoi humbje prej rreth 13.2 miliardë lekësh.

Nga ana tjetër, Çela shpjegon se shpenzimet e larta për blerjen e energjisë elektrike u amortizuan nga të tjerë tregues, që lidhen me aktivitetin e shoqërisë, në raport me 2020-n dhe që ishin:

  • Ulja e nivelit të humbjeve
  • Rritja e të ardhurave me rreth 7%, ose rreth 4.3 miliardë lekë, për shkak të rritjes së konsumit të energjisë, si rrjedhojë e rritjes ekonomike të vendit
  • Ulja e shpenzimeve operative prej rreth 3.7 miliardë lekësh

KESH u rikthehet fitimeve, por…

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) u është rikthyer fitimeve të larta në vitin 2021, që arritën në 7.9 miliardë lekë para taksave dhe 6 miliardë lekë pas taksave.

KESH u rendit dhe në listën e 10 më të mëdhave, sipas qarkullimit vjetor, pasi ka realizuar qarkullim vjetor prej 18.5 miliardë lekësh, me rritje 66% me bazë vjetore.

Ergys Verdho, administrator i KESH sh.a., pohon se viti 2021 paraqitet me prodhim prej 5.345 GWh, i cili konsiderohet mbi atë mesatar të 5 viteve të fundit prej 3,985 GWh, ose pothuajse i barabartë me prodhimin e vitit 2018.

“Ky vit paraqitet pozitiv për sa u përket të ardhurave të shoqërisë, ku vetëm nga eksporti/shitja e energjisë në tregun e rregulluar/parregulluar arriti vlerën e 18.9 mld lekë, dhe ku rezultati financiar neto në periudhën në fjalë rezultoi në vlerën e 7.21 mld lekë”.

Verdho shpjegon se “megjithatë, për vitin 2021, shoqëria KESh luante në sistemin elektroenergjetik shqiptar vetëm rolin e prodhuesit të energjisë, prodhim të cilin ia ofronte shoqërisë publike FSHU, për aq sa KESH mund të prodhonte dhe kësaj të fundit i nevojitej, duke mos u ekspozuar në periudhën e 3-mujorit të fundit të vitit 2021, ku çmimet e energjisë në tregje arritën çmime në 6-7-fish e mesatares shumëvjeçare.

Kjo situatë tregjesh ekspozoi për kohën shoqërinë OSHEE, e cila ishte e ngarkuar me detyrimin për shërbim publik për blerjen e energjisë elektrike të nevojshme për klientët universalë, ndërkohë shoqëria KESH, në rolin e prodhuesit, nuk pati efekte financiare”.

Efektet financiare për shoqërinë KESH filluan në janar të vitit 2022, kur KESH sh.a. u ngarkua me detyrimin për të mundësuar të gjithë energjinë e nevojshme nga FSH për klientët universalë.

“Aktualisht sfida më e madhe me të cilën përballet KESH mbeten çmimet e larta të energjisë elektrike në tregun rajonal dhe më gjerë, dhe nevoja për sigurimin e energjisë elektrike në kuadër të detyrimit për shërbim publik në kushtet e optimizimit energjetik (gjenerim/import) dhe mbajtja në nivelet aktuale të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë”, thotë Verdho.

Ai shton se ecuria e treguesve të prodhimit, importit/blerjes dhe situata financiare nuk rezultoi optimiste në 6-mujorin e parë të vitit 2022. “Në aspektin financiar, kostot për blerjen/importin e 752,306 MWh arritën vlerën e 173,1 milionë euro, ose 20.6 miliardë lekë dhe me një çmim mesatar të ponderuar prej 230 Eur/MWh”.

OST rrit fitimet

Operatori shtetëror OST sh.a. menaxhon sistemin elektroenergjetik në kohë reale, duke ruajtur një balancë midis kërkesës për konsum dhe prodhimit të energjisë elektrike, në mënyrë që të sigurojë furnizim të besueshëm me energji elektrike, nëpërmjet praktikave bashkëkohore të operimit të sistemit të transmetimit të energjisë elektrike. Të ardhurat e kompanisë ishin 8.9 miliardë lekë në vitin 2021, me rritje vjetore 27%.

Kompania raportoi fitime prej 922 milionë lekësh para taksave, me rritje 34% me bazë vjetore dhe normë fitimi prej 10.2%.

Administratori i OST, Skerdi Drenova, pohon se “të ardhurat totale për vitin 2021 kanë rezultuar 9,383 milionë lekë, nga 7,050 milionë lekë që ishin parashikuar në programin e zhvillimit të vitit 2021. Realizimi i tyre është në masën 133%.

Rreth 55% të të ardhurave operative e zënë të ardhurat nga transmetimi i energjisë elektrike tek OSHEE sh.a.

Shpenzimet totale për vitin 2021 kanë rezultuar 8,430 milionë lekë. Efektet që kanë ndikuar në rritje të shpenzimeve kanë qenë kryesisht rritja e çmimeve të energjisë në tregun rajonal. Është vënë re rritje në kostot e transmetimit, kryesisht në shpenzimet për shërbimet ndihmëse që vijnë si rezultat i hyrjes në fuqi në prill 2021 të rregullave të tregut.

Në to përcaktohet sigurimi i këtij shërbimi me çmimet e tregut, si dhe shpenzimet për humbjen e energjisë, ku ka ndikuar kryesisht rritja e madhe e çmimeve të energjisë në tregun ndërkombëtar, për shkak të krizës energjetike. Viti 2021 ka rezultuar me fitim në vlerën 691.7 milionë lekë”.

Dhe fitimet shkojnë… 7-fishohen për tregtuesit e energjisë

Tregtimi i energjisë është një segment që po josh bizneset, për shkak të nivelit të ulët të investimit fillestar dhe qarkullimit të shpejtë të parasë. Rritja e tij u nxit edhe nga nevoja për më shumë importe në gjysmën e dytë të vitit 2021, për shkak të situatës së vështirë hidrike.

Ndonëse është një biznes i paqëndrueshëm, në varësi të nevojave të operatorëve shtetërorë për të blerë energji nga importi, modeli i thjeshtë dhe pa nevojë për shumë investime (përveç garancisë bankare), po nxit hyrje të reja.

Historikisht, vendi importon midis 20 dhe 50% të nevojave të energjisë bruto në vit, në varësi të situatës hidrike.

Burimi: INSTAT

Ndërsa pjesa e parë e vitit 2021 ishte e mbarë për prodhimin e energjisë elektrike, gjysma e dytë e vitit e futi sistemin në krizë, për shkak të mungesës së prodhimit vendas nga thatësira dhe shtrenjtimit të energjisë në bursë.

Sipas INSTAT, në gjysmën e parë të vitit 2021, pesha e importit bruto (energji në marrje) ndaj totalit të energjisë në dispozicion ishte 8%, ndërsa në gjysmën e dytë të vitit, ky tregues kërceu në 46%.

Viti 2022 ka sjellë një situatë më të rënduar energjetike për shkak të mungesës së reshjeve dhe shtrenjtimit të energjisë në bursë, që ka qenë mesatarisht rreth 300 euro/mwh, disafish më i lartë se në vitin 2021.

Sipas INSTAT, importet e energjisë në 6-mujorin e parë 2022 përbënin mesatarisht 32% të totalit të energjisë në dispozicion nga 8% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Buxheti i shtetit, sipas të dhënave zyrtare, ka shpenzuar në periudhën janar-shtator 2022 rreth 24 miliardë lekë për subvencionimin e blerjes së energjisë elektrike, nga 28 miliardë lekë që është i gjithë plani vjetor. Këto fonde kanalizohen nëpërmjet ndërmjetësve të tregtimit të energjisë.

Burimi: INSTAT

Në vitin 2021, treguesit e energjisë shënuan rritje të lartë të të ardhurave, ndërsa për disa prej tyre, edhe fitimet u zgjeruan ndjeshëm. Fitimi në total i 7 operatorëve kryesorë në fushën e tregtimit të energjisë elektrike ishte 4.8 miliardë lekë, në 7- fishim në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Fitimi më i lartë u përket katër operatorëve “GSA”,

“Ener Trade”, “Noa Energy Trade”, “Tirana International Development”.

“Ener Trade”, pjesë e grupit “Gjonaj”, që hyri në 2020-n për herë të parë në listën e “Monitor 200”, në vitin 2021 ishte operatori më i madh i tregtimit të energjisë sipas të ardhurave, pas 8-fishimit të aktivitetit, në 17.5 miliardë lekë.

Sipas raportit të aktivitetit të “Ener Trade”, të ardhurat bruto të shoqërisë u rritën ndjeshëm në krahasim me vitin 2020, si pasojë e ndryshimit të strategjisë së tregtimit. Gjatë vitit 2021 janë tregtuar 1,071,088 Mwh energji elektrike.

Fitimet e kompanisë u 13-fishuan në 1.3 miliardë lekë, me normë 7.3%. “Ndryshimet e shpejta në tregjet e energjisë kërkojnë fleksibilitet në synimet dhe mundësitë e ndjekura, prandaj ‘Ener Trade’ monitoron, në mënyrë të vazhdueshme, tregun për të identifikuar oportunitetet dhe rreziqet”, thuhet në raportin e aktivitetit.

GSA” ka kaluar në operatorin e dytë më të madh të tregtimit të energjisë. Vetëm nga shitja e energjisë, operatori ka gjeneruar 13.7 miliardë lekë të ardhura, me dyfishim në raport me vitin e mëparshëm (të ardhurat totale përfshirë dhe kromin ishin 22 miliardë lekë). Fitimi total i kompanisë pothuajse u 6-fishua, në 2.7 miliardë lekë

“Noa Energy Trade”, me aksionerë të lidhur me ndërtimin raportoi të ardhura prej 7.5 miliardë lekësh dhe fitime prej 524 milionë lekësh (7.5 herë më të larta se vitin e mëparshëm)

“Tirana International Development-TID”, një shoqëri që më herët ishte e specializuar në ndërtime, ka hyrë në listën e “Monitor 200”, pas 6-fishimit të aktivitetit, në 3 miliardë lekë. Sipas burimeve nga kompania, rritja ka ardhur për shkak të aktivitetit të shoqërisë në tregtimin e energjisë. Nga humbjet e viteve të mëparshme, pas hyrjes në tregun energjisë, fitimet e kompanisë arritën në gati 300 milionë lekë.

HEC-et e mëdha fillojnë të raportojnë fitime

Në vitin 2021, prodhimi vendas i energjisë ishte 8.9 milionë MWH, me rritje gati 70% në krahasim me 2020-n, duke shënuar vitin më të mirë që nga 2018-a, si rrjedhojë e situatës së favorshme hidrike në pjesën e parë të vitit.

40% e energjisë u sigurua nga prodhuesit e pavarur privatë dhe koncesionarët, një peshë që ka qenë në nivele të ngjashme për periudhën 2019-2021 (në 6-mujorin e parë 2022, privatët dhe koncesionarët prodhuan, për herë të parë, më shumë energji se kompanitë shtetërore).

Sipas Entit Rregullator të Energjisë (ERE), kapaciteti total prodhues i energjisë elektrike i kompanisë publike KESH sh.a. është 1448 MW dhe përbën rreth 56% të kapacitetit total të instaluar në vendin tonë.

Kapaciteti total i instaluar i prodhuesve të tjerë të energjisë elektrike është 1157 MW dhe përbën rreth 44% të kapacitetit total të instaluar në vendin tonë.

Ky është një rezultat i prekshëm në aspektin e krijimit të një fuqie të instaluar hidrike me investime private dhe u realizua, kryesisht, me formën e koncesioneve BOT (Ndërto-Opero-Transfero) për projekte të HEC-eve të dhëna në periudhën 2005-2010.

Burimi: INSTAT

Sipas ERE-s, prodhimi i energjisë elektrike, i realizuar në vitin 2021 nga KESH sh.a. zë 59.6% të totalit dhe nga prodhuesit e tjerë zë rreth 40.4%. Prodhuesi më i madh privat në vitin 2021 ishte “Devolli Hydropower”, me 7.7%, i ndjekur nga “Kurum International” (4.6%), “Ayen As Energji” (3.8%) dhe “Energji Ashta”, (3.3%).

Burimi: INSTAT

Hidrocentralet private të vogla me koncesion vijojnë të raportojnë norma fitimi të larta dhe të qëndrueshme. Aktorët e tregut pohojnë se biznesi i HEC-eve private jep kthime të larta, teksa pas investimit fillestar, shpenzimet e mirëmbajtjes dhe administrimit janë të ulëta.

Një tregues tjetër që shohin investitorët është kthimi nga kapitali, që sa më i ulët të jetë prodhimi (të ardhurat), aq më shumë zgjat afatin e kthimit të investimit.

Pasi kanë hyrë në prodhim, edhe operatorët e mëdhenj po rezultojnë me fitime.

“Ayen as Energy” raportoi të ardhura 4.4 miliardë lekë, me dyfishim në raport me vitin e mëparshëm. Kompania turke po zbaton kontratën e vitit 2011 për projektimin, ndërtimin, vënien në punë, administrimin, mirëmbajtjen e hidrocentraleve Gojan, Gjegjan, Peshqesh, Ura e Fanit dhe Fangut. Për herë të parë, pas humbjeve të larta, kompania deklaroi fitime prej 1.5 miliardë lekësh, me normë prej 32.7%.

“Ayen as Energy” ndërtoi dhe vuri në punë në fund të 2017-s HEC-in e Fangut, me kapacitet 74,6 MW. HEC-i i Fangut, për nga kapaciteti i prodhimit, renditet i pesti pas HEC-eve të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës, të cilët janë në pronësi shtetërore dhe Moglicës, të sapondërtuar.

Ky është HEC-i i dytë në vend, i ndërtuar nga kompania turke “Ayen” pas atij të Peshqeshit, me kapacitet 23 MW, i cili nisi prodhimin pak vite më parë.

“Energjia Ashta”, me fuqi të instaluar 48.2 MW, kishte të ardhura prej 2.3 miliardë lekësh, me rritje 60%. Edhe ky HEC, rezultoi për herë të parë me fitime prej 867 milionë lekësh, me një normë gati 38%.

Kapaciteti i kombinuar i të dy hidrocentraleve (Ashta 1 dhe Ashta 2) është 53 megavat (MW); 242 milionë kilovat orë prodhohen në vit.

Sipas raportit të aktivitetit, në vitin 2021, prodhimi total ishte 295,261 MWh.

“Devoll Hydropower” është prodhuesi privat më i madh i energjisë në vend, nëpërmjet dy hidrocentraleve. Në vitin 2021, të ardhurat e tij u katërfishuan në 8.1 miliardë lekë. Megjithatë, operatori është ende në fazën e humbjeve, që ishin rreth 2.5 miliardë lekë.

HEC-i i Banjës (kapaciteti i instaluar i energjisë së rinovueshme 72 MW) filloi veprimtarinë tregtare në vitin 2016, ndërsa HEC-i i Moglicës (kapaciteti i instaluar i energjisë së rinovueshme 197 MW) nisi veprimtaritë tregtare në tremujorin e dytë të vitit 2020. Viti 2021 ishte i pari i plotë me operime nga të dy HEC-et, Banja dhe Moglicë.

Sipas burimeve zyrtare nga “Statkraft”, dy hidrocentralet, Banja dhe Moglica kanë kapacitet të instaluar 256 MW. Vënia në punë e dy HEC-eve do të rrisë prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme në vend me 13%. Kostoja totale e investimit nga “Statkraft” ka arritur në 590 milionë euro. Tregu i synuar është eksporti dhe furnizimi me energji i prodhimit vendas.

Sipas raportit të aktivitetit, në vitin 2021, të ardhurat bruto të DHP u rritën me 83%, për shkak të prodhimit gjatë gjithë vitit të HEC-eve Banja dhe Moglicë dhe luhatjes së çmimit të energjisë. Prodhimi total ishte 682 992 MWh.

“Alb-Energy” ka gjeneruar nga aktiviteti i saj 440 milionë lekë të ardhura, nga shitja e energjisë elektrike nga HEC Bele 1 dhe Topojan 2, në Kukës. Klienti i vetëm i shoqërisë është OSHEE. Norma e fitimit ishte 67% në vitin 2021. Kompania është pjesë e “Alb-Building”, një prej sipërmarrjeve më të mëdha të ndërtimit në vend.

“GJO-SPA POWER”, që shfrytëzon me koncesion HEC Llapaj, me fuqi 13,62 MW, kishte të ardhura prej 341 milionë lekësh dhe fitime 198 milionë lekë, me një normë të lartë fitimi 58%.

“Euron Energy”, që shfrytëzon me koncesion dy HEC-e, HEC Bele 1, me fuqi 5 MW, dhe HEC Topojan 2, me fuqi 5,8 MW, gjeneroi të ardhura 350 milionë lekë dhe fitime 187 milionë lekë, me një normë prej 53%.

“Diteko”, që ka me koncesion HEC Gjorice, me fuqi 4.18 MW raportoi të ardhura prej 936 milionë lekësh dhe fitime 279 milionë lekë, me një normë prej gati 30%.

Burimi: INSTAT

Taksë e re për eksportuesit e energjisë

Paketa Fiskale 2023 parashikon një taksë speciale për prodhuesit e energjisë elektrike që e eksportojnë.

Sipas relacionit të projektbuxhetit 2023, fitimet e realizuara nga prodhuesit e energjisë elektrike, të cilët, për shkak të çmimeve shumëfish të rritura gjatë vitit 2022, kanë realizuar fitime pa rritje kostosh, do të tatohen për këto fitime shtesë me tarifën 33%.

Të ardhurat e pritshme në buxhet vlerësohen të jenë 8.3 miliardë lekë.

Burimi: MONITOR

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Raporti: Fierza, nën mesataren e 30 viteve

Energjia, ERE ”vulos” keqmanaxhimin


Euro bie në nivelin më të ulët të dy viteve kundrejt dollarit

Çfarë po ndodh me monedhën europiane?

“Do ketë barazim të moshës për secilën gjini“

Daljet në pension 67 vjeç, Qeveria: Përpara vitit 2056!

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!