MENU
klinika

Trafiku i drogës Kolumbi-Mal i Zi-Fier

Kush është Klajdi Kodra, i përfshirë në tentativa vrasjesh

25.11.2022 - 10:53

Policia e Shtetit dhe Policia e Tiranës ditën e djeshme përcollën me bujë të madhe arrestimin e katër djemve të rinj, të cilët u kapën me armë me vete teksa udhëtonin në drejtim të ‘Shkallës së Tujanit’.

Tre prej personave të vënë në pranga, në fakt, ishin emra të njohur jo vetëm për Policinë, Prokurorinë e Gjyqësorin, por edhe për opinionin publik, ndërsa i katërti ishte një i ri që ishte në rolin e shoferit. Të dyja policitë bënë me dije se jo vetëm iu gjetën armë me vete, por edhe nga kontrolli në banesë u gjendën armë të tjera.

Ata u mbajtën nën arrest, por policitë në njoftimin e tyre për shtyp nuk treguan se kush kishte sinjalizuar për t’i vënë në pranga. Në fakt, arrestimi i pasdites së mërkurë në Tujan ishte sinjal se Klajdi Kodra duhet të arrestohet. Policia është vënë në ndjekje, pasi si duket Kodra nuk është ruajtur dhe bashkë me të arrestoi edhe tre persona të tjerë.

Mbrëmë, Policia e Shtetit i tha ‘Panoramës’ se arrestimi i tyre u krye pasditen e mërkurë dhe se çështja i ka kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Në fakt, Klajdi Kodra, një nga të rinjtë e njohur të Tiranës për një sërë përfshirjesh në përplasje me armë për shkak të sherreve banale, thoshte Policia.

Por emri i Klajdi Kodrës ka dalë edhe në atë që po konsiderohet një ndër trafiqet më të mëdha të kokainës që është luajtur mes Kolumbisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë. Droga që mendohet që vinte nga Kolumbia, stacionohej në Malin e Zi dhe më pas transportohej për në Fier, pikërisht në zonën e Fratarit, një zonë për të cilën prej vitesh flitej që ndodhej një nga dy laboratorët e drogës së Fierit, ndonëse Policia jonë asnjëherë nuk ndërmori operacioni.

Për bazë flitet që ishte shtëpia e një zyrtari të lartë shtetëror dhe ish-zyrtari të lartë lokal, ndërsa Kodra është një nga 15 emrat e kërkuar për t’u vënë në pranga për llogari të këtij operacioni. Nuk dihet se çfarë roli kanë dy shokët e tij, por ata aktualisht mbahen në pranga për posedim armësh dhe municionesh.

ARRESTIMI PËR ARMË
Policia e Shtetit bëri të ditur se në një operacion janë vënë në pranga 4 persona, të cilët qarkullonin me një automjet me 2 armë zjarri me vete të llojit pistoleta.

Të arrestuarit e Tujanit, sipas policisë, janë: Klajdi Vrioni (Kodra), 32 vjeç, i cili është i njohur për Policinë pasi Klajdi Kodra është autori i plagosjes së 19-vjeçarit Reginaldo Kaçorri në 27 maj 2021.

Policia theksoi: “Qarkullonin me automjet, në të cilin mbanin 2 armë zjarri pistoleta, vihen në pranga 4 shtetas, 3 prej tyre me precedentë kriminalë, në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe krimeve kundër personit. Policia gjen edhe 2 armë zjarri kallashnikovë që i posedonte njëri prej personave të arrestuar. Sekuestrohen gjithsej, në kuadër të këtij operacioni, 4 armë zjarri (2 pistoleta dhe 2 kallashnikovë).

Si rezultat i këtij operacioni, u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga shtetasit: Bledi Matoshi, 33 vjeç; Kedi Koshena, 28 vjeç; Klajdi Vrioni (Kodra), 32 vjeç dhe Redion Meshi, 22 vjeç. Shërbimet e Policisë ndaluan në hyrje të fshatit Tujan, në rrugën e Arbërit, automjetin tip ‘Range Rover’, të cilin qarkullonin këta 4 shtetas”.

Operacioni
Policia e Shtetit i tha mbrëmë gazetës “Panorama” se po zhvillohej një operacion në kushtet e një fshehtësie të plotë për shkak të emrave të rëndësishëm që duhet të vihen në pranga.

Operacioni ishte i gjithë nën drejtimin e drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit, ndërkohë që katër të rinjtë e arrestuar në Tujan duket se janë pjesë e kësaj ndërhyrje me ‘rreze’ të gjerë, që nga Fieri e deri në Tivar të malit të Zi, vend në të cilin edhe ngarkohej droga e llojit kokainë me kamionë dhe sillej në Fier si pleh kimik.

Pra, deri orëve të vona të mbrëmjes, Policia e Shtetit ka refuzuar të japë emra të tjerë të arrestuarish në kuadër të këtij operacioni, ndërkohë që bëri me dije se do të dalë ditën e sotme në një konferencë për shtyp.