“Pikat mbi i” në News24 ka pasur sot në fokus kryesisht zhvillimet në kampin opozitar, si lënien e mandatit nga dy deputetët e PD Grida Duma dhe Alfred Rushaj, si dhe primaret në Tiranë dhe protestën e 12 nëntorit.
Analisti Artur Zheji duke folur për lënien e mandateve nga dy deputetët tha se mesazhet që japin me sa duket nuk kanë më shpresë te ardhja në pushtet të PD. Sipas Zhejit, do ishte politikisht korrekte që ta kishin shtyrë dorëheqjen pas 12 nëntorit.
Ndërkohë mjeku Ilir Alimehmeti, kandidat në Primaret e PD për Tiranën tha se zonja Duma ka një kontribut të madh dhe se nuk është gjithçka e mbyllur, por se jeta vazhdon. Alimehmeti theksoi se kjo bën akoma më të rëndësishme faktin që të shkosh në majë me një figurë përbashkuese, që t’i mbyllë këto biseda jo vetëm brenda shtëpisë, por edhe me forcat aleate, me shoqërinë civile dhe madje me mundësinë e kthimit në krahun e forcave opozitare dhe të personave që kanë votuar të majtën
Lënia e mandatit nga Duma dhe Rushaj
Artur Zheji: Doja t’i uroja z. Alimehmeti në këtë fazë të kandidimit. Është një figurë e spikatur. Pa asnjë diskutim kandidimi i tij është frymëzues, por për fat të keq me sa shihet, tre ditë para këtyre protestave kemi dy dorëheqje të bujshme. Mesazhet që japin me sa duket nuk kanë më shpresë te ardhja në pushtet të PD. Kjo e bën pak më kritike këtë fazë. Dy personazhe të investuara të PD e lanë mandatit, situata aty është shumë turbulente. Basha është i përjashtuari i madh. Njerëzit pyesin në këtë moment se çfarë po ndodh aty. Alimehmeti besoj e ndjen në lëkurën e vet këtë klimë.
Ilir Alimehmeti: Klimën ju e keni parasysh, është në reflektorë. Kjo bën akoma më të rëndësishme faktin që të shkosh në majë me një figurë përbashkuese, që t’i mbyllë këto biseda jo vetëm brenda shtëpisë, por edhe me forcat aleate, me shoqërinë civile dhe madje me mundësinë e kthimit në krahun e forcave opozitare dhe të personave që kanë votuar të majtën. Është e nevojshme, është i detyrueshëm dhe i nevojshëm rotacioni. Është kyçe për të shkuar atje më 14 maj 2023, të gjendet personi përbashkues.
Dorëheqja e Dumës shkaktoi dhe përlotje te kolegët tuaj, ju ndjetë keqardhje për largimin e saj?
Alimehmeti: Mendoj se zonja e nderuar ka një kontribut të madh. Nuk është gjithçka e mbyllur. Nuk është se mbaron aty historia e njerëzve. Është një vendim i saj personal jo i marrë nga tjetër kush. Unë hyj te ata që beson fort të mendimet personale, për të zgjedhur, për të menduar. Ka gjëra shumë më të rënda jeta që na përlotin, është shumë e vështirë të na i cekësh emocionet deri në atë fazë. Jeta i kapërcen të gjitha dhe mbetet një lloj eksperience për veten dhe të tjerët dhe një lloj memorie institucionale. Besoj që vendimet janë marrë në mënyrë të nderuar.
A e lanë mandatin sepse e panë që nuk ka të ardhme në PD?
Alimehmeti: Është shumë e ndershme ta thonë ata. Njerëzit marrin vendime nga mëngjesi deri në darkë. Jeta vazhdon, vendime të tjera merren në dinamikë.
Zheji: Më pëlqeu shumë ironia e hollë e z. Alimehmetit kur tha se jeta vazhdon, ka gjëra të tjera më tronditëse dhe unë ndaj të njëjtin mendim.
Të ngresh aeroplanin e sfidës për të qenë fitues në këto kushte, në këtë kohë të keqe, se po shohim përlotje, do ishte shumë e vështirë. Kush do ishte pika juaj më e fortë, ku mendoni që do çlironi atë energji për të kaluar këto vështirësi meteorologjike dhe pastaj për t’u ndeshur me kundërshtarin?
Alimehmeti: Unë jam një produkt i kohës. Po të shihni mbështetjet nga ku vijnë, ju mund ta bëni përmes sondazheve, dikush tjetër përmes matjeve analitike, dikush tjetër nga propozimet, do të shihni një element përbashkues, qoftë për elementin kohë.
Është produkt i kohës. Ne kemi shumë të qartë që më 14 maj po nuk shkuam të bashkuar, rruga është e vështirë. Toka vazhdon rrotullohet dhe kur moti është i keq, avioni ngrihet dhe fluturon.
Emocioni është ndryshe kur hipën me një mot të vështirë, por megjithatë shkojmë me parimin që ka struktura, sisteme. Nuk varet nga një person i vetëm, por nga një forcë.
Ai ajri që thithim është për të gjithë njësoj, uji që pimë është për të gjithë njësoj, trafiku është për të gjithë.
Zheji: Nuk janë të gjithë njësoj.
Alimehmeti: Në fund ngelet qytetari. Gjithçka në fund fare bëhet për jetën tona. Nga pushteti vendor varet 60% e shërbimeve. Fakti që ne politizojmë kaq shumë këtë punë, është që të heqim vëmendjen se aty je për shërbime.
A kanë lidhje dorëheqjet me protestën?
Zheji: Për mua Duma doli nga skena me efektin që edhe hyri. Është kujdesur që ashtu sikur hyri në mënyrë të efektshme, të dalë në mënyrë të efektshme. Deri këtu është brenda rregullave të lojës.
Do ishte mirë që detyrën e re ta përfshinte në këtë fjalim politik. Nuk po largohet për azil, megjithatë është e drejta veta.
Duma bashkë me Rushaj para 12 nëntorit, mund ta kishte shtyrë, do ishte politikisht korrekte ta kishin shtyrë dorëheqjen pas 12 nëntorit. Ose nuk e kanë menduar kështu, ose e kanë menduar që efekti më i madh politik do arrihej tani, sepse pas datës 12 do kishte lajme me fokus te protesta. Kështu nuk e njeh si fitimtare. E dha një mesazh, që nuk besoj te kjo protestë, që nuk është kjo rruga e PD-së dhe pastaj që nuk është rruga ime. Krijoi një divorc 3-4 vjeçar me PD-në. Prandaj them që kjo është ajo situata që do detyrojë z. Alimehmeti dhe kandidatët e tjerë ta fillojnë debatin më politik.