MENU
klinika

"Më 8 nëntor mblidhemi përpara..."

Pedagogët tërhiqen nga bojkoti i mësimit, por vazhdojnë protestat

06.11.2022 - 21:13

Pedagogët janë tërhequr nga bojkoti, duke filluar nga nesër procesin e rregullt mësimor, por ata njoftojnë se do të vazhdojnë protestat me qëllim plotësimin e kërkesave të tyre.

Me anë të një njoftimi, Sindikatave Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë ka bërë të ditur se protesta e radhës kombëtare do të zhvillohet më datën 8 nëntori ora 11:00 përpara Korpusit.

“Ndodhur përballë kësaj situate kritike, Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, e interesuar për normalizimin dhe zhvillimin e suksesshëm të jetës akademike vendosi:

Pezullimin e bojkotit dhe rinisjen e procesit mësimor, për të përmbushur detyrimin tonë akademik, atë të përçimit të dijes tek studentët;

Vazhdimin e protestës me të gjitha format demokratike dhe institucionale, përfshirë protestat kombëtare universitare periodike, deri në vlerësimin dhe zgjidhjen e kërkesave të parashtruara;

Të gjitha llojet e protestave, përfshirë grevat e çdo lloji, vazhdojnë të qëndrojnë si mundësi finale për realizimin e të gjitha kërkesave të Peticionit dhe më gjerë!

Të zhvillojë Protestën Kombëtare Universitare të radhës, ditën e Martë, datë 8 Nëntor 2022, ora 11.00, përpara Korpusit”, thuhet nder te tjera ne njoftim.

Pedagogët janë në protestë që prej 5 tetorit, ndërsa prej 17 tetorit shumica e tyre bojkotuan mësimin. Kërkesa kryesore e tyre është rritja e pagës prej 50 për qind, me një rritje të menjëhershme prej 30 për qind, ndërsa pjesa tjetër prej 20 për qind të nisë vitin që vjen.

Pas bojkotimit të nisjes së vitit akademik, Qeveria shqiptare miratoi vendimin për rritjen prej 7 për qind të pagës së pedagogëve dhe kërkoi që një tjetër rritje prej 8 për qind të garantohet nga universitetet.