MENU
klinika

Analiza/ Kryeministrja e parë grua e Italisë

Pse Meloni dëshiron të quhet ‘Zoti President’?

10.11.2022 - 08:30

Në mbledhjen e parë të kabinetit të Giorgia Melonit, kryeministrja e re u ul në mes të një tryeze të madhe të rrumbullakët, e rrethuar nga shumë burrë të moshës së mesme.

Skena rikujtoi pyetjen e vazhdueshme të shumë votuesve dhe komentuesve: a e do kryeministrja e parë femër e vendit ”skenën” vetëm për vete?

Qeveria e Melonit ka përfaqësimin më të ulët të femrave – gjashtë ministra nga 24 – në një dekadë të politikës italiane.

Ndërsa zgjedhja e saj përfaqëson një përparim të rëndësishëm në një komb të dominuar nga meshkujt, mungesa e grave në kabinetin e saj, e lëre më në rrethin e saj të ngushtë, mund të jetë një pasqyrë e stilit të saj të udhëheqjes.

Azzurra Rinaldi, ekonomiste gjinore në Università La Sapienza, i sheh këto sinjale si shqetësuese. “Ne kemi parë më shumë gra konservatore dhe të djathta të arrijnë poste të larta në Evropë, sepse ato nuk vënë në pikëpyetje strukturat tradicionale të pushtetit dhe shoqërisë”, thotë ajo.

Kjo u përforcua kur kryeministrja e re, njoftoi se donte t’i drejtoheshin si “Il Presidente del Consiglio”, me “il”, jo me “la” femëror, përpara titullit të saj. Të dy janë gramatikisht të sakta në këtë rast, sipas gjuhëtarëve në Accademia della Crusca – institucioni shekullor italian që ‘zgjidh” mosmarrëveshjet semantike.

Zyra e saj shkoi edhe më tej, duke dërguar një komunikim formal në departamentet qeveritare se kryeministrit duhet t’i drejtohej si “Il signor presidente”, ose ”Zoti President”, dhe pastaj ndryshoi mendje.

Emiliana De Blasio, profesoreshë e politikës gjinore në Universitetin Luiss, thotë se Meloni po përpiqet të pozicionohet në kundërshtim me feminizmin e majtë. “Mesazhi është: [mashkullore apo femërore] nuk ka rëndësi fuqia është fuqi,” thotë ajo. “Por fjalët kanë rëndësi sepse ato formësojnë politikën dhe shoqëritë tona.”

Shumë media kanë refuzuar të pranojnë kërkesën e Melonit. “Dëshiroj të informoj shikuesit se ne do të vazhdojmë t’i drejtohemi Melonit si ‘la presidente’ sepse ne e shohim këtë lloj kërkese anakronike në vitin 2022,” tha Lilli Gruber, një spikere televizive dhe ish-deputete e S&D në Bruksel, në emisionin e saj politik.

Disa italianë ankohen se diskutimet lidhur me këtë janë të parëndësishme në një kohë kur Italia po përballet me rritjen e inflacionit dhe rritjen e çmimeve të energjisë.

Të tjerë besojnë se ajo po e përdor qëllimisht debatin gjinor për të larguar vëmendjen nga vështirësitë e veta.

Por Rinaldi paralajmëron se kjo sjellje rrezikon t’i çojë gratë italiane “10 hapa prapa” – dhe se një pikëpamje retrograde e grave që punojnë mund të ketë edhe pasoja ekonomike.

Sipas Bankës së Italisë, nëse 60 për qind e grave italiane do të ishin të punësuara, në krahasim me 50 për qind aktualisht, produkti i brendshëm bruto i vendit do të rritej me 7 pikë përqindjeje. Vitin e kaluar, shkalla mesatare e punësimit të femrave në BE ishte 67 për qind. “Meloni është një pasqyrë e partisë më konservatore brenda koalicionit qeverisës, e frymëzuar nga vlerat tradicionale, ku gratë janë para së gjithash nëna,” thotë Rinaldi.

Paradoksi është se jeta personale e kryeministrit tregon një histori krejt tjetër.

Në autobiografinë e saj Unë jam Giorgia, ajo përshkruan se si nëna e saj punonte një sërë punësh të ndryshme për të mbajtur dy vajzat e saj pasi babai i tyre u largua. Partneri i Melonit, gazetari i Mediaset, Andrea Giambruno, së fundmi foli shkurtimisht për jetën  e tyre familjare në një intervistë.

De Blasio dhe Rinaldi mendojnë se jeta familjare e Melonit është jashtëzakonisht progresive sipas standardeve italiane, narrativa e saj politike duket të jetë e kundërta.

“Gratë e krahut të djathtë priren të përqendrohen te vetja, në krahasim me kolektivin që është tipik për të majtën – dhe ato zakonisht shfaqen në kohë krizash”, thotë De Blasio. “Meloni është ende në një muaj mjalti me italianët dhe ajo shpreson ta zgjasë sa më shumë që të jetë e mundur, pasi kriza ekonomike po afrohet.

” Mesazhi “kulturor” që do ta ndihmojë, shton ajo, “fillon duke ndryshuar mënyrën se si komunikojmë”.

Burimi: Financial Times

Përktheu dhe përshtati: Konica.al