MENU
klinika

Analiza

Rusia pas Putinit: Një tablo e zymtë…

01.11.2022 - 14:15

Spekulimet se sa e sigurt është pozita e Vladimir Putinit në pushtet, shfaqen rregullisht çdo disa vjet. Por ato janë intensifikuar që nga pushtimi i Ukrainës, dhe sidomos pas dështimeve ushtarake të Rusisë muajt e fundit. Ka një pasiguri e madhe se si mund të duket një Rusi pas largimit të Putinit.

Putini ka shumë të ngjarë të mos ketë një plan të qartë për pasardhësin, përveç procedurës së përshkruar në Kushtetutë, sipas së cilës ai ia dorëzon presidencën kryeministrit aktual Mikail Mishustin, dhe bën thirrje për zgjedhje, në rastin e largimit të parakohshëm të presidentit aktual.

Jeta pas Putinit, çfarë dhe si të vazhdohet dhe kush e zëvendëson atë, është pyetja kryesore në një nga artikujt në numrin e fundit të revistës britanike “The Economist”.

Sistemi politik i Rusisë duket se po hyn në periudhën më të trazuar të historisë së saj post-sovjetike. “Kurrë më parë Vladimir Putin nuk ka qenë në një situatë të tillë në 23 vitet e qeverisjes së tij,” thotë Kirill Rogov, një analist politik rus. Putini nuk mund ta fitojë këtë luftë, sepse ai nuk kishte synime të qarta që në fillim dhe pasi humbi kaq shumë, nuk mund ta përfundojë pa u poshtëruar thellë, shkruan “The Economist”.

Abbas Galyamov, një analist politik që kaloi disa kohë në Kremlin, pohon se në javët dhe muajt e ardhshëm elita, anëtarët e së cilës kanë besuar gjithmonë në aftësinë e Putinit për të ruajtur regjimin e tij (dhe ata), do të kuptojë se kjo varet nga ata (elitën) për të shpëtuar regjimin dhe kështu të shpëtojnë veten.

Kjo, thotë ai, do të intensifikojë kërkimin për një pasardhës të mundshëm brenda sistemit. Në listën e kandidatëve të mundshëm, Galyamov për “The Economist” veçon Dmitry Patrushev, djalin e Nikolai Patrushev, i cili është president i Këshillit të Sigurimit dhe një nga ideologët kryesorë të regjimit. Patrushev Jr është një ish-ministër dhe ndonëse pjesë e familjes, për shkak të rinisë së tij mund të shihej si një fytyrë e re.

Mundësitë më të njohura përfshijnë Sergei Kiriyenko, zëvendës shefi i kabinetit të Kremlinit; Sobyanin, kryebashkiaku i Moskës; dhe Mihail Mishustin, kryeministrin, i cili mund të luante rolin e negociatorit të moderuar me Perëndimin.

Mënyra e vetme për të ndaluar ciklin e pafund të nacionalizmit perandorak, pretendon Navalny, është që Rusia të decentralizojë pushtetin dhe të kthehet në një republikë parlamentare.