MENU
klinika

“Ka ardhur ora e llogarisë”

Shpërthim në Stamboll, Erdogan nis hakmarrjen

20.11.2022 - 09:29

Avionët ushtarakë turq kanë goditur objektiva në veri të Sirisë dhe Irakut, duke bombarduar baza që Ministria e Mbrojtjes e Turqisë pretendon se janë përdorur nga terroristët që qëndrojnë pas sulmit me bombë të ndodhur në Stamboll.

Nisja e bastisjeve u njoftua nga Ministria turke e Mbrojtjes përmes një deklaratë në Twitter të dielën.

“Ka ardhur ora e llogarisë,” shkroi ministria turke e mbrojtjes në Twitter, së bashku me një foto të një avioni ushtarak që ngrihej në një operacion gjatë natës, duke shtuar se ata që kishin kryer “sulmet e pabesa” do të mbanin përgjegjësi.

Ankaraja ka fajësuar për sulmin me bombë të ndodhur më 13 nëntor në Stamboll Partinë e jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe grupet kurde siriane të lidhura me to. Ndërkohë që nga ana tjetër luftëtarët kurdë kanë mohuar përfshirjen.

Në një postim tjetër të shoqëruar me një video nga aksioni,

Ministria turke e mbrojtjes ka postuar dhe një video nga aksioni që tregon momentin kur objektivi qëllohet me precizion të lartë nga ajri.

“Në përputhje me të drejtat tona të vetëmbrojtjes që rrjedhin nga neni 51 i Kartës së Kombeve të Bashkuara, operacioni ajror Pence Kilic u krye në rajonet në veri të Irakut dhe Sirisë, të cilat përdoren si baza për sulmet ndaj vendit tonë nga terroristët. ”, tha ministria.

Kujtojmë se Turqia dhe Shtetet e Bashkuara të dyja e konsiderojnë PKK-në një grup “terrorist”, por nuk pajtohen për statusin e grupeve kurde siriane që kanë qenë aleate me Uashingtonin në luftën kundër grupit ISIL (ISIS) në Siri.

Departamenti Amerikan i Shtetit kishte paralajmëruar të premten se kishte frikë nga një veprim i mundshëm ushtarak nga Turqia, duke i këshilluar shtetasit e saj të mos udhëtonin në Sirinë veriore dhe Irak.

Ndërsa Ankaraja nuk dha detaje të sakta të operacionit të ndodhur gjatë natës, Forcat Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga kurdët thanë se sulmet ajrore turke kishin goditur Kobanin (Ayn al-Arab) në Sirinë verilindore.