MENU
klinika

Analiza

Si pandemia po e ‘përndjek’ Xi Jinping

30.11.2022 - 08:30

Në fjalimin e tij të Vitit të Ri 2021, Xi Jinping u mburr me suksesin e politikës zero të Kinës për Covid-in.

Ndërsa miliona njerëz kishin vdekur në vende të tjera, Kina i kishte “vendosur njerëzit dhe jetën e tyre në radhë të parë”. . . Me solidaritet dhe qëndrueshmëri, ne shkruam epopenë e luftës sonë kundër pandemisë”.

Pothuajse dy vjet më vonë, fushata e Xi për të portretizuar trajtimin e pandemisë nga Kina si një triumf personal dhe sistematik po merr fund.

Demonstratat në rritje kundër politikave të tij zero-Covid përfaqësojnë një prishje imazhi për liderin kinez. Ato duken si sfida më serioze për udhëheqjen e tij që kur mori pushtetin një dekadë më parë.

Disa nga protestat kundër synimeve të pafundme të Kinës kanë synuar personalisht Xi.

China zero Covid: U.S. criticizes Beijing, supports right to protest

Në qytetin Chengdu, demonstruesit brohorasin: “Ne nuk duam një lider për një sistem politik të përjetshëm. Ne nuk duam një perandor.”

Këto thirrje nxjerrin në pah çështjen më të ndjeshme politike në Kinën moderne – përpjekjet e Xi për të krijuar një kult personaliteti.

Që nga vdekja e Mao Ce Dunit në 1976, Partia Komuniste ka shmangur krijimin e një Mao të ri, një lider të vetëm të plotfuqishëm, i cili dominon sistemin politik dhe vendin dhe që nuk e lë kurrë pushtetin.

Por Xi po e kthen Kinën në ditët e sundimit pothuajse perandorak.

Një pikë kthese u arrit muajin e kaluar, kur kongresi i Partisë Komuniste e emëroi atë në një mandat të tretë të paprecedentë si drejtues i partisë.

Paraardhësi i Xi si president kinez, Hu Jintao, u largua me forcë nga skena para kamerave televizive.

Mesazhi ishte i qartë. Fuqia e Xi tani është e padiskutueshme dhe ai është vendosur të sundojë për gjithë jetën.

Ashtu si Mao, Xi e ka justifikuar marrjen e tij të pushtetit duke inkurajuar krijimin e një kulti personaliteti.

“Mendimi i Xi Jinping” është shkruar në kushtetutën e Partisë Komuniste Kineze. Trajtimi i suksesshëm i Covid-19 nga lideri kinez është bërë një pjesë kryesore e mitit të tij.

Një letër e fundit nga Këshilli Shtetëror i Kinës lavdëroi udhëheqjen e Xi për Covid, duke shpallur se “Sekretari i Përgjithshëm Xi Jinping ka marrë komandën personale, ka planifikuar përgjigjen, ka mbikëqyrur situatën e përgjithshme dhe ka vepruar me vendosmëri”.

Është e vërtetë që Kina ka regjistruar shumë më pak vdekje për frymë nga Covid-19 sesa SHBA.

Por kostot e ndjekjes së një politike zero-Covid janë gjithnjë e më evidente. Ndërsa ekonomia ka ngecur, papunësia e të rinjve në Kinë ka arritur në 20 për qind.

Pasojat sociale të izolimeve të zgjatura dhe të përsëritura ka qenë gjithashtu e madhe.

Dy muaj kufizime të rënda në Shangai në fillim të këtij viti u bënë tituj në të gjithë botën. Disa besonin se kjo do të ishte një pikë kthese, duke e detyruar Xi të rimendonte politikën zero-Covid.

Në vend të kësaj, në kongresin e partisë, Xi promovoi shefin e partisë së Shangait, përgjegjës për bllokimin, Li Qiang, në pozicionin e dytë më të lartë në partinë komuniste.

Ishte një sinjal se nuk kishte fund për politikën zero-Covid.

Udhëheqja kineze ka kontrastuar durimin dhe shpirtin kolektiv të popullit kinez me padurimin dhe individualizmin e amerikanëve.

Por durimi, edhe i popullit kinez, po mbaron.

Fotot e turmave të demaskuara, nga e gjithë bota, duke parë Kupën e Botës në Katar, u kanë treguar kinezëve se qytetarët e vendeve të tjera kanë shpëtuar nga kurthi i izolimeve të pafundme.

Në të kundërt, Kina përballet me perspektivën e një viti të katërt të kufizimeve drakoniane të lirisë.

Pasi ka marrë merita për trajtimin e fazave të hershme të pandemisë nga Kina, Xi nuk mund të shmangë fajin për krizën aktuale. Mbi të gjitha, dështimi për të importuar vaksina të huaja më efektive e bën shumë më të rrezikshme për Kinën që të lehtësojë masat e saj. Ky dështim lidhet me nacionalizmin e Xi – i cili inicioi një politikë “Made in China” për teknologjitë kryesore në 2015.

Një lider që pretendon se ka dhembshuri të pakufishme për popullin kinez rezulton të jetë shumë krenar për të importuar vaksinat efektive që mund të shpëtojnë jetën e tyre.

Politika zero Covid ështëgjithashtu një reflektim i personalitetit kokëfortë dhe autoritarizmit të lindur të Xi. Nuk i ka shpëtuar vërejtjes së protestuesve kinezë se teknologjitë e zhvilluara për të gjurmuar lëvizjet e njerëzve – në emër të Covid-it – mund të zgjasin mirë pandeminë dhe të bëhen një metodë e përhershme dhe e keqe e kontrollit politik dhe social.

Më gjerësisht, dështimet e Xi në Covid-19 janë dështimet karakteristike të sundimit të një njeriu të fortë, i cili investon shumë pushtet dhe autoritet në një lider të vetëm.

Sapo ai njeri i fortë të marrë një vendim katastrofik – siç bëri Vladimir Putin kur pushtoi Ukrainën – sistemi nuk është në gjendje të ndryshojë drejtim sepse gjykimi i liderit nuk mund të vihet në dyshim. I njëjti model po shfaqet tani në Kinë.

Momenti kur demonstruesit dalin në rrugë është gjithmonë një moment rreziku maksimal për një lider të fortë.

Fatkeqësisht, duket se çdo instinkt i Xi-t do të jetë të përgjigjet me forcë dhe shtypje. Kështu u përball me protestat e Hong Kongut të vitit 2019 – dhe është mënyra se si partia komuniste shtypi lëvizjen studentore në sheshin Tiananmen në vitin 1989.

Represioni mund të funksionojë fare mirë në Kinë – siç ka bërë deri më tani, në shtypjen e protestave në Rusi, Iran dhe Bjellorusi.

Por miti i ndërtuar me kujdes i mençurisë dhe fuqisë së Xi-t nuk mund t’i mbijetojë kolapsit të politikave të tij zero-Covid.

Burimi: Financial Times

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"The Economist"/ Ndryshimi mund të jetë rrugës

A është gati Kina të braktisë luftën e saj me Covid-19?

Konkurrenca e vazhdueshme midis dy vendeve

Amerika do fitojë vetëm nëse dështon regjimi kinez


Kush është njeriu që ka në dorë vendimin më të rëndësishëm

Fati i Ukrainës varet “në fije të perit”, SHBA “hap thesin”

Komploti për vrasjen e Zelenskyt dhe plani për sabotazh në Gjermani

Si funksionon rrjeti i agjentëve sekretë të Vladimir Putinit