I pranishëm në studion e ABC Live me gazetaren Sibora Bitri, analisti i mirënjohur Mentor Nazarko u shpreh që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE në këtë moment ka rëndësi simbolike dhe vetëm kaq.
Sipas tij ‘ka vlerë në planin dypalësh përkundrejt Serbisë, komunikimit ndërkombëtar të Kosovës si dhe komunikimit rajonal. Nuk ka vlerë reale për hapat e Kosovës drejt integrimit europian, pasi procesi i integrimit në BE për Kosovën ka disa specifika të tjera.
Qeveria e Kosovës e ka shprehur qëllimin e saj, që pas ndodhjes së konfliktit në Ukrainë, që do të aplikojë në BE apo në NATO.
“Kur thashë simbolike, nuk dua të nënçmoj rëndësinë e simbolikës, do të ri-konfirmojë shtetësinë e saj, përkundrejt Serbisë në pikëpamje të komunikimit. Në pikëpamje të shpejtimit të procesit të integrimit nuk ka rëndësi. Marrëveshja e Stabilizil – Asocimit, ka hyrë në rrugën e anëtarësimit, dhe aplikimi është një akt formal. Kosova ishte i vetmi shtet në Ballkan që nuk e kishte bërë një gjest të tillë”, u shpreh Nazarko.