Nëse flasim për feminilitet dhe seksualitet emri i saj është padyshim i pari që na vjen ndër mend.
Dua Lipa ka treguar se nuk ka frikë të shfaqë veten e saj në të gjitha dimensionet dhe kërkon që edhe vajzat e tjera të ndjehen të lira ta bëjnë këtë.
“Si gra, ne kemi qenë të shtypura se si duhet të dukesh apo të jesh”, tha artistja shqiptare, sipas The Sun.
Dua e cila sapo ka mbyllur turneun e saj të suksesshëm “Future Nostalgia” beson se gratë për dekada nuk kanë pasur njohjen që meritojnë.
Ajo ka tre këngë të renditura në vendin e parë në Mbretërinë e Bashkuar dhe gjithashtu fituese e çmimeve “Grammy”, “Brits”, “Billboard” dhe “MTV Awards”.
“Ne po ndërtojmë kështjellat tona, por jo domosdoshmërisht duke marrë njohjen që meritojmë”, tha Lipa.
Teksa po shikonte vëllain dhe motrën e saj më të vogël Lipa u shpreh shpresëplotë se gjërat do të ndryshojnë për mirë.
“Brezat e rinj kanë një vështrim vërtet interesant për jetën. Mënyra se si ata mendojnë është shumë më e zhvilluar. Vëllai im është 16 vjeç. Ai është shumë më i interesuar për mënyrën se si funksionojnë gjërat në botë. E njëjta gjë me motrën time. Ndoshta është interneti ose mënyra se si ne kemi evoluar si njerëz . . .”