MENU
klinika

Analiza

Fitore ose fitore, Putini ka vetëm një ide në kokë!

13.12.2022 - 17:37

“Lajmet e fundit që vijnë nga fronti i luftës ruso- ukrainase janë alarmante. Situata po përshkallëzohet çdo ditë e më shumë.

Ndërsa SHBA dhe vendet e NATO-s akoma nuk kanë një strategji të saktë për të shuar këtë zjarr që mund të na kaploje të gjithëve. Në një situatë të tillë dhe me këtë ritëm nuk e përjashtoi mundësinë që lideri rus të përdorë armë bërthamore”, kështu është shprehur eksperti Alan J. Kuperman i cili konsiderohet si një nga ekspertët kryesorë në fushën e studimeve për konfliktet etnike në Ballkan dhe në vendet e zonës ish-komuniste. Kuperman, i cili është gjithashtu dhe profesor dhe në Univeristetin e Teksas , është i vetëdijshëm se me tezat e tij mund të akuzohet për simpati pro-ruse, por si studiues ai mendon se për të dalë nga një konflikt duhet ftohtësi dhe shkëputje nga ana e udhëheqjes.  “Jam i bindur se pushtimi rus mund të ishte shmangur nëse SHBA-të do ta kishin bërë të qartë që në fillim se Ukraina nuk do të merrte mbështetje nëse nuk do të ishte angazhuar për zbatimin e marrëveshjes Minsk II, nënshkruar në fillim të vitit 2015 të cilën ajo e firmosi për armëpushim të plotë në Donetsk dhe Luhansk. Ai pakt pa mëdyshje duhej zbatuar. Nëse SHBA dhe NATO do të kishin vepruar në këtë drejtim, mendoj se sot nuk do të ishim në këtë pikë dhe nuk do të kishim kaq shumë humbje jetësh . Infrastruktura nuk do të ishte shkatërruar siç ndodhi dhe zona e kontrolluar nga Rusia do të ishte shumë më e vogël se sa është sot”, tha eksperti.

Gjithashtu dhe shkencëtarja politike ruse Tatiana Stanovaya nga Qendra Carnegie në Moskë thotë se Putini i tha Perëndimit se nëse Kievi nuk dorëzohet, “gjëja tjetër është një bombë atomike” dhe se Putini nuk dëshiron vetëm një fitore të luftës.

“Ai ende dëshiron dorëzimin e Ukrainës”. Megjithatë, referendumi është një reagim ndaj kundërsulmimit të suksesshëm të Ukrainës. Përkatësisht, siç thotë Olga Kovitidi, senatorja e Krimesë në dhomën e lartë të parlamentit rus, pas zbatimit të referendumit dhe aneksimit të atyre pjesëve ukrainase në Rusi, nëse Ukraina vazhdon me luftën, do të konsiderohet “agresion ukrainas” kundër Rusisë” dhe “Rusia ka të drejtë të mbrohet me të gjitha mjetet në dispozicion”, që përfshin armët bërthamore.

Putin vuri në dukje se Rusia ka të drejtë të përdorë armë bërthamore nëse “kërcënohet integriteti i saj territorial”. Me këtë ai dëshiron të frikësojë sërish perëndimorët me kërcënimet e tij.

Përmasat dhe serioziteti i Luftës së Dytë Botërore bënë që SHBA të ishte shteti i parë në botë që tentonte të krijonte një armë bërthamore përmes Projektit “Manhattan,” që kulmoi me testimin e parë të një arme bërthamore me Operacionin “Trinity” në 1945.

Më pak se një muaj pas detonimit të parë, SHBA sulmoi qytetet Hiroshima dhe Nagasaki ne Japoni në atë që është përdorimi i parë i një bombe atomike për qëllime lufte. Kjo ishte edhe një akt përgjigje ndaj sulmit të Japonisë, aleate me Gjermaninë dhe Italinë, në Pearl Harbor në Haëaii në dhjetor 1941.

Bombat në Hiroshima dhe Nagasaki rezultuan në vdekjen e 129.000 deri në 226.000 njerëzve, shkatërrimin e të dy qyteteve, dhe sëmundje të lidhura me efektin afatgjatë të radiacionit bërthamor në trupin e njeriut. Në nivel ndërkombëtar, publiku u mobilizua në lëvizjen kundër përhapjes së armëve bërthamore që në vitet 60’. Në vitet 70’ kishte dhe protesta të mëdha që u organizuan në  Londër, Bon dhe Neë York.

Nga ana tjetër, Organizata e Kombeve të Bashkuara, që në 1968, prodhoi Traktatin për Mos Përhapjen e Armëve Bërthamore (Non-Proliferation Treaty, NPT), me qëllimin që të kufizohet përhapja e armëve bërthamore dhe të promovohet bashkëpunimi në përdorimin paqësor të energjisë bërthamore.

Qëllimi gjithëpërfshirës ishte të arrihej çarmatimi bërthamor në botë. Fuqitë e mëdha nuk e kanë problem të përdorin shtete të tjera si terren lufte, për sa kohë nuk përballen me njëra-tjetrën, duke patur parasysh mundësinë e një lufte bërthamore, ashtu siç po ndodh me Rusinë që po përdor Ukrainën.

Normalisht, ky argument ka dominuar marrëdhëniet ndërkombëtare në lidhje me armët bërthamore që nga Lufta e Ftohtë.