MENU
klinika

“Prezencë e mundshme e grupeve kriminale”

KFOR sqaron prezencën e shtuar në Jarinjë: Të shmanget dhuna në…

18.12.2022 - 18:48

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka shtuar praninë e tij në Jarinjë për arsye sigurie.

Nga KFOR-i, kanë njoftuar se përforcimi i trupave është bërë për shkak të prezencës së mundshme të grupeve kriminale mes protestuesve.

“Është gjithmonë thelbësore që të gjithë personat që marrin pjesë në protestë të shmangin dhunën dhe të shprehin mendimet e tyre në mënyrë paqësore, duke shmangur çdo veprim joproporcional, qëndrim agresiv dhe sjellje që mund të keqkuptohen dhe të perceptohen si provokim apo dhunë e panevojshme”, thuhet më tej në përgjigjen e KFOR-it për KOHËN.

Në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë, janë mbledhur të dielën dhjetëra serbë të ekstremit të djathtë, të cilët pas dy orëve janë shpërndarë.

Protesta, që ishte thirrur nga dega në Serbi e grupit paramilitar rus Wagner, ishte përcjellë me tensione. Pati këngë nacionaliste serbe kundër Kosovës, ndërsa po ashtu edhe thirrje se “Kosova është zemra e Serbisë”. Po ashtu pati edhe sharje, fyerje e kërcënime ndaj shqiptarëve, ndërsa edhe sharje në drejtim të ushtarëve të KFOR-it që po qëndronin në pikën kufitare në Jarinjë në territorin e Kosovës.

Ata kanë arritur të kalojnë grupin e parë të policëve serbë që po kontrollonin turmën, por nuk u lejuan të hyjnë në Kosovë nga grupi i dytë i policisë serbe.