Më shumë se 10 mijë dosje do të rivlerësohen nga e para me skemën e re. Ligji i ndryshuar është botuar një ditë më parë në fletoren zyrtare, ndërsa të penalizuar janë ata pronarë që preken nga ndryshimi i zërit kadastral, të cilët do të duhet të mjaftohen vetëm me 10 për qind të vlerës që ka prona sot në treg.
Por një ndryshim i rëndësishëm është edhe hapja e afatit për dosjet e patrajtuara në fazën e parë. Janë më shumë se 7 mijë dosje, një pjesë prej të cilave në Gjykatën e Shkallës së Parë, të cilat do të rimerren në shqyrtim nga Agjencia e Pronave. Afati për rivlerësimin e tyre përfundon në 31 dhjetor 2024.
SKEMA E RE
Kështu, pavarësisht kontestimeve dhe betejave ligjore me grupet e interesit, qeveria nuk hoqi dorë nga skema e vlerësimit të pronës, bazuar mbi zërin kadastral të saj në kohën e shpronësimit. Pra, nëse ka qenë tokë bujqësore, vlera e kompensimit do të jetë për tokë bujqësore dhe nëse ka qenë tokë truall, do të kompensohet si e tillë edhe sot. Por gati gjysma e vendimeve janë pasuri që kanë qenë jashtë vijës së verdhë, ndërsa sot kanë statusin e tokës truall.
Këto familje do të përfitojnë vetëm 10 për qind të vlerës që kjo pronë ka sot në treg. “Vlerësimi financiar i vendimeve përfundimtare duhet të sigurojë që vlera e përgjithshme e kompensimit, pavarësisht formës së kompensimit, të jetë jo më pak se 10 për qind e vlerës së pronës, të llogaritur sipas zërit kadastral aktual. Për këtë qëllim, kur pronës së njohur për kompensim i ka ndryshuar zëri kadastral, si dhe nga vlerësimi i vendimeve përfundimtare, sipas pikave 1 dhe 2 të këtij neni, rezulton që subjekti i shpronësuar përfiton më pak se 10 për qind të vlerës së pronës së llogaritur sipas zërit kadastral aktual, prona e njohur për kompensim vlerësohet në bazë të zërit kadastral aktual”, thuhet në ligj.
Gjithsej, janë më shumë se 25 mijë vendime në pritje të ekzekutimit. Në ligjin e ndryshuar përcaktohet që për rastet kur është njohur e drejta e kthimit dhe kompensimit të pronës, qytetarët do të marrin diferencën kur vlera e pronës së kthyer është më e ulët se vlera e pronës së mbetur për kompensim. Por, kjo do të ndodhë në ato raste kur nuk ka ndryshim të zërit kadastral. Pra, toka ka të njëjtin status si në kohën e konfiskimit. Në të kundërt, pra, kur një sipërfaqe toke, e cila ka qenë jashtë vijës së verdhë, ose tokë bujqësore dhe sot është tokë truall, pronarët do të marrin vetëm 10 për qind të diferencës. Thënë më thjeshtë, nëse diferenca mes pronës së kthyer dhe asaj të mbetur për kompensim pas rivlerësimit rezulton 10 milionë lekë, pronarët do të marrin vetëm 1 milionë lekë.
AFATI
Ligji i ndryshuar përcakton edhe zgjatje e afatit me dy vite, përkatësisht deri në 31 dhjetor 2024 për shqyrtimin e dosjeve të patrajtuara. “Brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve, Agjencia e Trajtimit të Pronave publikon vlerësimin e vendimeve përfundimtare për çdo rast kur ka ndryshuar zëri kadastral sipas neneve 1 dhe 2 të këtij ligji. Subjektet që kanë tërhequr kërkesat e patrajtuara për njohjen e pronës ose i janë drejtuar gjykatës së shkallës së parë, sipas parashikimit të pikës 2 të nenit 34, para hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë të drejtë të heqin dorë nga gjykimi i çështjes dhe të paraqesin kërkesë pranë Agjencisë për shqyrtimin e dosjes.
Kur subjekti nuk heq dorë nga gjykimi i çështjes, gjykata kryen njohjen e së drejtës së pronësisë në përputhje me parashikimet e ligjit”, thuhet më tej në ligj ku përcaktohet po ashtu edhe indeksim deri në ekzekutimin përfundimtar të vendimeve të kompensimit, për vendimet e kompensimit, të cilat janë bërë përfundimtare, të paekzekutura sipas afateve të parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative dhe të plotësuara me dokumentacionin e nevojshëm, në përputhje me kërkesat e parashikuara në formularin e aplikimit. Kjo do të thotë që masa e përfitimit do të indeksohet për çdo vit vonesë në ndarjen e kompensimit.