MENU
klinika

Analiza

Lufta po hyn në Rusi dhe kjo i shton ankthin Putinit

07.12.2022 - 17:10

Lufta ka hyrë në Rusi. Ukraina po terrorizon Vladimir Putinin. Armët e fundit të frikshme që kanë rënë në dorë të Kievit me ndihmën e Perëndimit po tronditin Kremlinin.

Këtë po e tregojnë më së miri sulmet e fundit në territoret ruse. Një nga këto armë është droni me telekomandë, pasi në depon e naftës të aeroportit ushtarak në Kursk të Rusisë, është kryer një sulm me mjete ajrore pa pilot (UAV). Lajmi u bë i ditur nga vetë guvernatori i rajonit të Kurskut i cili në telegram u shpreh se nga sulmi nuk ka humbje jete. “Si rezultat i sulmit me dron në aeroportin e Kurskut, objekti i depozitimit të naftës mori flakë. Zjarri është duke u shuar. Të gjitha shërbimet speciale po punojnë në vendngjarje”, tha ai. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi se Ukraina filloi një sulm në aeroportet ushtarake ruse Dyagilevo dhe Engels me dronë, ku u vranë tre ushtarë dhe katër tjerë u plagosën. Kjo ngjarje ndodhi vetëm një ditë më mbrapa pasi Ministria e Mbrojtjes e Moskës lëshoi akuza kundrejt Ukrainës duke thënë se është në përpjekje e sipër  për të goditur  objektiva  brenda Federate Ruse me drone të prodhuara nga sovjetikët.

Këto sulme kanë mjaftuar që të Presidenti rus Vladimir Putin të vihet në panik. Ai menjëherë ka kërkuar takim emergjent me anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse.

Në fokus të këtij takimi ishin sulmet e fundit të Ukrainës në rajonet ruse. Tashmë duket shumë qartë shqetësimi i liderit rus Putin mbi sigurimin e sigurisë së brendshme.

Ngjarjet e fundit i kanë dhenë më shumë shkëndijë luftës midis Ukrainës dhe Rusisë, por ajo që ngelet për tu parë është nëse lufta do të zhvendoset tashmë në kufijtë rus. Kujtojmë se gjithashtu se dy aeroportet ushtarake ruse  ku njëri prej tyre përdorej për sulme ajrore në Ukrainë janë goditur nga dronët. Ky informacion u konfirmua edhe nga këshilltari i Ministrisë së Brendshme të Ukrainës i cili deklaroi se Rusia e ka përdorur bazën ajrore për sulme raketore në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Moska në fund të shkurtit .

Shpërthimi i parë ndodhi pikërisht në aeroportin ushtark Ryazan i cili ndodhet 200 km në juglindje të Moskës. Si pasojë e shpërthimit tre persona humbën jetën ndërsa gjashtë të tjerë mbetën të plagosur.

Ndërsa shpërthimi i dytë përfshiu bazën ajrore Engels që ndodhet në rajonin e Saratovit.

Në lidhje më shpërthimet Guvernatori rajonal i Saratovit, Roman Busargin, theksoi se nuk ka dëmtime në infrastrukturë. “Asnjë ngjarje e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur në lagjet e banimit të qytetit. Nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar. Asnjë infrastrukturë civile nuk është dëmtuar,” ka shkruar ai. Më pas ai shtoi se informacionet për ngjarjet në objektet ushtarake “po kontrollohen” nga agjencitë ruse të sigurisë. Si pasojë e shpërthimit dy bombardues Tu-95, që janë përdorur për të kryer sulme ajrore mbi infrastrukturën e Ukrainës, u dëmtuan.

Engels shërben si bazë për bombarduesit strategjikë Tu-95 dhe Tu-160 me aftësi bërthamore dhe ndodhet 500 kilometra në lindje të kufirit me Ukrainën, në një vend shumë strategjik. Sipas burimeve të mediave të ndryshme, ato asete ishin pjesë e përgatitjeve të Rusisë për të nisur sulme masive ajrore në Ukrainë, veçanërisht kundër infrastrukturës së saj energjetike.

Sipas këshilltarit të ministrit të Brendshëm të Ukrainës, Anton Gerashchenko avionët në aeroportet Engels dhe Ryazan do të bombardonin edhe një herë infrastrukturën energjetike të Ukrainës.

Kievi nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimet, madje komanda ushtarake ukrainase ka refuzuar të japë koment zyrtar në lidhje me incidentet e ndodhur. Por besohet se Kievi  qëndron pas dhjetëra sulmeve të ngjashme në bazat dhe depot e furnizimit në kufirin perëndimor të Rusisë. Ndërsa zëdhënësi i Forcave Ajrore ukrainase Yuriy Ignat ripostoi në mediat e tij sociale një raport në lidhje me incidentet me një pyetje ironike. “Kush e bëri këtë? Dy bombardues strategjikë po dëmtohen. Ka të vdekur dhe të plagosur.

Ne jemi të pikëlluar,” shkroi ai me sarkazëm. Disa orë para shpërthimeve, kompania ukrainase e armëve Ukroboronprom njoftoi se kishte testuar me sukses një dron vetëvrasës me një kokë 75 kg.

Një dron i tillë ishte në gjendje të godiste të dy vendet.