MENU
klinika

Ja çfarë thotë shkenca

Pse alergjitë shfaqen dhe ikin papritur?

15.12.2022 - 12:54

Natyralisti britanik, Çarls Darvin, që në shekullin XIX-të formuloi teorinë e evolucionit të specieve nga përzgjedhja natyrore, ishte një shkrues i shpeshtë i letrave. Në atë kohë, një korrespondencë e ngushtë ishte thelbësore për t’u përballur me shkencëtarët të tjerë, dhe për të ofruar ide të reja kërkimore.

Vëllimi i letrave ishte aq i madh, saqë Darvini digjte periodikisht shumë prej tyre, derisa djemtë e tij e bindën që të arkivonte ato më të rëndësishmet. Dhe në mesin e më shumë se 15.000 letrave që janë ruajtur, është edhe korrespondenca me Çarls Herrison Blekli, i konsideruar si zbuluesi i shkaqeve të sëmundjes së Etheve të Barit (ajo që sot e njohim më shumë si alergjia ndaj polenit).

Blekli ishte një mjek nga zona e Mançesterit në Angli, dhe vuante çdo sezon nga kjo alergji. Për disa javë, midis pranverës dhe verës, ai kishte rrjedhje sekrecioneh nga hundët, teshtinte dhe sytë i lotonin. Kjo dukuri njihej prej kohësh, por deri atëherë askush nuk kishte gjetur një shpjegim bindës.

Disa hipotetizuan se përgjegjës ishin sasitë më të mëdha të ozonit, një nga gazrat e pranishëm në atmosferë, ndërsa të tjerë besonin se ishte pasojë e vapës së verës. I pari që përshkroi me saktësi Ethet e Barit ishte mjeku anglez Xhon Bostok në vitin 1819.

Por eseja e tij nuk përmbante informacion se cilat mund të jenë shkaqet e sëmundjes. Bazuar gjithashtu në përvojat e tij, Blekli e përjashtoi ozonin dhe vapën, dhe vuri në dukje se shkaku mund të ishte poleni, që në atë periudhë të vitit qarkullonte në sasi të mëdha.

Ai kreu eksperimente të ndryshme mbi veten e tij, duke e ekspozuar veten ndaj poleni. Darvini e lexoi letrën e tij dhe tregoi interes për eksperimentet e mjekut. Kështu pasoi një korrespondencë e gjatë, në të cilën Darvini i shpjegoi Bleklit se poleni mund të shpërndahej jo vetëm nga era, por edhe nga disa lloje insektesh.

Pse alergjitë shfaqen dhe ikin papritur?

Ky i fundit e falënderoi për këtë informacion, megjithëse mekanizmat që detyronin vetëm disa njerëz të ishin të ndjeshëm nga polenit mbeteshin ende të panjohura. Do të duheshin të kalonin disa dekada para se të zgjidhej misteri i alergjive, të paktën pjesërisht.

Në fakt, edhe sot nuk mund ta shpjegojmë se përse disa njerëz bëhen alergjikë ndaj diçkaje, pasi nuk kanë qenë kurrë alergjikë prej vitesh, ose si ka mundësi që disa janë alergjikë për vite me radhë dhe pastaj papritmas pushojnë së qeni të tillë.

Zbulimi i këtij misteri mund të ndihmojë rreth 20 për qind të njerëzve në botën e zhvilluar që vuajnë nga poleni apo alergji të ngjashme, ose 6 për qind të popullsisë globale, që është alergjike ndaj të paktën një ushqimi, ndonjëherë me reaksione të rënda që mund të shkaktojnë deri edhe vdekjen.

Në përgjithësi, alergjitë vijnë nga një reagim jonormal i sistemit imunitar ndaj një substance normalisht të padëmshme, e cila konsiderohet e rrezikshme. Një nga këto substanca, pra një alergjen, mund të jetë poleni i disa llojeve të bimëve, proteinat e një ushqimi të caktuar, apo ato që gjenden në pështymën e disa kafshëve, si në rastin e maceve.

Për shembull, shumë njerëz janë alergjikë ndaj maceve jo drejtpërdrejt për shkak të leshit të tyre, por për shkak të pështymës që bie mbi të kur këto kafshë lëpijnë veten me gjuhë. Tek njerëzit alergjikë, prania e një ose më shumë prej këtyre substancave i nxit disa qeliza mbrojtëse të sistemit imunitar të prodhojnë një lloj të veçantë antitrupash: IgE (imunoglobulina E).

Ige ka aftësinë të lidhet me alergjenin dhe të nxisë një përgjigje më komplekse nga qelizat e tjera të sistemit imunitar. Rezultati është inflamacioni i shpejtë, i cili ndihmon në çlirimin e substancave të ndryshme, përfshirë histaminën, e cila modifikon ekuilibrin midis pjesës së lëngshme të gjakut dhe lëngjeve të pranishme në indin lidhës.

Kjo shkakton një grumbullim të lëngjeve (edemë) që çon në ënjtje, e cila mund të jetë e rrezikshme nëse ndodh në rrugët e frymëmarrjes. Më konkretisht, shkaqet e një reaksioni alergjik ndryshojnë shumë nga personi në person, dhe varen nga gjendja e tyre shëndetësore, mosha dhe natyrisht tiparet e tyre specifike fizike.

Ka njerëz që prodhojnë më pak IgE se të tjerët, dhe për këtë arsye priren të zhvillojnë reaksione alergjike më të lehta. Studime të tjera kanë zbuluar se disa molekula, të prodhuara po nga trupi ynë, janë në gjendje të kontrollojnë më mirë qelizat e sistemit imunitar, duke i bërë ato më pak të ekspozuara ndaj sinjaleve të alarmit që dërgon vazhdimisht IgE.

Falë efekteve ndonjëherë të kombinuara të këtyre sistemeve të kontrollit të dyfishtë, disa njerëz arrijnë që me kalimin e kohës të kapërcejnë alergjitë e tyre, dhe të zhvillojnë një tolerancë të caktuar ndaj alergjenëve. Mosha duket se luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe evolucionin e alergjive.

Për shembull, mund të ndodhë që alergjitë e diagnostikuara tek fëmijët, të jenë jetëshkurtra dhe të zhduken gjatë evolucioneve të shumta që shoqërojnë njeriun nga adoleshenca në moshën madhore nëpërmjet pubertetit. Personat që vuajnë nga alergjitë fillojnë të vërejnë një reduktim të reaksioneve me kalimin e moshës, veçanërisht nga mosha 60-vjeçare e sipër.

Por ndodh që alergjitë të zhvillohen me ardhjen e pleqërisë. Nga ana tjetër, ka disa lloje alergjish që zgjasin më shumë se sa të tjerat, dhe me të cilat disa njerëz duhet të përballen gjatë gjithë jetës së tyre. Vështirësia për t’i kuptuar plotësisht alergjitë, dhe zhvilluar terapi të përshtatshme, buron nga një problem më i madh:shumë nga karakteristikat e sistemit imunitar janë ende të panjohura për ne.

Funksionimi i tij varet nga një rrjet tejet kompleks i proceseve biologjike, që nga ana tjetër përfshin mijëra lloje të ndryshme molekulash, proteinash dhe mekanizmash qelizorë. Një person mund të ketë një reaksion alergjik në mënyra të ndryshme nga një tjetër, edhe pse shkaku është i njëjti alergjen.

Për këtë arsye, shpeshherë nevojiten më shumë analiza për të arritur tek diagnostikimi i një alergjie, gjë që është e rëndësishme për të marrë më pas ilaçe, me synim mbajtjen nën kontroll apo për të parandaluar që ajo të shkaktojë reaksione shumë serioze.

Një mënyrë që përdoret në disa raste alergjie, është ekspozimi ndaj dozave të ulëta të substancës që shkakton alergjinë, për të nxitur një lloj tolerance. Por kjo është një teknikë ende e debatueshme dhe që ka nevojë për hetime më sistematike dhe eksperimente të reja.