MENU
klinika

Rritja ekonomike dhe borxhi

Hyn në fuqi programi buxhetor afatmesëm 2023-2025

17.12.2022 - 13:11

Qeveria ndryshon projeksionet e rritjes ekonomike për vitin 2022 dhe të borxhit publik për periudhën afatmesme 2023-2025.

Sipas dokumentit të programit buxhetor afatmesëm, për periudhën 2023–2025, të rishikuar, i botuar në Fletoren Zyrtare 2022 pritet të mbyllet me rritje ekonomike 4,1%, nga 3,7% që parashikohej gjatë prezantimit të projektbuxhetit të vitit të ardhshëm. Për periudhën afatmesme rritja pritet të arrijë 4,2% nga 2,6% që u prezantua me projektbuxhetin e ri, e ndikuar nga zhvillimet dhe pritshmëritë për ekonominë globale dhe veçanërisht atë të Bashkimit Europian.

“Pas recesionit të fortë prej -3.5% në vitin 2020, ekonomia është rimëkëmbur fuqishëm në vitin 2021, në normën prej 8.5% dhe parashikohet të vijojë trendin pozitiv në periudhën afatmesme në vijim. Rritja ekonomike parashikohet më e përmbajtur në vitet në vazhdim, në normën 4.1% në vitin 2022 dhe parashikohet mesatarisht rreth 4% në vit përgjatë periudhës afatmesme në vijim 2023-2025. Më specifikisht, rritja ekonomike parashikohet në 4.2, 3.9 dhe 3.9 % respektivisht për vitet 2023, 2024 dhe 2025”, citohet në dokument.

Gjatë periudhës afatmesme, sipas dokumentit, rritja ekonomike do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi ashtu edhe investimet. Kërkesa e huaj neto (eksport – import) pritet të ketë një efekt të moderuar pozitiv.

Konsumi privat parashikohet të jetë sërish nxitësi kryesor i rritjes së PBB-së, stimuluar kryesisht nga përmirësimi i besimit të konsumatorit, si dhe nga përmirësimi në tregun e punës. “Këto të fundit priten të transmetohen në një rritje graduale të pagave të cilat më tej pritet të stimulojnë të ardhurat reale të disponueshme të individëve, duke krijuar efektin e raundit të dytë në nxitjen e konsumit, si dhe duke intensifikuar prirjen e konsumatorëve për financimin e mëtejshëm të konsumit nëpërmjet një kredi-marrje më të lartë”, vlerësohet në vendim.

Ndërkohë, kredimarrja për konsum parashikohet të nxitet edhe nga përmirësimi i pritshëm i kushteve financiare të individëve, ashtu edhe nga lehtësimi i pritshëm i standardeve të huadhënies nga sistemi bankar në periudhën afatmesme, pas kapërcimit të efektit negativ nga goditja e pandemisë.

“Ndërsa rritja graduale e investimeve pritet të nxitet nga një shfrytëzim më i intensifikuar i kapaciteteve ekzistuese të prodhimit, si dhe nga përshpejtimi i aktivitetit ekonomik gjatë periudhës së parashikuar dhe perceptimi i përmirësuar i biznesit mbi perspektivën ekonomike afatmesme e afatgjatë. Njëkohësisht edhe përmirësimi i kushteve financiare dhe lehtësimit të standardeve të huadhënies priten të jenë një faktor i rëndësishëm incentivues i investimeve private në afatin e mesëm”.

Sipas dokumentit nga pikëpamja e ofertës agregate pritet që të gjithë sektorët kryesorë të vazhdojnë të rriten pak a shumë me të njëjtin trend të mesatares së tyre historike. Megjithatë, për shkak të peshës së tyre ndaj strukturës së ofertës agregate, shërbimet pritet të kontribuojnë më shumë sesa sektorët e tjerë në rritjen e PBB.

“Ky kuadër fiskal synon një deficit fiskal të përgjithshëm prej 2.9 % të PBB-së për 2023, nga 5.4% i programuar për vitin 2022; nivel prej 2.8 % të PBB në 2024 dhe 2025. Njëkohësisht, si rrjedhojë e dy goditjeve të njëpasnjëshme fillimisht nga tërmeti dhe më pas shumë më fort nga pandemia Covid-19, balanca primare pritet të jetë në balancë për vitin 2023, në vlerën 0, me përmirësim të ndjeshëm nga niveli negativ prej 2.7% që pritet për 2022, ndërkohë që targetohet në vijimësi rikthimi në vlera pozitive që prej vitit 2024 me 0.3 % dhe 0.5% në vitin 2025

Projeksionet e borxhit janë për rënie të nivelit prej 74.6% të PBB deri në vitin 2025 nga rreth 80.1 % që pritet të rezultojë në 2021.
Projektbuxheti 2023 parashikonte që në vitin 2022 pritet që borxhi publik të bjerë në rreth 68.8% të PBB nga rreth 73.2% që ishte në vitin 2021 dhe pritet të vijojë të bjerë më tej në rreth 67.5% në vitin 2023.

Balanca primare do të rikthehet në nivel pozitiv (suficit primar) që prej vitit 2023 e në vijim. Ndërkohë që, duke filluar prej vitit buxhetor 2024 e në vijim ky target do të jetë edhe ligjërisht i detyrueshëm, ku në LOB përcaktohet që duke filluar nga viti buxhetor 2024 e për çdo vit në vijim (rregulli origjinal sanksiononte “që prej 2023”, por më pas kjo u ndryshua sërisht në korrik të 2021 dhe u bë “që prej 2024”) balanca primare të rezultojë jo më e vogël se sa zero (pra së paku e balancuar ose pozitive). Sipas skenarit bazë, borxhi publik pritet të bjerë në rreth 64.4% në vitin 2026 dhe më tej në rreth 55%në vitin 2031. /Monitor

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN