MENU
klinika

Analiza

Si do të justifikohet Putini për shkatërrimin e botës ruse?

19.12.2022 - 16:58

Tashmë ka ardhur koha të pyetet nëse Vladimir Putin është apo jo një agjent i “imperializmit amerikan”.

Sepse asnjë amerikan nuk ka kryer ndonjëherë kaq shumë dëme ndaj asaj që Putin e quan “bota ruse”, sa vetë udhëheqësi rus. Ky mendim më erdhi kohët e fundit kur isha për një vizitë në qytetin ukrainas Lviv, duke folur me ukrainasit që janë bërë refugjatë në vendin e tyre si pasojë e luftës së Putinit.

“Unë isha rusishtfolëse deri më 24 shkurt”- më tha Adelin, një studente e artit nga qyteti tashmë i pushtuar nga Rusia, Nova Kakhovka, duke iu referuar datës së pushtimit të plotë të Rusisë në fillim të këtij viti. Rusia ka dështuar të uzurpojë kulturën ukrainase, shton ajo, prandaj tani ka vendosur që ta zhdukë atë.

Disa studentë të tjerë ukrainas më thanë se e gjenin “frymën e lirisë” në letërsinë ukrainase, dhe atë të nënshtrimit ndaj pushtetit në letërsinë ruse. Tatiana, një refugjate nga qyteti i bombarduar dhe i shkatërruar në mënyrën më të pamëshirshme, Mariupol, përjetoi të ftohtin, mungesën e energjisë elektrike apo ujit, e strehuar në një bodrum për shkak të bombardimeve të vazhdueshme.

Ajo pas vdekjes e shoqes së saj të ngushtë nga një raketë ruse, pas së cilës përjetoi një arratisje traumatike nga qyteti. Tatiana flet shumë më mirë në rusisht sesa ukrainisht.

Në fakt nëna e saj është nga Rusia, ashtu si edhe vjehrri i saj. Presidenti rus do ta konsideronte atë ruse.

Prandaj pyeta se çfarë mesazhi ka për Putinin. Ajo m’u përgjigj se do të donte ta vriste atë.

Në çdo bisedë që zhvillova atje, kishte një refuzim total jo vetëm të diktatorit rus, jo vetëm të Federatës Ruse si shtet, por të gjithçkaje dhe pothuajse të gjithë rusëve.

Një sondazh i Institutit Ndërkombëtar të Sociologjisë në Kiev, tregoi se rreth 80 për qind e ukrainasve kishin një qëndrim pozitiv ndaj Rusisë në vitin 2013. Në majin e këtij viti, kjo shifër ishte vetëm 2 për qind. Një pedagog universiteti më tha se studentët e tij e shkruajnë emrin “Rusi” me shkronjë të vogël. “Unë nuk i korrigjoj ato!- thotë ai.

Kjo mund të mos jetë befasuese në Ukrainë, një vend që po vuan pasojat e një lufte të Rusisë, e cila është e drejtuar kryesisht kundër popullsisë civile. Por e njëjta gjë po ndodh në pjesën më të madhe të territorit të ish-perandorisë ruse (dhe më pas sovjetike) – të cilën që nga fillimi i viteve 2000, Moska është përpjekur ta riimagjinojë si “Russkiy Mir”, ose Bota Ruse.

Në Gjeorgji, një pakënaqësi e fortë ndaj Rusisë neo-peramorake është më se e kuptueshme, pasi që nga viti 2008 Rusia ka pushtuar afërsisht 1/5 e territorit sovran të vendit (Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut). Por pas pushtimit të Ukrainës, kjo armiqësi ka përfshirë pothuajse të gjithë rusët.

Ironikisht, kjo ndikon shumë te dhjetëra mijëra rusë që kanë shkuar në Gjeorgji, pikërisht për të shmangur rekrutimin dhe angazhimin në luftën e Putinit kundër Ukrainës. Gjeorgjianët po i pyesin: E përse nuk protestoni në shtëpi? Ose siç thuhej në një slogan “Putini po vret njerëz në Ukrainë, ndërsa rusët hanë khachapuri në Gjeorgji (djathë gjeorgjian).

Një revoltë e ngjashme vihet re edhe te shtetet e Azisë Qendrore që kanë ende lidhje shumë të ngushta me Moskën. Në “YouTube”, mund të shihni një sulm ndaj ambasadorit rus në Kazakistan, Aleksei Borodavkin, të artikuluar në rusisht nga gazetari kazak Arman Shuraev.

“Rusofobia është gjithçka që keni arritur me veprimet tuaja idiote. Nëse Rusia pushton Kazakistanin siç po ndodh me Ukrainën, e gjithë stepa kazake do të mbushet me kufomat e rekrutëve tuaj… Ju jeni idiotë. Ju jeni kanibalë që hani veten.

Nicola Jennings on fears over a Russian invasion of Ukraine – cartoon | Opinion | The Guardian

Nëse doni të shihni nazistët dhe fashistët në Kazakistan, atëherë shihni veten në pasqyrë dhe do të shihni nazistin dhe fashistin më të thekur. Lavdi Ukrainës! Përpara Kazakistan!”- shprehet gazetari duke iu drejtuar drejtpërdrejt ambasadorit rus.

Kur Rusia nisi pushtimin e saj të plotë të Ukrainës më 24 shkurt, gazetarja ukrainase Olga Vorozhbit u përpoq t’i shpjegonte publikut indian se çfarë po ndodhte. “A mund ta imagjinoni Britaninë që pretendon se India është ende pjesë e perandorisë e saj?

Kjo është ajo që po bën tani Rusia”- shkroi ajo në një artikull për “Indian Express”.

Dikush mund ta zgjerojë këtë analogji.

Imagjinoni që një diktaturë revanshiste, militariste britanike të instrumentalizonte konceptin kulturor të një “bote anglishtfolëse” për të justifikuar ripushtimin e saj në Indi. Pikërisht këtë ka bërë Putini.

Koncepti i “Russkiy Mir” u ringjall në fundin e viteve 1990 si një lloj nisme ruse e fuqisë së butë. Madje në vitin 2007, u krijua me dekret presidencial fondacioni “Russkiy Mir”. Ai u prezantua si një homologe rus e Këshillit Britanik apo Institutin Gëte të Gjermanisë.

Por koncepti u përdor më pas nga Putini për të justifikuar luftën e tij rikolonizuese në Ukrainë.

Ai e përmendi shprehimisht këtë term në një fjalim që justifikonte aneksimin e Krimesë në vitin 2014. Rezultati tërësisht i parashikueshëm: neveria kundër luftërave të tij rikolonizuese është shtrirë në të gjithë nocionin më të gjerë të një bote rusishtfolëse.

Natyrisht, një krahasim me botën anglishtfolëse tregon gjithashtu dallime të mëdha. Perandoria e Britanisë ishte e shtrirë jashtë shtetit, Rusia ishte një perandori tokësore rreth e rrotull saj. Ideologjia e një bote ruse, ishte gjithmonë e lidhur ngushtë me projektin perandorak rus, Kishën Ortodokse Ruse (aktualisht e kryesuar nga luftënxitësi kishtar Patriarku Kirill) dhe autokracinë.

Por nëse Britania do të kishte ripushtuar Indinë, Këshilli Britanik nuk do të ishte shumë popullor. Ata që i justifikojnë luftërat e tyre në aspektin kulturor, do ta shohin kulturën e tyre të trajtuar si një armik. Kështu, kultura ruse është një viktimë anësore e kanibalizmit vetëgllabërues të Putinit.

Ka pasur një të ardhme alternative në të cilën kultura rusishtfolëse, ashtu si kultura e sotme anglishtfolëse, mund të ishte pasuruar në mënyrë multikulturore nga autorë dhe artistë nga të gjitha ish-kolonitë e saj. E çfarë do të ishte letërsia bashkëkohore në gjuhën angleze pa autorë nga India, Afrika dhe Oqeania?

Dhe tek e fundit, shkrimtarët e shkëlqyer bashkëkohorë ukrainas si Andrej Kurkov shkruajnë në rusisht. Por ne duhet t’i mbajmë sytë nga tragjedia kryesore. Putin po përpiqet të rimarrë me forcë brutale dhe terror pjesë të perandorisë ruse.

Ai u mburr kohët e fundit se Deti Azov është bërë një det i brendshëm rus, duke shtuar se edhe Pjetri i Madh “u detyrua të luftonte dikur për të pasur qasje në të”.

Rreth 14 milionë ukrainas, 1/3 e popullsisë së vendit, janë të pastrehë. Europa nuk ka parë asgjë të tillë që nga viti 1945. Edhe në Lviv, në perëndimin e largët të Ukrainës, vura re ndërprerje të shpeshta shumorëshe të energjisë elektrike, sepse Rusia ka shkatërruar rreth 50 për qind të infrastrukturës energjetike të vendit.

Për çfarë ka më shumë nevojë Ukraina? Çdo njeri me të cilin fola më dha të njëjtën përgjigje: armë, armë, armë. Na jepni mjetet, thonë ata, dhe ne do ta mbarojmë punën. Dhe kështu duhet të ndodhë.

Në fund, Vladimir Putin do të hyjë në histori jo thjesht si njeriu që nuk arriti të rikrijonte perandorinë ruse, por si shkatërruesi i botës ruse.