Shkodër – 2450 hektarë tokë është e përmbytur në Bashkinë Shkodër, ndërsa 100 banesa kanë prezencë uji në oborre dhe stalla.
Në krahasim me një ditë më parë, sipërfaqja është rritur me 320 hektarë. Kuota e Drinit është 7.00 m, e cila është rritur me 10 cm me orën 16.00 të ditës së enjte kur kuota maksimale është 7.50 m. Kuota Liqen është 8.70, e rritur me 8 cm me orën 16 të ditës së enjte, kur 8.70 m është kuota maksimale.
Ana e Malit ka të përmbytur një sipërfaqe prej 1300 ha. Në rrugën e Obotit niveli është 1.5m, ndërsa kalueshmëria bëhet vetëm me mjetet e larta ushtarake.
Ujësjellësi Oblika është momentalisht jashtë funksionit. Në fshatin Obot ka rreth 90 banesa me prezencë të lartë uji në oborre.
Rruga Darragjat-Shirq është e pakalueshme në vendin e quajtur Urrelat pasi uji arrin në lartësinë 1.5 m, ndërsa sipërfaqe toke e përmbytur në Dajç është 550 hektarë dhe 10 banesa kanë prezencë uji. Në Bërdicë janë 350 hektarë nën ujë, në Gurin e Zi 50 hektarë dhe Velipojë 200 hektarë. Në rrugën Mes-Prekal në pothuajse gjithë gjatësinë e saj ka rrëshqitje dherash dhe gurësh.
Lezhë – 340 hektarë tokë është e përmbytur në qarkun Lezhë.
Në qarkun e Lezhës nuk ka pasur reshje shiu gjatë 24 orëve të fundit, kurse kuota e lumit Drin është 1.0 m nga +2.0 m kuota kritike. Hidrovori i Balldrenit punon në kuotën -1.35 m, ndërsa ka rreth 270 hektarë tokë të përmbytura. Hidrovori Tale punon në kuotën -1.2 m dhe ka rreth 20 hektarë tokë të përmbytur në kënetën Tresh-Spiten.
Në Bashkinë Kurbin:
Hidrovori Shllinza është në kuotën- 1,05 m. Në fushë e Gjonëmit, ish kënetë ka rreth 50 hektarë tokë të përmbytur.
Lumi Gjader është në kuotën normale , ndërsa ka rënie kuotash dhe në lumin Mat. Të gjithë hidrovorët janë në gjendje pune dhe të mirë teknike ndërsa nuk ka probleme të furnizimit me energji elektrike.