MENU
klinika

Çfarë do të ndodhë në rast të një skenari më të keq përmbytjesh?

Peleshi nga Oboti: Nuk e besojmë! Ja sa trupa janë të angazhuar nga FA

09.01.2021 - 12:15

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ishte sot i pranishëm në zonën e Obotit, që është ndër më të prekurat nga përmbytjet që kanë përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit. Duke folur para gazetarëve ai është shprehur se situata është përmirësuar në Lezhë dhe e njëjta gjë pritet edhe në Shkodër, duke theksuar se pritet të evitohen përmbytjet në Fushën e Bushatit.

“Kam marrë një informacion që këtu në Obot, njësia Administrative Ana e Malit, për sa i përket sipërfaqes, nuk kemi tërheqje të ujërave sepse e tillë është natyra, jemi në një sipërfaqe nën nivel, por është pozitive që kemi një ulje të lehtë të nivelit disa centimetra dhe era që po fryn po e përshpejton çuarjen e ujërave drejt detit. Kemi gjithashtu një pozitivitet tjetër për sa i përket reshjeve, siç e shikoni nuk ka reshje në gjithë vendin, kjo ka bërë që situate në Lezhe të jetë shumë e përmirësuar, por këtu do të shkojë disi më ngadalë drejt përmirësimit. E rëndësishme është të mos kemi përmbytje në Fushën e Bushatit dhe gjasat janë që do të arrijmë ta evitojmë. Pavarësisht se reshjet do të shtohen sot dhe sidomos pasnesër në datën 11, por po bëhet një menaxhim shumë i mirë i kaskadës”, tha Peleshi.

“Sot kam komunikuar edhe me drejtorin e KESH, dje edhe me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë kemi pasur një komunikim intensive po menaxhohet mirë kaskada. Fierza po punon për të mbyllur dhe ka Akoma rreth 10 metra rezervë për tu mbushur. Nuk besojmë se do arrijmë në pika kritike deri kur do të jetë intensiteti normal i reshjeve. Edhe në Vaun e Dejës ka shkarkime normale, shpresojmë që nuk do të përkeqësohet situate. Sa i takon njeriut, jemi të gjithë në gatishmëri”, shton ministri i Mbrojtjes.

Peleshi u shpreh se janë mbi 1200 trupa speciale të angazhuara nga FA, dhe 1500 në nivel kombëtar. Ministri i Mbrojtjes theksoi se nuk beson dhe nuk uron të ndodhë skenari më i keq. 

I pyetur nëse Ministria e Mbrojtjes ka bazë materiale dhe mjete për të garantuar evakuimin Peleshi deklaron: “Patjetër. Dje kemi pasur dy-tre ngjarje evakuimi në Lezhë. Një në qytet dhe dy në zonat e përmbytura, zonë rurale. Edhe në Shkodër kemi patur disa evakuime. Kemi 260 trupa speciale vetëm nga FA, të specializuar në gatishmëri. Kemi mbi 1200 trupa të angazhuara. Kemi rritur gatishmërinë, kemi kaluar një nivel më lartë, pra kemi dyfishuar gatishmërinë që para 3 ditësh, gjithashtu në rast se flasim në nivel kombëtarë të gjitha bashkitë kanë angazhuar dhe mobilizuar 1500 trupa të gatshëm. Kuptohet këto shifra janë për një skenar që jo vetëm nuk e urojmë, por nuk e besojmë se do të ndodh”, tha ai.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN