MENU
klinika

Pas eliminimit nga Maroku

Spanja merr vendimin për trajnerin Luis Enrique

08.12.2022 - 14:03

Ishte e pritshme mënjëherë pas eliminimit nga Maroku. Luis Enrique nuk është më trajneri i kombëtares spanjolle. Kontrata i përfundonte pas përfundimit të Botërorit të Katarit dhe federata spanjolle ka zgjedhur të mos rinovojnë bashkëpunimin pas dështimit të iberikëve në Kupën e Botës Katar 2022.

Spanja fitoi vetëm një nga katër ndeshjet e zhvilluara dhe u eliminua me penallti nga Maroku në raundin me elimin direkt. Ishte vetë Federata Spanjolle e Futbollit që lajmëroi largimin e trajnerit 52-vjeçar. “Federata falënderon Luis Enriquen për punën e zhvilluar në drejtimin e kombëtares spanjolle”, shkruan federata spanjolle në njoftimin zyrtar.

Enrique qëndronte në stolin e Spanjës prej korrikut të vitit 2018, por u shkëput në periudhën mars-nëntor 2019 si pasojë e ndarjes nga jeta të vajzës së tij.

Menjëherë federata spanjolle lajmëroi edhe pasuesin e Enriques, i cili është Luis De La Fuente, 61-vjeçari që ka drejtuar kombëtaren iberike U-21 prej vitit 2018. Në fakt, ishte kandidati kryesor që pas zërave të largimit të Enriques dhe tashmë nuk ka dilema. Ndeshja e parë e Fuentes do të jetë në mars në eliminatoren e Evropianit kundër Norvegjisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN