Pas takimit që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pati me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u tha se “është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe në rajon”, por nuk u dhanë më shumë detaje.
Në njoftimin për media të presidencës, thuhet se Osmani ka theksuar nevojën urgjente të heqjes së barrikadave në veri të vendit.
Një ditë më herët, Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësim të thellë për situatën aktuale në veri të Kosovës dhe bënë thirrje për çmontimin e menjëhershëm të barrikadave të ngritura në veri të Kosovës nga serbët lokalë.
Bashkë me Esobarin në Kosovë ishte paraparë që të vinte edhe këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili anuloi vizitën në disa shtete të Ballkanit dhe në Bruksel, pasi doli pozitiv me sëmundjen COVID-19.
Vizita vjen në kohën kur situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është e tensionuar.
Barrikadat e ngritura më më 10 dhjetor, bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Ky veprim i serbëve lokalë erdhi pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-zyrtarin serb të këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës. Ndaj u caktua një muaj paraburgim
Të dielen, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pret që KFOR-i t’i largojë barrikadat nga veriu./REL