Pak ditë më parë u dha një alarm i madh se janë mbi 200 fëmijë të zhdukur nga qendrat e azilkërkimit.
Autoritetet e madje një nga ministrat e qeverisë së Rishi Sunak bëri me dije publikisht se 88 për qind e këtyre fëmijëve janë shtetas nga Shqipëria, duke vijuar kështu kthimin e vëmendjes vetëm të shqiptarët që kanë mbërritur në tokën e tyre. Laburistët në Britani thonë se të rinjtë, pasi vijnë në mënyrë ilegale përmes kanalit, trafikohen në ferma kanabisi ose në prostitucion. Sekretarja e Brendshme në hije, Yvette Cooper, tha se ekziston një “model” i azilkërkuesve të rinj që trafikohen në Britani.
Ajo tha se me shumë mundësi janë të njëjtat banda që i sjellin dhe më pas i marrin nga hotelet e Home Office. Por zyra e Home Office kundërshton çdo sugjerim se fëmijët po rrëmbehen dhe tha se “mirëqenia e fëmijëve dhe të miturve nën kujdesin tonë është një përparësi absolute”. Kjo vjen pasi ministri i Emigracionit, Robert Jenrick, u tha deputetëve në Dhomën e Komunave të martën se më shumë se 4,600 fëmijë të pashoqëruar janë akomoduar në hotele që nga korriku 2021 dhe se “200 fëmijë mbeten të zhdukur, 13 prej të cilëve janë nën 16 vjeç dhe vetëm njëra, prej të cilave është femër”.
Ai tha se 88% (176) e fëmijëve azilkërkues të pashoqëruar ende të zhdukur janë shtetas shqiptarë. Zbulimi ka nxitur organizatat kryesore bamirëse të kërkojnë një hetim të pavarur për atë që Enver Solomon, shefi ekzekutiv i Këshillit të Refugjatëve, e quajti “skandal për mbrojtjen e fëmijëve”. Cooper tha për BBC të enjten: “Ne kemi parë raportet e fëmijëve të zhdukur nga hotelet e azilit në Sussex. Këtu ka një model, por askush nuk po e heton siç duhet. Nuk ka asnjë njësi të synuar që shkon pas tyre dhe thotë ‘Shiko, ky është një model’, ku të rinjtë po trafikohen nëpër Kanal dhe më pas në fermat e kanabisit ose në prostitucion”.
ARRESTIMI I TRAFIKANTIT
Autoritetet britanike kanë arrestuar një person, si pjesë e një bande kriminale që akuzohet për trafikim të qytetarëve shqiptarë. Mediat raportojnë se operacioni është zhvilluar pas një urdhri të dhënë nga Home Office, si pjesë e hetimit për të goditur kontrabandën e njerëzve, përfshi këtu shqiptarët. I arrestuari, emri i të cilit ende nuk bëhet publik, është rreth 40 vjeç dhe dyshohet se ka ndihmuar në emigracionin e paligjshëm të shqiptarëve.
Robert Jenrick, ministri i Emigracionit, tha se “arrestimi i sotëm në mëngjes është një dëshmi e mëtejshme e vendosmërisë sonë të palëkundur për të çmontuar bandat kriminale që përfitojnë nga kontrabandimi i njerëzve në vendin tonë. Sekretari i Brendshëm dhe unë dëshirojmë të nderojmë ekipet tona të përkushtuara që punojnë pa pushim për të prishur këto rrjete dhe për t’i sjellë ato para drejtësisë”. “Kontrabandistët e njerëzve dhe ata që mendojnë të abuzojnë me ligjet tona të imigracionit nuk duhet të kenë asnjë dyshim se ne nuk do të ndalemi para asgjëje për t’u siguruar që ata të përballen me fuqinë e plotë të ligjit”, tha ministri.
Po ditën e djeshme, mediat vendase kanë bërë me dije se trafikantët shqiptarë vijojnë të bëjnë reklama nëpër rrjetet sociale të rrugëve që do të ndërmarrin në vazhdim. Sipas të dhënave saktësohet se në postimet e tyre bëhet me dije se policia britanike do të kthejë 50 veta, ndërsa ata do të dërgojnë në Angli 500 persona. Madje, ata ne reklamimin e nisjeve kanë treguar se do të ulin edhe shifrat e transportit, duke iu bërë sfide të drejtpërdrejtë autoriteteve vendase dhe atyre franceze.