MENU
klinika

Arsyet

Ja pse video-lojërat ju bëjnë më të zgjuar

06.01.2023 - 08:57

Video-lojërat nuk ju “trashin” trurin siç mund të mendohet rëndom. Në fakt, sipas një studimi të paprecedentë 2-vjeçar të botuar në fillim të këtij viti, ato mund të forcojnë aftësitë tuaja njohëse. Video-lojërat nuk janë parë me sy të mirë në shumë aspekte përgjatë shumë viteve.

Nga ana e ekspertëve janë shprehur shqetësime se ata na bëjnë të izoluar dhe antisocialë, dhe nga ana tjetër e dëmtojnë mirëqenien tonë mendore. Po ashtu ka pasur shqetësime se disa video-lojëra na bëjnë më të dhunshëm, duke e dëmtuar kësisoj edhe mirëqenien tonë fizike.

Ndërsa shkencëtarët janë bërë më të aftë në hulumtimin e këtyre temave, provat më të mira kanë filluar të zbulojnë se këto lloj shqetësimesh janë kryesisht të pabaza. E megjithatë, ekziston ende një ide e rrënjosur thellë se video-lojërat e degradojnë trurin.

Po ashtu ato cilësohen shpesh si një humbje joproduktive e kohës, që zëvendëson aktivitetet e tjera më kuptimplota. Por në realitet, a ndodh e kundërta? A mund të na bëjnë video-lojërat më të zgjuar? Për vite me radhë, video-lojërat dhe aplikacionet e “trajnimit të trurit” janë shpallur si një mënyrë e lehtë dhe efektive për të rritur aftësitë tona njohëse.

Ideja që qëndron pas këtyre programeve, është që duke zgjidhur një seri enigmash, të cilat fokusohen në aspekte të tilla si kujtesa apo orientimi hapësinor, aftësitë tona në këto fusha do të përmirësohen me kalimin e kohës. Dhe në teori mendohet se në këtë mënyrë do të përmirësohet edhe inteligjenca jonë e përgjithshme.

Nga këndvështrimi i ekspertëve, çështja kryesore ka qenë të zbulohet nëse luajtja me këto lojëra shkakton efekte “transferimi”, pra nëse përmirësimi i aftësive tuaja në një lojë të caktuar të kujtesës, sjell përmirësime të aftësive njohëse më të gjera.

Më konkretisht, shkencëtarët janë përpjekur të bëjnë një dallim midis efekteve të transferimit “afër” dhe “larg”. Efektet e afërta lidhen me faktin nëse luajtja e një video-loje që nxit kujtesën sjell përmirësime në lojërat e tjera të kujtesës. Ndërsa efektet e largëta lidhen me faktin nëse luajtja e asaj loje sjell në fund një përmirësim të përgjithshëm të aftësive njohëse apo inteligjencës.

Ndërsa disa studime kanë treguar se lojërat e trajnimit të trurit sjellin efekte të shpejta, këto janë përgjithësisht të dobëta, në një kohë që studime të tjera nuk arrijnë të gjejnë të njëjtin rezultat. Dhe sa u përket efekteve të largëta, nuk ka asnjë provë bindëse se kjo gjë ndodh realisht.

Megjithatë, një studim ka krahasuar lojërat e trajnimit të trurit me video-lojërat e zakonshme, dhe këtu gjërat bëhen interesante. Në një studim të vitit 2015, që krahasoi lojën e trajnimit të trurit “Lumosity” me lojën e enigmave “Portal 2”, studiuesit zbuluan se lojtarët e “Lumosity” nuk treguan rritje të aftësisë për zgjidhjen e problemeve dhe ato hapësinore, ndërsa lojtarët e “Portal 2” e shfaqën diçka të tillë.

Krahas linjave të ngjashme, një studim me afro 45.000 pjesëmarrës të publikuar në vitin 2019, tregoi se ndërsa kishte përfitime të vogla të aftësive njohëse nga luajtja e lojërave të trajnimit të trurit, ato ishin të papërfillshme në krahasim me efektet pozitive të video-lojërave në përgjithësi.

Më së afërmi në kohë, në vitin 2020, studiuesit e Institutin Karolinska në Suedi, analizuan të dhënat nga rreth 9.000 fëmijë amerikanë, dhe zbuluan se fëmijët e moshës 9 ose 10 vjeç që luanin video-lojëra për një kohë mbi mesataren, nuk shfaqnin ndonjë ndryshim në nivelin e inteligjencës krahasuar me ata që luanin më pak.

Të njëjtët studiues analizuan 2 vite më vonë 5000 prej atyre fëmijëve, dhe zbuluan se në moshën 12-vjeçare, fëmijët që luanin video-lojëra kishin 2.5 pikë më shumë se mesatarja në testin e inteligjencës (IQ). Diku tjetër, studimet te popullatat e moshuara kanë sugjeruar se luajtja me video-lojëra sjell përfitime të ngjashme.

Për shembull, një studim po i vitit 2020 me të rritur të moshës 60-80 vjeç tregoi se luajtja e video-lojërave si Angry Birds ose Super Mario 3D World, solli përmirësime të kujtesës gjatë një periudhe kohore prej 4 javësh. Nëse ka një konsensus se aplikacionet edukative dhe rekreative sjellin përmirësime të dukshme të aftësitë njohëse, ka një debat mbi dobinë e video-lojërave.

Ai bazohet kryesisht me sasinë e kohës së shpenzuar: ndërsa aplikacionet e trajnimit të trurit priren të ofrojnë minilojëra për një kohë të shkurtër, video-lojërat të mbajnë mbërthyer për një kohë të gjatë dhe shpeshherë kërkojnë një vëmendje të vazhdueshme ndaj zgjidhjes së problemeve.

Për më tepër, pavarësisht disa gjetjeve premtuese, ekspertët janë ende shumë të paqartë nëse aktualisht ka prova të mjaftueshme bindëse për të mbështetur pretendimin se video-lojërat na bëjnë më të zgjuar. Ndërkohë, ne ndoshta mund të lëmë pas shqetësimet e vjetruara që na thonë se video-lojërat janë të dëmshme.

Shënim: Dr.Pete Etchells, profesor i psikologjisë në Universitetin Bath, Britani e Madhe.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mbi 200 divorce si pasojë e video-lojërave

Fortnite, shkak për 5% të divorceve në Britani