Që kur dështoi që në ditët e para të luftës përpjekja e Rusisë për të pushtuar Kievin dhe për të vendosur atje një qeveri kukull, disfata e Kremlinit në Ukrainë është dukur gjithnjë e më e mundshme. Prandaj ajo që bën jo pak përshtypje pas gati 1 viti luftë, është mungesa pothuajse totale e çdo lloj diskutimi midis politikanëve, politikë-bërësve, analistëve dhe gazetarëve në lidhje me pasojat e disfatës për Rusinë.
Duke pasur parasysh potencialin për kolapsin dhe shpërbërjen e Rusisë, unë gjykoj se kemi të bëjmë me një mungesë të rrezikshme të imagjinatës. Në fakt, kombinimi i një lufte të dështuar jashtë vendit dhe një sistem i brishtë dhe shumë i tendosur në vend, po e rrit mundësinë e një lloj shpërthimi çdo ditë që kalon.
Pavarësisht nëse kjo do të jetë diçka e mirë apo e keqe për Perëndimin, është një rezultat për të cilin politikë-bërësit duhet të përgatiten. Ka skenarë të ndryshëm mbi atë që mund të ndodhë në Rusi teksa humbja në Ukrainë do të bëhet edhe më e qartë sesa sot.
Me shumë mundësi do të ndodhë largimi nga detyra i presidentit rus Vladimir Putin, i pasuar nga një luftë e egër për pushtet midis nacionalistëve të krahut të së djathtës ekstreme që do të duan vazhdimin e luftës dhe shkatërrimin e hierarkisë politike ekzistuese, konservatorëve autoritarë që kanë interes tek sistemi aktual dhe një lëvizje gjysmë-demokratike e ringjallur e angazhuar që synon t’i japë fund luftës dhe reformojë Rusinë.
Ne nuk e dimë se kush do të fitojë, por mund të parashikojmë me vetëbesim se lufta për pushtet do ta dobësojë regjimin dhe do ta shpërqendrojë Rusinë nga ajo që ka mbetur nga fushata e saj luftarake. Nga ana tjetër, një regjim i dobësuar, me një ekonomi që funksionon keq, do të ftojë rusët e pakënaqur që të dalin të protestojnë rrugëve, ndoshta edhe me armë, dhe të inkurajojë disa nga njësitë politike jo-ruse që përbëjnë Federatën Ruse, të zgjedhin një vetëqeverisje më të madhe.
Kandidatët kryesorë përfshijnë Tatarstanin, Bashkortostanin, Çeçeninë, Dagestanin dhe Sakhanë. Nëse Rusia i mbijeton kësaj trazire, ajo ka të ngjarë të shndërrohet në një shtet të dobët klient të Kinës. Në të kundërt, harta e Euroazisë mund të duket shumë ndryshe.
Duke pasur parasysh hapësirën e madhe gjeografike të Rusisë, historinë e gjatë të rajoneve të trazuara dhe etnitë e mëdha jo-ruse – që të gjitha si rezultat i pushtimit perandorak shekullor – i vetmi skenar që meriton shumë më tepër vëmendje është shpërbërja e kontrollit të centralizuar dhe ajo e federatës.
Ka një histori të pasur të kolapsit të shteteve pas luftërave, revolucioneve, prishjeve të sistemit, krizave ekonomike dhe ngjarjeve të tjera epokale. Perandoria e Napoleonit u shemb pas marshimit të tij katastrofik në Moskë dhe humbjes që pasoi në Betejën e Lajpcigut.
Në vitin 1918, perandoritë osmane, austro-hungareze, gjermane dhe ruse u shembën që të gjitha pas disfatave ushtarake. Sigurisht, njerëzit, vendimet dhe politikat luajtën një rol, por në fund ishin lufta dhe krizat ekonomike dhe sociale, ato që i shtynë këto shtete në kaos politik dhe shpeshherë në dhunë.
Perëndimi duhet të shmangë përsëritjen e gabimeve të së kaluarës, si për shembull përpjekja për të ndihmuar një Bashkim Sovjetik që ishte në grahmat e fundit, duke i dhënë përparësi nevojave të Rusisë mbi ato të fqinjëve të saj. Po ashtu kini parasysh shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, një rezultat që shumë pak rusë e donin apo imagjinonin kur Mikail Gorbaçov mori pushtetin si udhëheqës i Partisë Komuniste Sovjetike në vitin 1985.
Që në fillim të vitit 1991, shumica e qytetarëve sovjetikë votuan në një referendum në shumicë pro ruajtjes së vendit të tyre. Është e vërtetë, që të gjitha republikat, përfshirë Rusinë, e shpallën sovranitetin e tyre në vitin 1990 dhe të gjitha përveç Rusisë, shpallën pavarësinë e plotë pas grushtit të dështuar të fanatikëve të regjimit në vitin 1991.
Por sistemi u shemb kryesisht sepse Gorbaçovi vendosi të ripërtërinte Bashkimin Sovjetik duke shpërbërë tiparet kryesore të tij, totalitarizmin dhe planifikimin qendror, duke vënë në lëvizje forcat politike, sociale dhe ekonomike, të cilat në fund e detyruan shumicën e republikave të kërkonin strehë nga kaosi tek autonomia dhe pavarësia.
Ishte Perestrojka e Gorbaçovit, dhe synimi i tij për ristrukturimin ekonomik dhe politik, ajo që e vrau pa dashje Bashkimin Sovjetik. Në rast se Rusia e sotme ndjek hapat e këtyre vendeve në kolaps, kjo do të ketë pak të bëjë me vullnetin e elitës ruse apo politikat perëndimore.
Në lëvizje janë forca më të mëdha strukturore. Rusia e Putinit vuan nga një mori tensionesh reciprokisht përforcuese, të cilat kanë prodhuar një shtet që është shumë më i brishtë sesa mburret ai vetë. Ato përfshijnë disfatën ushtarake, morale dhe ekonomike në luftën e Ukrainës, por edhe brishtësinë dhe jo efektivitetin e sistemit politik të hiper-centralizuar të Putinit; kolapsin e kultit të tij të personalitetit, sëmundjen dhe moshën e thyer; keq-menaxhimin e madh të ekonomisë ruse; korrupsionin e shfrenuar që depërton në të gjitha nivelet e shoqërisë; dhe ndarjet e mëdha etnike dhe rajonale në perandorinë e fundit të pa rindërtuar të botës.
Në kushtet aktuale, mund të duhet vetëm një shkas për ta zhytur sistemin në kolaps. Lufta e dështuar kundër Ukrainës, e cila ka nxjerrë në pah dobësinë e Putinit dhe shtetit të tij, mund të jetë fare mirë shkëndija që pritet. Natyrisht, shkëndijat janë të paparashikueshme dhe Rusia mund ta përballojë krizën aktuale dhe të mbijetojë në formën e saj aktuale, qoftë nën Putinin apo nën një pasardhës.
Por edhe nëse do të ndodhë kështu, do të dobësohet shumë rëndë si shtet dhe do të mbeten të gjitha tensionet strukturore. Madje Putin ka nisur të dyshojë për këtë. Në fjalimin e tij të Vitit të Ri 2023, ai përmendi hapur kërcënimin e mundshëm të luftës për pavarësi nga Rusia, diçka që nuk e kishte thënë më parë.
Por nëse shfaqet shkëndija, a do të ishte një kolaps i mundshëm rus destabilizues dhe i dhunshëm, duke përfshirë ndoshta luftën civile? Kështu mendon historiania Marlen Laruel, drejtoresha e Institutit për Studime Evropiane, Ruse dhe Euroaziatike në Universitetin Xhorxh Uashington.
“Një kolaps do të gjeneronte disa luftëra civile, pasi shtetet e reja do të luftonin me njëri-tjetrin për kufijtë dhe asetet ekonomike. Ndërkohë, elitat në Moskës do të reagonin me dhunë ndaj çdo lëvizjeje separatiste”- thotë ajo. Edhe ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Henri Kisinger, ka argumentuar se “shpërbërja e Rusisë ose shkatërrimi i aftësisë së saj për politikë strategjike mund ta kthejë territorin e saj në një vakum të kontestuar”.
Grupet ruse mund të kthehen kundër njëri-tjetrit dhe të përdorin dhunë, ndërsa fuqitë e jashtme mund të përdorin forcën për të zgjeruar pretendimet e tyre. “Të gjitha këto rreziqe do të shtoheshin nga prania e mijëra armëve bërthamore”- shkruan Kisinger.
Sipas tij mënyra më e mirë e veprimit, do të ishte shmangia e bërjes së Rusisë “të pafuqishme nga lufta”, dhe përfshirjen e saj në një “proces paqeje”. Por profecitë e Laruel dhe Kisinger janë skenarët më të këqij që duhet të merren me shumë rezerva.
Historia na tregon se ndërsa kolapsi i perandorive është shpesh kaotik për vendet që shemben, rezultati nuk është gjithmonë tragjik për fqinjët e tyre apo për pjesën tjetër të botës. Vdekja e Napoleonit çoi në një epokë paqeje relative në Evropë. Shpërbërja e Austro-Hungarisë shkaktoi disa luftime në fillim, përfshirë ato midis polakëve dhe ukrainasve, por kushtet u stabilizuan pas disa vitesh.
Edhe kolapsi i BRSS ishte tejet paqësor, dhe me shumë mundësi sepse ish-republikat sovjetike të reja të pavarura dhe vendet satelitore evropiane rishtas sovrane, të gjitha kishin njohur kufij, administrata funksionale dhe elitat e tyre ishin të gatshme të ndërtonin shtete.
Ndërkohë rënia e Perandorisë Osmane çoi në luftime të tmerrshme midis turqve dhe grekëve; rënia e Perandorisë Ruse shkaktoi konflikt nga Deti Baltik në Oqeanin Paqësor; dhe rënia e Perandorisë Gjermane në vitin 1918 çoi në Luftën e Dytë Botërore. Cila nga këto trajektore mund të zbatohej nëse Rusia do të shembet? Askush nuk e di me saktësi dhe historia e perandorive tregon të mundshme janë si tranzicionet relativisht paqësore po ashtu edhe revolucionet e dhunshme.