MENU
klinika

Analiza

Pas 20 vitesh me në krye Erdoganin, Turqia sot është e ndarë

07.01.2023 - 09:00

Gjatë dy dekadave të fundit, Rexhep Tajip Erdogan është shfaqur si ‘mjeshtër i padiskutueshëm’ i politikës turke.

I zgjedhur kryeministër në vitin 2003, më pas president në 2014, ai po përgatitet për një rikandidim në 2023.

I lindur në Stamboll në një familje nga Deti i Zi dhe me ëndrrat për t’u bërë një futbollist profesionist në rininë e tij, Erdogan u pëlqye shumë  për ata që ndonjëherë quhen “turqit e zinj”: votues konservatorë, shpesh fetarë dhe të paarsimuar, të cilët ishin ndjerë prej kohësh të braktisur nga qeveritë e mëparshme laike dhe me prirje perëndimore.

Gjatë 20 viteve të fundit, Erdogan dhe Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) i vendosën ata në karriget drejtuese të vendit.

Vitet e tij të hershme shënuan një nga periudhat më të rëndësishme të historisë moderne turke: hapja e ekonomisë për të tërhequr kapitalin e huaj; mbajtja e negociatave të drejtpërdrejta me PKK-në kurde (që nga viti 1984, një luftë civile kishte vrarë dhjetëra mijëra vetë); dhe lejimin e grave të mbuluara në universitet, ushtri dhe shërbimin civil.

Ish-militanti islamik lejoi parada vjetore të Krenarisë së homoseksualëve deri në vitin 2014, kur afro një milion adhurues mbushën rrugët e Stambollit. Vendi i tij ishte i pari që ratifikoi Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave (joformalisht e njohur si Konventa e Stambollit).

Por në maj 2013, protestat kundër një plani për të ndërtuar një qendër tregtare në parkun Gezi në Stamboll shënuan një pikë kthese, me dhunën e policisë.

Menjëherë pas kësaj, shfaqja e grupeve kurde pranë PKK-së në konfliktin sirian kontribuoi në prishjen e negociatave me grupin terrorist në Turqi.

Në vitin 2015, qeveria nisi një fushatë bombardimi në juglindje të vendit.

Në korrik 2016, pas një grusht shteti të dështuar, Erdogan shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Në muajt që pasuan, dhjetëra mijëra njerëz u arrestuan dhe ushtria u spastrua. Zyrtarisht, ata u akuzuan për mbështetje të Fethullah Gylenit, një ish-aleat i kreut të shtetit. Në realitet, të gjithë ata që denoncuan politikat e qeverisë – veçanërisht në lidhje me të drejtat e njeriut – ishin në shënjestër.

Në korrik 2021, Erdogan e tërhoqi Turqinë nga Konventa e Stambollit.

Për bazën elektorale të presidentit, këto ngjarje konsiderohen si të largëta që nuk kanë asnjë ndikim në jetën e tyre të përditshme. Mehmet Aliu, pronar i një qebaptoreje, është njëri prej tyre. “Para Erdoganit, kur të hapja biznesin tim të parë, duhej të jepje bakshish për nëpunësit civilë, por unë nuk e dija. Ishte një kolegu im që më tha se futeshin në kartëmonedha midis faqeve të një fletoreje. Por sapo AKP-ja erdhi në pushtet, kur u përpoqa të dorëzoja përsëri para, më bënë kontroll dhe u skuqa nga turpi”.

Ashtu si ai, pronarët e bizneseve turq shpesh thonë se pasuria e tyre është përmirësuar këto 20 vitet e fundit dhe ndaj qëndrojnë besnikë ndaj presidentit.

Për të vërtetuar këtë raport, ne donim të flisnim me ndonjë familje ku prindërit mbështesin Erdoganin, por fëmijët jo. Pas disa muajsh kërkimesh, Mehmet Aliu na hapi dyert “për t’i shpjeguar botës dashurinë e tij për presidentin. Fëmijët e tij nuk janë aq të bindur, por shmangin përballjen e drejtpërdrejtë me babain e tyre në kamera.

Në zgjedhjet që janë planifikuar të zhvillohen këtë vit, 6 milionë votues të rinj do të votojnë për herë të parë.

Të gjithë kanë lindur pas ardhjes së Erdoganit në pushtet.

Edhe pse disa votues përfituan nga vitet e Erdoganit, të tjerë, si Erdem, humbën.

Ish-gazetari u dërgua në burg për publikimin e “sekreteve shtetërore” në një artikull të vitit 2015. Sot ai është kryetar opozitar i një qarku të Stambollit. Partia e tij, CHP, grupi laik i themeluar nga Mustafa Kemal Atatürk, fitoi zgjedhjet komunale në të gjitha qytetet më të mëdha të vendit në vitin 2019.

Duke formuar një koalicion me pesë parti të tjera opozitare, ajo shpreson t’i japë fund epokës së Erdoganit në zgjedhjet e planifikuara për në qershor 2023.

Burimi: France24

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nëse fiton në zgjedhjet e vitit 2023, atëherë...

A e ka arritur Erdogan të ndërtojë “Turqinë e Re”?