MENU
klinika

Shmangini...

Pesë zakonet që i shkaktojnë më shumë dëme trurit tuaj

09.01.2023 - 12:18

Muajt e punës nga distanca për shkak të pandemisë, teleshëndetësia, porositja e ushqimeve “online” dhe blerjet e tjera në internet e kanë ndryshuar shumë nga ne, por jo domosdoshmërisht për mirë. Tani studimet po tregojnë se disa vite pasi COVID-19 u bë fjalë e zakonshme, ne kemi më pak gjasa të kërkojmë shoqërinë e njerëzve të tjerë, të ushtrohemi fizikisht rregullisht, të hamë perime, të flemë mjaftueshëm apo të kemi një jetë jashtë punës. Dhe ja se si e gjithë kjo ndikon mbi trurin tuaj.

1. Dështimi për t’u socializuar me njerëz të tjerë

Shumë kohë përpara shfaqjes së COVID-19, studiuesit e dinin se izolimi social e shton rrezikun e inflamacionit në të gjithë trupin, si dhe të sëmundjes së demencës. Xhejms Xhordano, profesor i neurologjisë dhe biokimisë në Qendrën Pelegrino të Universitetit Xhorxhtaun, thotë se për këtë duhet të falënderojmë evolucionin.

Kur flitet për mbijetesën, njerëzit nuk performojnë më mirë se speciet e tjera në një sërë aftësish. Kjo përfshin vrapimin, ngjitjen, notin, shikimin gjatë natës, luftimin dhe shqyerjen e presë me nofullat tona. “Për pjesën më të madhe të historisë sonë ne kemi qenë më shumë pre të të tjerëve sesa grabitqarë”- thotë ai.

Po si arritëm krijesa të tilla të dobëta ta dominojnë planetin? Pjesërisht sepse ne kemi gishtat e mëdhenj, gjë që na lejon të prodhojmë vegla. Gjithashtu, truri ynë evoluoi për të mundësuar lidhjen sociale dhe kjo na ka ndihmuar të punojmë së bashku, thotë Xhordano.

Pas miliona viteve evolucion, nevoja për ndërveprim social është sot e domosdoshme. Prandaj rikthejuni të gjitha lidhjeve sociale që keni pasur. Ato mund të jenë shumë mbrojtëse. Nëse jeni një profesionist që punoni nga distanca, mundohuni të kaloni një pjesë të ditës suaj të punës në një kafene ose librari, ku mund të shihni, dëgjoni dhe ndërveproni rastësisht me njerëzit e tjerë.

2. Fiksimi i madh pas punës

Pesë zakonet që i shkaktojnë më shumë dëme trurit

Me rritjen e punës në distancë dhe zhvillimin e teknologjisë, po bëhet gjithnjë e më e vështirë të ndash “kohën e punës” nga “koha e lirë”. Kur u përgjigjemi mesazheve në rrjetet sociale dhe email-eve kur teknikisht jemi jashtë orës, ndodh shpesh që nuk relaksohemi 100 për qind. Pra nuk e shijojmë kohën e lirë.

Për të analizuar nëse mungesa e ndarjes së punës nga koha e lirë po ndikon mbi përqendrimin dhe humorin tuaj, merrni parasysh këto pyetje: A ndiheni të kënaqur dhe të relaksuar kur jeni me pushime, kur po shihni një film në kinema, kur keni dalë jashtë me miqtë, apo kur jeni në shtëpi me familjen?

Nëse përgjigjja është “jo”, ka të ngjarë që mendësia juaj “gjithmonë në punë” t’iu shkaktojë dëme psikologjike serioze. Kjo është njëlloj si të lini ndezur dritat kur makina juaj nuk është e ndezur. Kjo gjë e shkarkon “baterinë” tuaj mendore. Për t’u çliruar nga ky mentalitet, merrni parasysh mënyrat se si mund të ndani “punën” nga “koha e lirë në shtëpi”.

Nëse punoni nga distanca, ndoshta kufizojeni punën tuaj në një zonë të shtëpisë tuaj. Ndoshta një dhomë gjumi rezervë apo në kuzhinë. Atëherë mund të bëni një rregull: Nëse trupi juaj nuk është fizikisht në atë zonë, dhe as mendja juaj, atëherë ju jeni jashtë punës.

3. Konsumimi i më shumë ëmbëlsirave dhe më pak perimeve

Pesë zakonet që i shkaktojnë më shumë dëme trurit

Sipas një rishikimi të 23 studimeve gjatë vitit 2021, botuar në Gazetën Ndërkombëtare të Kërkimeve Mjedisore dhe Politikave Publike, shumë nga ne konsumojnë më shumë ushqime ultra të përpunuara dhe më pak fruta, perime dhe ushqime të tjera të plota sesa para pandemisë.

Kjo mund të rrisë nivelet e inflamacionit, veçanërisht në zorrë, e cila nga ana tjetër ndikon te truri thotë Xhordano.

Kur studiuesit e Universitetit të Harvardit studiuan dietën dhe shëndetin e trurit, ata zbuluan se një version i modifikuar i dietës mesdhetare, ndihmoi në mbrojtjen e trurit nga plakja.“Dietat me një prirje të fortë antioksidueshëm janë të rëndësishme për të reduktuar nivelin e përgjithshëm të inflamacionit dhe efektin e tij në tru”- thotë Xhordano. Ndaj mundohuni të përfshini në dietën tuaj sa më shumë fruta dhe perime, peshq të yndyrshëm si salmoni, bishtajoret, arrat dhe farat.

4. Nuk ushtroheni mjaftueshëm fizikisht

Pesë zakonet që i shkaktojnë më shumë dëme trurit

Në fillim të pandemisë, shumë njerëz nisën të përdorin në masë biçikletat, apo të vraponin dhe ecnin çdo ditë në parkun më pranë lagjes së tyre, duke shfrytëzuar sa më shumë kohën larg vendit të punës. Por ndërsa puna në distancë filloi të grumbullohej – dhe palestrat mbetën të mbyllura për një periudhë të gjatë kohore – shumë njerëz filluan të lëviznin më pak dhe të qëndronin më shumë ulur, sipas një studimi të botuar në “Journal of the American Board of Family Medicine”.

Kjo nuk është e mirë për trurin tonë, si në periudhën afatshkurtër ashtu edhe në atë afatgjatë, thotë Uendi Suzuki, neuroshkencëtare në Universitetin e Nju Jorkut. Në një periudhë afatshkurtër, mungesa e aktivitetit fizik e pengon përqendrimin dhe e rëndon gjendjen psikologjike. Dhe kjo sepse lëvizja nxit trurin të lëshojë një koktej kimikatesh si serotonina dhe endorfina, të cilat e reduktojnë ankthin, shërojnë depresionin dhe përmirësojnë përqendrimin.

5. Nuk flini sa duhet

Pesë zakonet që i shkaktojnë më shumë dëme trurit

Sipas sondazheve të kryera nga Këshilli për një Gjumë më të Mirë, përqindja e njerëzve që bëjnë një “gjumë të dobët” u rrit me 6 për qind midis viteve 2019 dhe 2021. Kur jemi në gjumë, truri ynë organizon jo vetëm kujtimet dhe rikthen në punë procesin përpunues të trurit, por nxjerr jashtë toksinat që grumbullohen kur jemi zgjuar.

Kur gjumi është i pamjaftueshëm, këto toksina mund të qëndrojnë përreth, duke e rritur rrezikun për shfaqjen e sëmundjes së demencës. Për më tepër, mungesa e gjumit e bën më të vështirë heqjen e veseve të këqija. Ju nuk mund të përqendroheni dot në punë, gjë që mund t’iu detyrojë të punoni me orë më të gjata.

Gjithsesi të flesh më shumë në mbrëmje, është zakonisht një mision i ndërlikuar. Në mënyrë paradoksale, përpjekja mund të japë efektin e kundërt, duke rritur nivelet e ankthit që ju mbajnë zgjuar. Prandaj niseni me hapa më të vegjël, si për shembull shkoni në shtrat 5 minuta më herët.