MENU
klinika

Çon skuadrën të stërvitet në… ushtri

Poter tenton të ringjallë Çelsin

30.01.2023 - 12:37

Graham Poter i është kthyer ushtrisë për të rindezur shpirtin luftarak të Çelsit të tij. “The Sun” ka zbuluar se trajneri i bluve e ka dërguar të gjithë skuadrën e tij për të takuar ushtarë të vërtetë me qëllim nxitjen e frymës së grupit në dhomën e zhveshjes.

Ai dëshiron që ta shfrytëzojë këtë eksperiencë edhe për të ndihmuar blerjet e reja që të ambientohen sa më shpejt në “Stamford Bridge”. Tabloidi ka zbuluar se e gjithë skuadra e Çelsit i është drejtuar një baze ushtarake pranë qytetit të Lis në Hempshajër të martën e shkuar. Atje ndodhet kampi ushtarak “Bordon and Longmoor”, e cila është një bazë e njohur stërvitore në historinë e gjatë të “Forcave të Armatosura të Britanisë”.

Por mësohet se skuadra e Çelsit nuk i është nënshtruar seancave të forta stërvitore, por e ka përdorur si eksperiencë për të stërvitur mendjen e lojtarëve, duke ndjekur disa ushtrime që rrisin shpirtin e sakrificës për njëri-tjetrin.

Çelsit i janë shtuar edhe 6 afrime të reja këtë merkato (7 bashkë me Malo Guston, por mbrojtësi do të qëndrojë deri në fund të sezonit te Lioni).

Ish-trajneri i Brajtonit, i cili u ul në stolin e bluve në shtator, me qëllim transformimin afatgjatë të skuadrës, nuk ka dhënë rezultatet e pritshme deri tani. Megjithatë pronari Tod Bohli beson te projekti i tij.

Çelsi renditet pas 20 javësh në mes të klasifikimit të Premier Ligës me 29 pikë, po aq sa edhe Liverpuli, ndërkohë që vendin e katërt, Mançester Junajtidin, e kanë 10 pikë larg. Graham Poter është i ndërgjegjshëm se stoli i tij nuk do të rrezikohej vetëm nëse do të arrinte të renditej mes katër vendeve të para, ose Çelsi do të bënte një rrugëtim të suksesshëm në Champions.