MENU
klinika

Studimi

Pse fëmijët mësojnë më lehtë sesa të tjerët?

24.01.2023 - 10:20

Shumëkush e di se të mësuarit është një proces më i lehtë kur je fëmijë sesa i rritur. Por pse ndodh kjo? Çfarë e bën trurin e fëmijëve më efektiv se të një të rrituri? Përgjigja vjen nga një studim i botuar së fundmi në “Current Biology”, që vëzhgoi për herë të parëpërqendrimet e neurotransmetuesit acid Gama-Aminobutirik (GABA), gjatë dhe pas përvojave të të mësuarit perceptues vizual (VPL).

Mësimi mund të përkufizohet si “efektiv”, kur i jep mundësi individit të shtojë njohuritë dhe forcojë aftësitë e tij në një periudhë të caktuar kohore. Në këtë proces, është thelbësor konsolidimi i informacionit të ri, në mënyrë që përvetësimet e mëvonshme të të dhënave të mos e mbingarkojnë atë.

Pra njohuritë e reja duhet të mësohen përmendësh. Në këtë kuptim, një rol të rëndësishëm në stabilizimin e informacionit luan GABA, një nga neurotransmetuesit frenues më të fuqishëm të sistemit tonë nervor qendror, i prodhuar nga korteksi cerebral. Megjithatë, deri më sot, nuk ishin sqaruar mekanizmat neuronalë përgjegjës për këtë proces tek fëmijët.

Prandaj duke përdorur spektroskopinë e rezonancës magnetike (MRS), studimi u fokusua për herë të parë tek ndryshimet në përqendrimet e GABA-s para, gjatë dhe pas eksperimenteve të të mësuarit në zonën kortikale vizuale të fëmijëve dhe për krahasim të të rriturve.

Çfarë na tregojnë rezultatet? Tek fëmijët, nivelet e GABA-s janë më të ulëta se sa tek të rriturit përpara fazës së të mësuarit, sepse përgjigja frenuese ndaj neurotransmetuesit nuk është zhvilluar ende plotësisht. Por gjatë mësimit, u vu re një rritje e shpejtë e përqendrimeve të GABA-s, e cila vazhdon edhe kur ka përfunduar faza e përvetësimit të njohurive.

Tek të rriturit, mbeten të pandryshuara nivelet e neurotransmetuesit. Për të verifikuar nëse ndryshimet në përqendrimet e GABA-s janë në fakt përgjegjëse për mësimin më të shpejtë tek fëmijët, studiuesit kryen eksperimente të sjelljes që përfshinin grupe të tjera fëmijësh. Rezultatet tregojnë se tek fëmijët, stabilizimi i njohurive të reja ndodh pak minuta pas seancës mësimore, ndërsa tek të rriturit, në përputhje me studimet e mëparshme, ndodh ajo të cilën studiuesit e kanë përcaktuar si “gjendje e brishtë e të mësuarit”, e cila ka një shtrirje kohore prej 60 minutash.

Këto rezultate sugjerojnë se tek fëmijët, një përqendrim më i lartë i neurotransmetuesitGABA gjatë formimit të njohurive të reja, bën të mundur që të mësuarit të stabilizohet më shpejt sesa tek të rriturit. Studimet e ardhshme mund të përcaktojnë nëse mekanizma të ngjashëm përfshihen edhe në procese të tjera të të mësuarit./bota.al