MENU
klinika

Scriptorium

“Vargas Llosa dhe bota e Zonjës Bovari”

18.01.2023 - 19:05

Ekzistenca e Mario Vargas Llosa është bërë si një ndër romanet e Flaubert-it. Media merret vetëm me jetën e tij private dhe unë uroj që ta kalojë sa më lehtë këtë periudhë. Megjithëse ajo çfarë në të vërtetë më intereson mua është vepra e tij.

Si fillim ai na tregon që pakënaqësia e zonjës Bovari nuk është sindromë e shekullit të XIX, por një patologji gjithnjë e më shumë e përhapur. Kurioziteti galopant për historitë e dashurisë së personazheve publikë reflekton rebelemin kundër të zakonshmes, të parashikueshmes. Jemi të destinuar të jemi të frustruar. Pothuajse askush nuk ka jetën që ka ëndërruar. Mendja jonë krijon pritshmëri të larta si e si që ne të pësojmë zhgënjime.

Transformimi i jetëve të të tjerëve në një spektakël, është mënyra që zgjedh media për të dalë nga rutina vrastare.

Problemi qëndron në faktin që këto personazhe trajtohen si të mos ishin humanë, media nuk ka as mëshirë e aspak respekt për ta.

Javier Marias: “Melodrama përthithet vetëm atëherë kur bëhet pjesë e letërsisë dhe historia është e etur për mite”.

Në librin e tij “La orgia perpetua”, Vargas Llosa shpjegon rebelimin dhe lirinë që e karakterizonte fabulën e Zonjës Bovari. Ema Bovari nuk është Prometeu i ri. Ajo nuk lufton për lirinë e të gjithëve, ajo lufton për lirinë e saj. Ajo nuk pranon të jetojë nën rregullat e kodit moral të kohës e as e përçudnuar nga një burrë.

Qëllimi i saj është tejet i thjeshtë, të njohë kënaqësinë, të shkrihet me një trup tjetër, të dalë nga vetja, të thyejë tabutë. Asaj nuk i intereson qielli, por toka, ose më qartë: mishi. Bovari ngjan me Medean. Ajo nuk ndihet e tradhëtuar nga bashkëshorti i saj por nga realiteti, që ka mbytur të gjitha iluzionet. Hakmarrja e saj konsiston në thyerjen e rregullave.

Tradhtia e saj është rebelim metafizik. Ajo ngulmon të ndryshojë ritmin e botës përmes dëshirës dhe imagjinatës.

Flaubert mishëroi në personazhin e saj të gjithë palumturinë që ndjente nga jeta.

Përballë kësaj bote që ai urrente, ai strehohej në letërsi, i vetmi vend në të cilin mund të ishte i lirë plotësisht dhe mund të materializonte ëndrrat dhe ambiciet e tij. Njësoj si Eva që gjente lumturinë në duart e ndonjërit prej dashnorëve të saj ashtu dhe Flaubert e gjente lumturinë tek magjia e fjalëve.

Flaubert nuk ishte aq fatkeq sa Kafka, por e përbashkëta e tyre ishte që e shikonin letërsinë si të vetmen mënyrë për të jetuar.

Ai nuk shkruante për të tjerët por për veten, Flaubert kishte bindjen që letërsia mund të ishte më e saktë se gjeometria.

Megjithëse e kishte shumë të qartë që nuk do ta implementonte kurrë artin e tij në jetën e përditshme sepse kjo mund të ishte po kaq e rrezikshme sa ballafiqimi i Uliseut me sirenat, ndërsa po kthehej në shtëpi.

Vargas Llosa filloi të shkruante për të njëjtat arsye që Ema Bovari u shndërrua në tradhtare: realiteti e zhgënjente, ishte i papranueshëm dhe i dhimbshëm. Babai i tij ishte i dhunshëm dhe nuk u mundua kurrë të fshihte refuzimin që ndjente ndaj tij. U mundua të ndryshonte gjatë kohës kur po ndiqte studimet në një shkollë ushtarake por kjo nuk ndodhi kurrë.

Të shkruarit ishte arratisja e tij nga shëmtia që e rrethonte, shëmti që ai e shndërronte në diçka të mahnitshme dhe të papërsëritshme.

Të gjithë ata që kishin përjetuar në vetën e parë: korrupsionin, abuzimin, hipokrizinë, padrejtësinë, ligësinë mund të identifikoheshin lehtësisht me personazhet e tij të keqtrajtuar nga institucioni klasicist, patriarkal, despotik i radhës…

Artikulli u përkthye në shqip nga Albana Murra.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


BLOGU I ALBANA MURRËS/ SCRIPTORIUM

“Sekreti i lumturisë”