MENU
klinika

Analiza

Zgjedhjet e 2023-shit do të vendosin ‘fatin’ e Ukrainës!

06.01.2023 - 09:30

Dihet që luftërat përfundojnë në negociata. Por ato shpesh përfundojnë ose ”ngrijnë” në kutitë e votimit.

Kështu përfundoi lufta e Amerikës në Vietnam, kështu përfundoi lufta franceze në Algjeri dhe me humbjen e Sllobodan Millosheviçit në kutinë e votimit në vitin 2000, luftërat në ish-Jugosllavi morën fund.

Sot, lufta në Ukrainë po zhvillohet nën ”hijen” e zgjedhjeve shumë të rëndësishme të planifikuara për vitin 2024. 

Zgjedhjet në Rusi, Ukrainë, Tajvan dhe SHBA do të jenë vendimtare. Rezultati i këtyre votimeve mund të përcaktojë formën e rendit të ardhshëm ndërkombëtar.

Në mars 2024, zgjedhjet presidenciale do të mbahen në Rusi dhe Ukrainë.

Putin  ka çdo arsye për t’u shqetësuar se në rast të humbjes, ose një konflikti ”të ngrirë” në disfavor të tij, ai do të përballet me kundërshtimin jo vetëm nga disa liberalë të mbetur në vend, por edhe nga një e djathtë nacionaliste e mobilizuar.

Kjo nuk ka ndodhur në sundimin e tij prej më shumë se dy dekadash, por një fushatë zgjedhore e kombinuar me dështime në frontin  e luftës mund të shkaktojë momentin anti-Putin që evropianët dhe amerikanët kanë pritur prej kohësh – edhe pse ka shumë pak gjasa që ky të jetë momenti i lirisë së Rusisë.

Zgjedhjet do të ndikojnë edhe në zgjedhjet strategjike që presidenti Volodymyr Zelenskyy bën në vitin 2023. Ato do ta bëjnë të pamundur që ai të pranojë ndonjë kompromis territorial, që të mos humbasë votën. Shtyrja e zgjedhjeve nuk është opsion.

Por për Zelenskyy, mbajtja e zgjedhjeve në një kohë lufte me një shumicë të popullsisë të mërguar ose të zhvendosur brenda vendit do të jetë një sfidë e jashtëzakonshme logjistike.

Në ”koktejin zgjedhor” për vitin 2024, zgjedhjet presidenciale të Tajvanit mund të bëhen gjithashtu një kartë e rëndësishme me ndikim në dinamikën e luftës Rusi-Ukrainë. Frika nga një fitore nacionaliste në këto mund të ndikojë në strategjinë e “bashkimit” të Pekinit.

Nuk dihet ende se çfarë mësimi ka nxjerrë presidenti Xi Jinping nga pushtimi rus. A ka arritur në përfundimin se Putini gaboi kur filloi luftën apo se e filloi atë shumë vonë?

Nevoja për të mbajtur larg amerikanët mund të bindë gjithashtu qeverinë kineze, tashmë të poshtëruar nga dështimi i saj për t’u marrë me pandeminë Covid-19, të rrisë mbështetjen e saj për Moskën me shpresën për të mbajtur SHBA-në të zënë me një konflikt evropian.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe zgjedhjet për Parlamentin Evropian do të kenë gjithashtu një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e luftës.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA mund të jenë më vendimtare për rezultatin e luftës sesa çdo operacion ushtarak në terren.

Ukrainasit nuk mund t’i rezistojnë makinës vrasëse të Putinit nëse amerikanët dhe evropianët vendosin të shkëpusin mbështetjen e tyre të konsiderueshme ushtarake dhe financiare.

Në këtë kuptim, ukrainasit kanë arsye të frikësohen se demokratët mund të humbasin presidencën, pasi mbështetja e SHBA për përpjekjet e tyre luftarake mund të ndryshojë. Për demokratët dhe aleatët e tyre evropianë njësoj, suksesi i Putinit në Donbas ose përfshirja e drejtpërdrejtë e NATO-s në luftë mund të ndikojë tek zgjedhja e presidentit të ardhshëm i SHBA dhe atij të Parlamentitt Evropian.

Ose suksesi rus në vijën e frontit ose një përfshirje e madhe e NATO-s në konflikt mund të kthejë ekuilibrin e presidencës amerikane drejt republikanëve.

Gjëja e fundit që u duhet demokratëve dhe aleatëve të tyre evropianë është që votuesit të fajësojnë Shtëpinë e Bardhë për nisjen e një lufte të tretë botërore.

Në mënyrë që Joe Biden dhe aleatët e tij evropianë të fitojnë zgjedhjet e tyre, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ukrainasit të vazhdojnë të fitojnë në fushën e betejës.

Ne e dimë se si ndërvarësia ekonomike dhe përhapja e armëve bërthamore kanë ndryshuar natyrën e luftës moderne. Ajo që ne nuk kemi parë ende është se si zgjedhjet e ardhshme mund të ndryshojë gjithashtu natyrën e luftës në Ukrainë, veçanërisht në një moment hiper-polarizimi global.

Morali? Për të fituar luftërat në shekullin e 21-të, nuk mjafton gjithmonë të kesh epërsi në fushën e betejës.

Ju gjithashtu duhet të fitoni zgjedhjet, dhe jo vetëm në vendin tuaj.

Shkrimtari është një redaktor kontribues i FT-së, kryetar i Qendrës për Strategjitë Liberale, Sofje dhe bashkëpunëtor në IWM Vienna.

Burimi: Financial Times

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nëse fiton në zgjedhjet e vitit 2023, atëherë...

A e ka arritur Erdogan të ndërtojë “Turqinë e Re”?