Në shtëpinë e ‘Big Brother VIP Albania’, banorët trajtuan një ditë më parë disa tema sociale. Që nga rritja e çmimit të apartamenteve, largimi i të rinjve nga vendi, apo rruga që ato zgjedhin për të bërë para sa më shpejt.
Luizi, ishte në panel, e iu desh të fliste për këtë fenomen. Teksa fliste në lidhje me standardin e jetesës në Shqipëri ai theksoi se të rinjtë sot nuk kanë siguri për të krijuar një familje. Luizi deklaroi se pjesa më e madhe e të rinjve largohen nga vendi me gomone për të punuar në fushën e trafikut dhe kultivimit të lëndëve narkotike. Ai shtoi se çmimet e apartamenteve në Tiranë janë të frikshme ndërkohë që qytetarët nuk kanë bukë të hanë.
‘Pjesa më e madhe dhe në masë ikin me gomone, me kamionë dhe jemi duke punuar për drogën e komplet Europës. Jemi përditë në lajme. Po kalojmë edhe Sirinë në kërkesat për azil. Ky vend ka shkuar aty nuk mban më. Përgjegjësinë nuk e mban askush. Kjo është shqetësuese. Ky vend nuk bëhet. Se si do të bëhet askush nuk e di. Fajin ta mbajë kush ta ketë. Kështu shkon ky muhabet. Më keq nuk ka qenë ky vend dhe është fakt. Ke njerëz që nuk kanë bukë të hanë dhe ke çdo ditë kulla që lulëzojnë në Tiranë me nga 7-10 mijë euro m2. Kush i blen? Kush i ndërton? Nga dalin këto kompani? Përditë duke lulëzuar këto kompani. Bëhet rruga me 2 milionë euro metri katror. Kam jetuar në Paris, e di sa janë çmimet e apartamenteve atje dhe e di sa janë te liqeni. Janë të frikshme. Janë dyfish te liqeni. Kush i blen? Kush i kontrollon? Këtu nuk funksionon asgjë më. Ato që vijnë nga studimet jashtë, prapë ato me gishta, ato që kanë lidhje me politikën, kanë vende pune. Prandaj në Shqipëri bëhen makiatot më të mira se i ke të gjithë kamerierët me diploma të shkollës së lartë, me juridik. Janë fëmijë të thjeshtë, unë dal nga Big Brother dhe jam dikushi, do e kem vendin e punës, ndërkohë ai që ka studiuar nuk e ka. Këto të tjerët demoralizohen, nuk bëjnë asgjë, shohin Luizin që bën këtë jetë luksi dhe ata duan ta bëjnë këtë jetë brenda 2 muajve, si bëhet brenda 2 muajve duke u marrë me poshtërsira.”, deklaroi ai.