Media amerikane “Bloomberg” shkruan një artikull lidhur me hetimet që do të zhvillohen në Kongresin Amerikan ndaj Departamentit të Drejtësisë, që sipas “Bloomberg”, mund të çojnë edhe në shkarkimin e kreut të Departamentit të Drejtësisë, Merrick Garland.
Një prej pikave kryesore që do të prekë hetimi i gjerë në Kongres ndaj Departamentit të Drejtësisë, do të jetë edhe afera “McGonigal”, ku ish-agjenti i Zbulimit të FBI-së, Charles McGonigal, akuzohet për pranimin e parave nga një oligark i sanksionuar rus, Oleg Deripaska dhe nga një zyrtar i shtetit shqiptar. Kujtojmë se në akt-akuzën ndaj McGonigal përmendet 14 herë edhe emri i kryeministrit Edi Rama, ku dyshohet se McGonigal kreu disa shërbime në favor të tij, duke goditur një parti opozitare në Shqipëri, e cila dyshohet të jetë Partia Demokratike. “Jordan në fillim të këtij muaji gjithashtu kërkoi që Wray të sigurojë dokumente dhe të organizojë një konferencë për anëtarët e Komitetit Gjyqësor në lidhje me padinë ndaj një ish-zyrtari të lartë të byrosë, Charles McGonigal, i cili kishte shërbyer si shef i Kundërzbulimit për zyrën e FBI-së në Nju Jork, pasi u arrestua dhe akuzohet për pranimin e parave nga një miliarder rus”, thuhet në artikull.
Artikulli i “Bloomberg”
Departamenti i Drejtësisë në SHBA ndodhet në një pozitë të vështirë, teksa ka një përplasje të fortë me republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve. Kjo është një dramë që do të luhet mes dy protagonistëve që nuk mund të ishin më të ndryshëm, një ish-trajneri të mundjes dhe një ish-gjyqtari federal. Një nga ata persona që kryeson akuzat në hetimet e Dhomës së Përfaqësuesve ndaj administratës Biden, është kryetari i gjyqësorit Jim Jordan, një republikan i Ohajos, i njohur për stilin e tij konfrontues. Objektivi i tij kryesor është Departamenti i Drejtësisë, veçanërisht FBI, e udhëhequr nga Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland, një i diplomuar për drejtësi në Harvard, me një karrierë të gjatë në zbatimin e ligjit federal. Në qendër të hetimeve të tij do të jetë se sa material duhet t’i dorëzojë Departamenti i Drejtësisë, dhe sa shpejt, Gjyqësorit dhe komiteteve të tjera, si dhe nënkomisionit të zgjedhur të Jordan për “armatimin” e agjencive federale. Jordan dhe republikanët kanë nxitur Departamentin e Drejtësisë me kërkesa të shumta për dokumente dhe të dhëna. Çdo dështim në ofrimin e materialit mund të përdoret për të “goditur” Garland për shpërfillje të Kongresit dhe për të filluar procedurat e shkarkimit të tij. Sfida për Gerland dhe drejtuesit e departamenteve të tij do të jetë mbrojtja e hetimeve të vazhdueshme dhe shmangia e kurtheve, tha Robert Raben, i cili drejtoi zyrën e çështjeve legjislative të departamentit nën Prokuroren e Përgjithshme Janet Reno. “Ka mbikëqyrje legjitime dhe më pas ka lojëra politike,” tha Raben në një intervistë. “Por kjo është një luftë publike asimetrike pasi kjo DD nuk bën politikë apo lojëra, as nuk duhet të bëjë”, tha ai.
Garland, 70 vjeç, nuk ka kundërshtuar publikisht hetimet dhe disa demokratë kanë kanë thënë se ai është treguar shumë i kujdesshëm si në hetimet që përfshijnë ish-Presidentin Donald Trump ashtu edhe në përgjigjen ndaj republikanëve të Kongresit. Ai do të bëjë paraqitjen e tij të parë para Kongresit të ri të mërkurën në një seancë dëgjimore të Komisionit Gjyqësor të Senatit. Me demokratët në kontroll në atë anë të Kapitolit, Garland do të jetë në terren miqësor. Por republikanët në panel ka të ngjarë ta “godasin” atë për një sërë çështjesh, paralelisht me homologët e tyre të Dhomës. Në prapaskenë, Departamenti i Drejtësisë po u kërkon ligjvënësve të jenë të durueshëm pasi zyrtarët ndjekin procedurat normale për të përmbushur kërkesat dhe thirrjet e kongresit. “Misioni i departamentit për të mbështetur në mënyrë të pavarur dhe të paanshme sundimin e ligjit kërkon që ne të ruajmë integritetin e hetimeve, ndjekjeve penale dhe veprimeve tona civile, dhe të shmangim edhe një perceptim se përpjekjet tona janë të ndikuar nga diçka tjetër përveç ligjit dhe fakteve”, shkruhej në letrën që Departamenti i drejtonte Jordan muajin e kaluar.
Departamenti ka mbushur kohët e fundit pozicione vakante për t’u marrë me numrin e shumtë të kërkesave dhe thirrjeve të pritshme nga hetimet e shumta të GOP-së, si dhe sfidën e marrëdhënieve me publikun që ato paraqesin. Departamenti ka punësuar profesionisten e komunikimit, Xochitl Hinojosa, për të drejtuar çështjet publike. Ajo është një veterane e Departamentit të Drejtësisë së Obamës me përvojë pune në komunikimet politike demokrate. Departamenti gjithashtu solli Emma Dulaney, e cila më parë shërbeu si këshilltare strategjike dhe zëvendës drejtore e komunikimit për Komitetin e Mbikëqyrjes së Dhomës, si sekretare shtypi. Përveç kësaj, të paktën pesë persona janë punësuar në zyrën e çështjeve legjislative, të cilët kanë përvojë pune me Kongresin.
“Ju nuk mund të nënvlerësoni se sa shpërqendruese dhe minuese është të kesh një breshëri të vazhdueshme akuzash të padrejta kundër teje dhe kërcënime”, tha Raben, i cili tani drejton firmën e tij për marrëdhëniet publike dhe komunikimin strategjik.
“Nga ana tjetër, është përgjegjësia e Kongresit të shohë që ligjet të zbatohen me besnikëri”, shtoi ai. Garland, drejtori i FBI-së, Christopher Wray dhe sekretari i arsimit, Miguel Cardona, kanë kohë deri më 1 mars për të dorëzuar dokumentet e kërkuara. Shumë kanë të bëjnë me komunikimet ndërmjet zyrtarëve të drejtësisë, FBI-së, arsimit, dhe avokatëve të jashtëm. Jordan ka bërë gjithashtu kërkesa të gjera për dokumente dhe regjistrime të tjera, disa prej të cilave përfshijnë hetime aktive, çështje të personelit ose diskutime të brendshme. Jordan në fillim të këtij muaji gjithashtu kërkoi që Wray të sigurojë dokumente dhe të organizojë një konferencë për anëtarët e Komitetit Gjyqësor në lidhje me padinë ndaj një ish-zyrtari të lartë të byrosë, Charles McGonigal, i cili kishte shërbyer si shef i kundërzbulimit për zyrën e FBI-së në Nju Jork, pasi u arrestua dhe akuzohet për pranimin e parave nga një miliarder rus. Demokratët i kanë hedhur poshtë përpjekjet republikane si një ushtrim politik. Përfaqësuesi demokrat Jim McGovern nga Massachusetts tha se qëllimi i nënkomitetit është “sulmi ndaj zbatimit të ligjit”, për të nënvlerësuar hetimet penale dhe promovimin e teorive konspirative, të cilat nga ana tjetër Jordani i mohon të gjitha.
Jerrold Nadler i Nju Jorkut, demokrati më i lartë për gjyqësorin, akuzoi republikanët se po përdorin hetimet ndaj Departamentit të Drejtësisë për të siguruar mbulim ligjor për Trump, i cili përfshin Jordan midis aleatëve të tij kryesorë në Kongres.
Nga ana tjetër, edhe Komiteti i Mbikëqyrjes dhe Përgjegjshmërisë gjithashtu po përgatitet të lëshojë fletëthirrje për DD dhe agjenci të tjera në hetimet e tij, nëse është e nevojshme, tha kryetari James Comer i Kentakit. Paneli ka kërkuar informacion, për shembull, nga Arkivi Kombëtar lidhur me zbulimin e informacionit të klasifikuar në ish-zyrën e Biden dhe shtëpinë e Delaware. Por agjencia u ka thënë ligjvënësve se po ia lejon Departamentit të Drejtësisë të përcaktojë nëse kjo do të ndërhyjë në hetimet e prokurorit special. Por, Comer tha gjithashtu se shpreson se nuk do të nevojiten fletë-thirrjet.
“Shpresoj se ata do të bëjnë atë që duhet të bëjnë dhe do t’i japin informacion të arsyeshëm Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve”, tha Comer. “Unë nuk mendoj se ne kemi kërkuar ndonjë gjë që dikush do të thotë se nuk është e arsyeshme”, përfundoi ai.