MENU
klinika

Drejtohej nga një shqiptar

Shkatërrohet banda e prostitucionit në Greqi

20.02.2023 - 12:04

Një rrjet trafiku që prostituonte vajza të reja nga Amerika Latine në Greqi, është shkatërruar nga policia greke. Në pranga kanë rënë 8 persona, disa prej të cilëve dyshohet se janë shqiptarë.

Autoritetet kanë rënë në gjurmët e bandës pasi një nga vajzat që shfrytëzohej për prostitucion u ankua në një organizatë joqeveritare. Banda “peshkonte” vajzat nga vendet e Amerikës Latine, të cilat përballeshin me probleme të rënda financiare dhe i çonin në Greqi. Më pas, vajzat i dërgonin nëpër disa hotele të Athinës ku jetonin në kushte të pafavorshme dhe i detyronin të punonin si punonjëse seksi.

Anëtarët e bandës kishin ngritur edhe një “call center” për të gjetur klientë për punonjëset e seksit. U kryen operacione në tre hotele në zona të ndryshme të Atikës, ku ndodheshin 15 femra, viktima të organizatës kriminale, shtetase të Brazilit, Kolumbisë, Venezuelës dhe Marokut.

Në operacion u arrestua një 37-vjeçar me origjinë shqiptare, i cili ishte “koka” e bandës, tre persona të tjerë, të moshës 40, 33 dhe 31 vjeç, të cilët ishin përgjegjës për transportin e vajzave dhe mbajtjen e parave. Një 62-vjeçar, pronari i hotelit ku vajzat takoheshin me “klientët” e tyre. Në pranga kanë rënë gjithashtu edhe tre vajza që kishin marrë përsipër funksionimin e qendrës telefonike, përmes së cilës rregullonin takimet.