MENU
klinika

"Kemi numër emergjence për ata që kanë nevojë"

Tërmeti në Turqi, ambasadori shqiptar: S’ka viktima mes shqiptarëve

07.02.2023 - 11:22

Ambasadori shqiptar në Turqi, Kastriot Robo, deklaroi se nuk raportohet për shqiptarë në mesin e viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi këtë vend gjatë natës.

Tërmeti i fuqishëm që preku dje Turqinë ka shqetësuar edhe shqiptarët që banojnë në atë vend. Të shumta kanë qenë reagimet e zyrtarëve të lartë shtetërore, të cilët konfirmojnë në mediat vendase se deri në këtë moment asnjë shqiptar nuk ka humbur jetën. Ambasadori shqiptar në Turqi, Kastriot Robo deklaroi se nuk raportohet për shqiptarë në mesin e viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi këtë vend gjatë natës.

Në një lidhje telefonike për “NeWs 24”, Robo tha se nga komunikimet e tij në terren, nuk raportohet që të ketë shqiptarë të prekur. “Fatmirësisht në zonën e Ankarasë nuk u ndje. Ne, stafi i ambasadës, i Konsullatës shqiptare jemi mirë dhe të sigurt. Ishte tërmet shkatërrues, përveç fuqisë së madhe, zgjati shumë në kohë. Kam komunikuar menjëherë pasi ndodhi tërmeti, me shtetas turq, me kombësi shqiptare. Fatmirësisht nuk ka humbje njerëzit për komunitetin shqiptar që jeton në ato zona. Prezenca e shqiptarëve në ato zona është e limituar, krahasuar me zona të tjera. Kemi komunikim permanent. Nuk rezulton se ka problem deri tani”, tha ambasadori shqiptar.

Gjithashtu, ai deklaroi se tërmeti mund të ketë akoma efekt shkatërrues, ndërsa shtoi se ambasada jonë atje ka vënë në dispozicion një numër emergjence për shqiptarët në nevojë. “Mund të ketë akoma efekte shkatërruese ne jemi në lidhje me ministrinë e Brendshme të Turqisë duke u interesuar për shtetasit tanë por deri tani nuk na rezulton por vetë ministria po përpunon të dhënat për të nxjerrë emrat e viktimave, ne kemi vënë dhe një numër emergjence për shqiptarët që kanë nevojë për mbështetje”, shtoi ai. Lëkundjet e forta të mëngjesit të djeshëm janë ndjerë edhe në Qipro, Gaza dhe Liban.

Autoritetet turke shpallën “alarmin e nivelit 4” që kërkon ndihmë ndërkombëtare dhe SHBA shprehën të parat gatishmërinë për të ndihmuar. Lëkundja kryesore është pasuar nga 50 tërmete të tjerë, më i madhi prej të cilëve me magnitudë 6.7 Rihter. Sipas raportimeve, lëkundjet janë ndjerë në 10 provinca juglindore të Turqisë, ndërkohë që viktima ka dhe në territorin sirian. Autoritetet lokale turke kanë raportuar për shembjen e dhjetëra ndërtesave, në Gaziantep ashtu edhe në qendrat e afërta të Dijarbakirit dhe Malatyas. Dyshohet se disa persona janë bllokuar nën rrënoja. Është shpallur gjendja e jashtëzakonshme dhe janë mobilizuar të gjitha shërbimet e shpëtimit. Turqia, ku ishte epiqendra e tërmetit, shpesh goditet nga tërmete të fuqishme.

Afërsisht 18.000 persona janë vrarë nga tërmetet e fuqishme që kanë goditur shtetin në vitin 1999. Pallate të shkatërruara, njerëz të gjakosur dhe me fëmijë në duar dhe ekipe kërkimshpëtimi pranë rrënojave janë imazhet tronditëse që vijnë nga Turqia pas tërmetit shkatërrues. Më shumë se 1500 njerëz u vranë dhe mijëra të tjerë u plagosën të hënën një tërmeti i madh goditi Turqinë, duke shkatërruar blloqe apartamentesh dhe duke shkaktuar dëme edhe në Siri, ku raportohen më shumë se 400 jetë të humbura.

Konsullja shqiptare në Stamboll: Një tragjedi që na kujton 2019
Nuk raportohet për shqiptarë të prekur nga kjo tragjedi, janë vendosur dy numra nga ambasada shqiptare në Turqi për të marrë çdo informacion. Të njëjtën gjë ka shprehur edhe Konsullja e Përgjithshme e Shqipërisë në Stamboll, Blerta Kadzadej. Në një lidhje “Live” për “Panorama TV” ajo ka treguar detaje nga tërmeti tragjik me 1500 viktima në Turqi. Ajo u shpreh se nuk raportohet për shqiptarë të prekur nga kjo tragjedi, ndërsa janë vendosur dy numra nga Ambasada Shqiptare në Turqi për të marrë çdo informacion.

“Nuk kemi njoftime për shqiptarë të prekur nga kjo tragjedi. Në këto zona s’ka prani të madhe të shqiptarëve, por nuk përjashtohet fakti që mund të ketë. Jemi në dispozicion të gjithë shtetas shqiptarë. Mund të marrim vetëm shifra nga autoritetet turke. Është një tragjedi që e shikojmë me sytë tanë dhe na rikujton tërmetin e 2019-ës në Shqipëri. Qytetarëve u është bërë thirrje të largohen nga godinat e rrezikshme. I gjithë vendi është vendosur në dispozicion. Pas një tmerri të tillë nuk mund të futesh në godina, ka godina që janë në prag shkatërrimi. I gjithë shteti turk është përfshirë në operacionin e kërkim shpëtimit”.

Sizmologu, Edmond Dushi: Jemi larg zonës, 1500 km distancë ajrore
Sizmologu Edmond Dushi në një lidhje me PANORAMA TV, ka treguar nëse Shqipëria rrezikon nga tërmeti i fuqishëm që tronditi Turqinë këtë të martë. Sipas tij, vendi ynë ndodhet në një distancë shumë të largët dhe nuk ka rrezik të regjistrojë pasgoditje me magnitudë të lartë. “Jemi larg zonës 1500 km distancë ajrore ne nuk kemi ndjeshmëri për këto tërmetet e vegjël.

Ne do raportojmë vetëm pasgoditjet e moderuara që mund të regjistrohen. Situata sizmike në Turqi është ende e agravuar. Kur ndodh një tërmet i fortë në çdo kontakt tektonik pritet që energjia e çliruar aty të vërë në lëvizje gjithë sistemin e diku të akumulohet e diku të çlirohet energji. Në rajonin e Mesdheut kjo situatë është e koklavitur dhe ka një numër kontaktesh të fuqishme. Territori i Shqipërisë është shumë larg në raport me këtë tërmet për të pasur një impakt nga ky tërmet. Në Shqipëri s’ka pse të ketë panik, kurse në Turqi vlejnë rregullat e përgjithshme që njerëzit të ruajnë qetësinë e të largohen nga objektet e dëmtuara”, tha Dushi për “Panorama TV”. Kujtojmë se disa sizmologë kanë shprehur bindjen se tërmetet në Turqi po ndodhin për shkak të lëvizjeve të pllakave tektonike. Madje deklarojnë se diçka e tillë ishte e pritshme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Qëndrojmë pranë familjeve që humbën të dashurit e tyre"

Presidenti Begaj reagon pas tërmetit me 500 viktima në Turqi