Ambasada e SHBA në Tiranë ka reaguar në lidhje me ngjarjen e shënuar në Top Channel, ku nga breshëria e kallashnikovit humbi jetën roja Pal Kola.
Ambasada me anë të një postimi në rrjetet sociale i shpreh ngushëllime familjes të së ndjerit, teksa kërkon nga autoritetet ligjzbatuese të kryejnë një hetim tërësor që do të nxjerrë përgjegjësit përpara drejtësisë.
“Ambasada e SHBA në Tiranë dënon me forcë sulmin vdekjeprurës ndaj Top Channel dhe i shprehim ngushëllimet më të thella familjes së viktimës. Nxisim agjencitë ligjzbatuese të kryejnë një hetim tërësor që do të nxjerrë përgjegjësit përpara drejtësisë” thuhet në postimin e ambasadës së SHBA.
Kujtojmë që mbrëmjen e djeshme një automjet tip “Range Rover”, u afrua në ambientet e Top Channel dhe qëlloi me breshëri kallashnikovi duke lënë të vdekur rojen 60-vjeçar.
Pak orë më pas makina u gjet e djegur në Golem të Kavajës dhe brenda saj janë gjetur dhe dy kallashnikovë me të cilën u krye edhe ngjarja e rëndë.
Në lidhje me këtë kanë reaguar edhe krerët e shtetit, të cilët e kanë quajtur një akt terrorist dhe kërkojnë nga autoritete që ngjarja të zbardhet me saktësi dhe shpejtësi.