MENU
klinika

Analiza e DW

Do të sjellë takimi i Ohrit kthesën?

18.03.2023 - 10:02

Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian thonë se takimi në Ohër ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të fokusohet “në finalizimin e aneksit të zbatimit të Marrëveshjes së BE-së për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës. Ato nuk janë një çip për t’u përdorur nga Putini në ëndrrat e tij imperialiste. Megjithatë për të hapur rrugën drejt arritjes së objektivit të tyre strategjik për anëtarësim në BE, Serbia dhe Kosova duhet të normalizojnë marrëdhëniet. Nuk ka rrugë tjetër”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell.

Takimi ndërmjetësohet nga shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Mirosllav Lajçak. Pjesë e takimeve në Ohër të Maqedonisë së Veriut  do të jetë edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili takoi gjatë dy ditëve të shkuara në Beograd dhe Prishtinë udhëheqësit e të dyja vendeve. Escobar pret takim produktiv në Ohër dhe ai është optimist për një zgjidhje paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Escobar: Mundësi e jashtëzakonshme për paqe të qëndrueshme

“Ne kemi për qëllim të mbështesim çdo rezultat që sjell më afër paqen e rajonit dhe intensifikon mundësitë për Kosovën dhe Serbinë, si dhe gjithë rajonit, që të bëhen anëtarë të plotë të komunitetit euro-atlantik. Mendojmë që ky propozim evropian, i lehtësuar përmes dialogut të BE-së, jep një mundësi të jashtëzakonshme për paqe të qëndrueshme mes dy vendeve”, tha Escobar pas një takimi që zhvilloi me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, duke e cilësuar SHBA-në si “mbështetësja më e madhe e Kosovës në botë”.

“Ky propozim evropian që ndihmohet përmes dialogut të BE-së mundëson një rast të jashtëzakonshëm për paqe të qëndrueshme mes dy vendeve të rëndësishme të rajonit. Si mbështetësi më i madh i Kosovës në botë, ne kemi qëllim që kjo të funksionojë për Kosovën, por jo vetëm për Kosovën por, tërë rajonin që të zhbllokohen disa prej atyre burimeve që Ballkani ia siguron vetes, por edhe krejt Evropës”, tha Escobar.

Paqe afatgjatë, stabilitet dhe prosperitet në rajon

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se Kosova shkon drejt Ohrit me mendësinë se një “marrëveshje e drejtë, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ku trajtohemi si dy shtete të barabarta, është e vetmja mënyrë për të siguruar paqe afatgjatë, stabilitet dhe prosperitet në rajon”.

“Pritjet e mia, si presidente e Kosovës, janë që marrëveshja do të sjellë rezultate konkrete të prekshme për Kosovën. Rrjedhimisht, do të sigurojë integrimin e Kosovës në institucionet euro-atlantike, do të sigurojë integrimin gjithpërfshirës të komunitetit serb në institucionet e Republikës. Kjo do të rezultojë me shpërbërjen efektive të menjëhershme të të gjitha strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë”, tha Osmani.

Emisari amerikan, para së të vinte në Kosovë ishte në Beograd dhe nga atje u bëri thirrje palëve “që të jenë konstruktive dhe fleksibile gjatë takimit në Ohër”.

“Pritjet tona janë që të dy liderët të jenë në gjendje të dëgjojnë njëri-tjetrin dhe që ata do të punojnë për ta bërë këtë marrëveshje realitet. Të mendojnë për pengesat, të kërkojnë mënyra për t’i kapërcyer ato dhe të largohen nga takimi duke kuptuar se do të vazhdojnë të punojnë deri në zgjidhje”, tha emisari amerikan. Zyrtari i lartë amerikan po ashtu tha se do të dëshironte që marrëveshja përfundimtare për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë të arrihej këtë vit.

Kurti: Bazë e mirë dhe platformë solide

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se është optimist për takimin e radhës me Serbinë, por që nuk varet gjithçka nga ai. “Unë kam ofruar që edhe më 27 shkurt, në Bruksel, ta nënshkruanim propozimin e Bashkimit Evropian, mirëpo pala tjetër nuk ka qenë as e gatshme, as e interesuar”, tha Kurti.

“Propozimi Evropian është cilësuar dhe pranuar nga Kosova si bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. Të përkushtuar, konstruktivë dhe kreativë, delegacioni qeveritar i Kosovës udhëton për në Ohër me vullnet të mirë, qëllime të mira dhe besim të mirë”, tha Kurti.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se ai “nuk planifikon të nënshkruajë asgjë”, në takimin e 18 marsit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në një fjalim drejtuar kombit të enjten pasdite, Vuçiç tha se “nuk ka ende një draft të asaj që do Bashkimi Evropian” në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë. Sipas tij, Serbia e ka dorëzuar propozimin e vet dhe shqiptarët të tyrin. “Nuk kemi marrë ende asgjë nga Brukseli dhe ai dokument ende nuk ekziston”, tha Vuçiç.

“Normalizimi është të kemi marrëdhënie më të mira me shqiptarët sesa sot, të zgjidhim probleme të panumërta dhe të përpiqemi të jetojmë bashkë aq sa është e mundur, e nëse jo, atëherë pranë njëri-tjetrit”, tha Vuçiç.

Në takimin e 27 shkurtit që u mbajt në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, palët u pajtuan me propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve. Ata pranuan një dokument që përbëhet nga 11 nene. Ndër to thuhet se “palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin edhe zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Njëra nga marrëveshjet që duhet respektuar është themelimi  i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. E pikërisht për këtë i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tashmë e ka bërë të qartë se pa themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, “nuk ka marrëveshje” për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve./DW

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Normalizimi i raporteve midis Kosovës dhe Serbisë

Djathtistët serbë protestojnë kundër propozimit evropian