MENU
klinika

Protestat e fuqishme e 'zënë ngushtë'

Dorëzohet kryeministri i Izraelit: Do ta ndalojmë reformën në drejtësi

27.03.2023 - 18:45

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka informuar aleatët e koalicionit se ai synon të pezullojë reformën në drejtësi.

Lajmin e kanë bërë të ditur mediat e huaja, sipas të cilave ky vendim erdhi pas protestave të shumta që kanë mbërthyer vendin prej disa ditësh.

Protestat kanë çuar në mbylljen e fluturimeve nga Aeroporti i Tel Avivit, kanë ndaluar sistemin shëndetësor.

Vendimi vjen pas javësh tensionesh në Izrael, aq sa edhe presidenti Isaac Herzog i kishte kërkuar Netanyahut të ndalonte reformën. Sipas raportimeve, Ministri i Drejtësisë Yariv Gideon Levin e kuptoi dhe pranoi se “nuk ka zgjidhje tjetër”. Ndërsa ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, një nga anëtarët më të djathtë të kabinetit, fillimisht deklaroi synimin e tij për të dhënë dorëheqjen, por ka siguruar se do të mbështesë ekzekutivin nga jashtë.

Por më pas “Fuqia Çifute”, partia e tij e ekstremit të djathtë, tha se ishte e gatshme të shtynte reformën deri në rifillimin e Knesset-it, pas Pashkës, me kusht që qeveria të shqyrtonte menjëherë krijimin e një “Garde Kombëtare” nën drejtimin e Ben Gvir. Në vend të kësaj, Bezalel Smotrich, Ministër i Financave dhe udhëheqës i Sionizmit fetar, nuk ka ndërmend të heqë dorë nga reforma në drejtësi. “Ne nuk duhet të ndalojmë reformën për asnjë arsye. Ne jemi shumica” – tha ai në Tëitter – “nuk duhet t’i dorëzohemi dhunës, anarkisë, grevave të egra, mosbindjes. Nuk do t’i lejojmë të na vjedhin votat dhe shtetin tonë”.

Në orët e fundit, rreth 630 mijë njerëz, një numër rekord, dolën në rrugë në qytetet kryesore izraelite për të protestuar, në fundjavën e dymbëdhjetë radhazi të demonstratave. Për më tepër, ministri i mbrojtjes, Yoav Gallant, kishte bërë thirrje publikisht për ndalimin e legjislacionit, i cili ishte edhe anëtari i parë i qeverisë që e bëri këtë.

Vetëm ditën e djeshme Netanyahu vendosi të ndalonte këtë reformism të sistemit të drejtësisë.

Megjithatë kjo nuk i ka ndalur protestat, ku sot është thirrur një demonstratë para Knessetit në Jeruzalem, ku kanë mbërritur dhjetëra mijëra demonstrues (rreth 80 mijë llogariten).