Liderët e Bashkimit Evropian pas samitit të mbajtur të enjten u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit dhe aneksin. Liderët evropianë kanë mirëpritur marrëveshjen, gjersa kërkojnë që e njëjta të zbatohet me lehtësi dhe në mirëbesim.
“Këshilli Evropian mirëpret Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksin e zbatimit, të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja i udhëhequr nga Përfaqësuesi i Lartë, si dhe u bën thirrje të dyja palëve që të zbatojnë me lehtësi dhe në mirëbesim detyrimet e tyre përkatëse”, thuhet në konkluzat e dala nga samiti.
Para fillimit të samitit, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se çdo përpjekje për ta vënë në dyshim marrëveshjen e Ohrit është e kotë. Borrell në një deklaratë për media tha se palët kanë rënë dakord, marrëveshja duhet të zbatohet dhe nuk ka vend për të vënë në mëdyshje.
“Dhe më lejoni të them se çdo përpjekje për të vënë në dyshim marrëveshjen është e kotë. Marrëveshja është rënë dakord, duhet të zbatohet dhe nuk ka vend për ta vënë në mëdyshje…”, tha Borrell para nisjes së Samitit të liderëve të BE-së.
Ai tha se marrëveshja është një tërësi dhe duhet të zbatohet nga të gjitha palët.
“Është një tërësi, duhet të zbatohet nga të gjitha palët, në mënyrë tërësore dhe ne do të ndjekim me vëmendje kush zbaton e kush jo. Unë do t’i këshilloja që të mos targetojnë askënd, por të bëjnë punën e tyre”, është shprehur shefi i Politikës së Jashtme të BE-së.
Takimi në Ohër
Kosova dhe Serbia mbyllën me dakordësim mbi aneksin e zbatimit të planit evropian në Ohër, i cili do të jetë i detyrueshëm për tu zbatuar nga të dy dy palët në momentin e publikimit. Përfaqësuesi i Lartë i unionit për Çështjet e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell, tha se Kurti dhe Vuçiç nuk e kanë firmosur dokumentin. Pas 12 orëve negociata, ai doli në një deklaratë për media ku u shpreh se bisedimet u ndalën në hapa praktikë dhe më në fund mes dy vendeve pati bisedime konkrete dhe dy palët u pajtuan për aneksin e propozimit evropian. Për rreth 10 orë u diskutua vetëm mes Albin Kurtit, Borrel, Vuçiç dhe Lajçak, por në një moment u kërkua me urgjencë prania e Gabriel Escobar. Propozimi evropian që përfshin 11 pika për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë konsiderohet si një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara dhe për të krijuar kushte paqësore për të gjithë njerëzit që jetojnë në rajon.