Liderët e disa partive opozitare në Serbi, kanë reaguar lidhur me arritjen e pajtueshmërisë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Bashkimi Evropian ka thënë të shtunën nga Ohri, se marrëveshja është arritur pas disa orëve diskutime, ndonëse nuk është nënshkruar.
Më 19 mars, Vuçiç ka thënë se nuk ka nënshkruar asnjë dokument “sepse Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht, e Kosova jo”, dhe se një marrëveshje juridike ndërkombëtare nuk mund të bëhet.
Sipas tij, Serbia mund të punojë në zbatimin e propozimit të BE-së “deri në vijat e kuqe”.
Kryetari i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë, Pavle Gërboviq, e ka vlerësuar si lajm shumë të rëndësishëm faktin që Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, do të bëhet pjesë e kornizës së negociatave dhe pjesë e kapitullit 35 në negociatat e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Është e pamundur të jesh politikan pro-evropian, të angazhohesh për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian dhe të jesh kundër kësaj marrëveshjeje. Pyetja për ne është se a pranojmë të jemi pjesë e hapësirës politike të krijuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, apo jo”, ka thënë Gërboviq në TV N1.
Lideri i lëvizjes së djathtë Dveri, Boshko Obradoviq, vlerësoi se zgjidhja e vetme e krizës politike është dorëheqja e presidentit Vuçiç dhe bëri thirrje për tubime të qytetarëve kundër planit evropian.
Ai theksoi se Vuçiç “në mënyrë të paautorizuar ka marrë përsipër obligimin” në Ohër që të fillojë zbatimin e Marrëveshjes që e ka pranuar më 27 shkurt në Bruksel, të cilën Obradoviq e ka vlerësuar si një lloj grushtishteti.
Kundër pranimit të Marrëveshjes është edhe kryetarja e partisë së djathtë serbe Zavetnici (Të betuarit), Milica Gjurgjeviq-Stamenkovski.
Ajo vlerësoi për TV N1, se presidenti Vuçiç, të shtunën u pajtua me ultimatumin “në tërësinë dhe në kapacitetin e plotë të tij”.
“Në aneks qëndron termi ‘obligohen’. Terma të tillë gjenden në marrëveshjet ndërkombëtare”, tha ajo.
Kryetari i Lëvizjes “Serbia Qendra”, Zdravko Ponosh, tha se Aleksandër Vuçiç doli i kënaqur nga negociatat e Ohrit, sepse i kishte arritur të dyja qëllimet që i kishte vënë vetes, “e para – që ai të mos nënshkruajë asgjë, pavarësisht se në emër të Serbisë ai ka marrë përsipër obligimin, dhe e dyta – që përgjegjësinë për përmbushjen e atyre obligimeve të marra, t’ua bartë të tjerëve”.
Në një tekst autorial për portalin Nova, Ponosh ka thënë se përparimi i Serbisë në rrugën e integrimeve evropiane tani do të kushtëzohet në mënyrë të pandashme nga përmbushja e detyrimeve nga Marrëveshja, për të cilën ka dhënë pëlqimin Vuçiç.
Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pajtimi i arritur në Ohër është “njohje e ndërsjellë de facto” e Kosovës dhe Serbisë.
I pyetur nga gazetarët nëse do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai ka thënë se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.
Presidenti i Serbisë, Vuçiç, ka thënë se formimi i Asociacionit “është bërë detyrim me prioritet”.
“Më duhet të them se jam shumë i kënaqur për këtë”, ka shtuar Vuçiç.
Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.
Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje./REL