MENU
klinika

Studimi tregon sa ndikohen

Po sikur fëmijët të jenë të trishtuar dhe të stresuar për shkak të prindërve të tyre?

23.03.2023 - 11:30

Në bisedat që po dëgjoj kohët e fundit mes prindërve të adoleshentëve, ka një ngjashmëri të dukshme. Pas ndarjes së kënaqësive, biseda kthehet shpeshherë te shëndeti mendor. Vajza e dikujt po vuan nga shqetësimet që ka me imazhin e trupit të saj. Djali i dikujt tjetër qëndron vazhdimisht i zymtë dhe i përhumbur për pjesën më të madhe të kohës, duke luajtur videolojëra i mbyllur në dhomën e tij.

Shqetësimet prindërore të gjeneratave të mëparshme (seksi, droga dhe rock & roll) janë zëvendësuar nga një triumvirat i ri: ankthi, depresioni dhe idetë për të kryer vetëvrasje. Duke qenë vetë prindi i një adoleshenti, e shoh këtë gjë çdo ditë. Është mesazhi që dëgjoj vazhdimisht nga bashkëmoshatarët e mi.

Prandaj e kam ndjekur me interes të madh diskutimin e ankthit në rritje tek adoleshentët, dhe në veçanti, rolin e mediave sociale, shekullarizimit dhe politikës në zhvlerësimin e fëmijëve tanë. Por ndërkohë ka një faktor që i është kushtuar vëmendje e pamjaftueshme në debatin mbi faktorët e jashtëm që ndikojnë në vuajtjet e adoleshentëve:

Po sikur ndikimi të vijë edhe nga brenda familjes? Po sikur prindërit të kontribuojnë pa dashje në dhimbjen shpirtërore të fëmijëve të tyre?

Ashtu siç ka një atmosferë depresive në bisedat e prindërve mbi fëmijët e tyre, diçka e ngjashme vërehet edhe te bisedat e fëmijëve mbi prindërit e tyre. Unë e kaloj pjesën më të madhe të kohës duke udhëtuar në kampuset shkollore, si laike ashtu edhe fetare, dhe dëgjoj një refren të ngjashëm gjatë gjithë kohës:”Diçka u ka ndodhur prindërve të mi”.

Ndonjëherë (sidomos në shkollat elitare), ata ndajnë histori rreth prindërve të fiksuar pas arsimimit të fëmijëve të tyre. Akoma më shpesh dëgjoj për prindër të fokusuar vetëm pas politikës. Pastaj dëgjoj plot histori mbi ndikimin e teorive konspirative të të gjitha llojeve. Ashtu siç prindërit janë të mërzitur për ankthin dhe depresionin e fëmijëve të tyre, edhe fëmijët janë të shqetësuar për shëndetin mendor të prindërve të tyre. Së pari, le ta përshkruajmë këtë peizazh tejet të zymtë.

Në vitin 2021, gati 60 për qind e vajzave adoleshente raportuan se ndienin një “trishtim të vazhdueshëm”, shkruan Azen Gorajshi dhe Roni Rabin në “The Times”. Në përgjithësi, 44 për qind e adoleshentëve raportuan “ndjenja të vazhdueshme trishtimi ose dëshpërimi”, sipas “The Washington Post”, një rritje e ndjeshme nga 26 për qind që ishte në vitin 2009.

Dhe këto janë të dhënat e njohura. Por le t’i vendosim ato në një kontekst akoma më të zymtë. Në të njëjtin vit kur sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve 44 për qind e adoleshentëve raportuan se vuanin nga trishtimi serioz, 41.5 për qind e të rriturve raportuan “simptoma të çrregullimit të ankthit apo depresion kohët e fundit”, një rritje e ndjeshme nga një nivel tashmë i lartë prej 36.4 për qind vetëm muaj më parë.

Për më tepër, ndërsa shkalla e vetëvrasjeve është rritur në grupin e amerikanëve më të rinj, kjo shifër mbetet ende e ulët në krahasim me atë që vërehet te prindërit dhe gjyshërit e tyre. Vdekjet e dëshpërimit – siç njihen vdekjet për shkak të vetëvrasjes, abuzimit me drogën ose helmimit nga alkooli – kanë prekur veçanërisht meshkujt e bardhë të moshës së mesme, dhe të shifrat janë shumë të larta, sidomos që kur nisën të rriten ndjeshëm në vitin 2000.

Përveç statistikave të vetëraportuara për depresionin dhe ankthin apo shifrat e frikshme të abuzimit me drogën dhe vetëvrasjen, ka tregues të tjerë se përse të rriturit kanë shumë probleme. Për shembull armiqësia politike vazhdon të rritet. Zemërimi dhe pesimizmi i të rriturve është bërë shumë i përhapur: Një sondazh i fundit i “NBC News”, tregoi se një rekord 58 për qind e votuesve besonin se kanë ikur kohët e arta të Amerikës.

Dhe kur mendojmë për fëmijët dhe ekranet, le të marrim parasysh edhe marrëdhënien midis të rriturve dhe televizorëve dhe smartfonëve të tyre. Shikoni lajmet në TV (ku gjyshërit informohen në përgjithësi) dhe do të shihni një fjalor të dominuar nga frika dhe zemërimi. Nëse kaloni njëfarë kohe në “Twitter” (apo vëzhgoni diskursin në postimet politike në “Facebook”), do të shihni shumë shpejt një nivel sulmesh të egra personale, të cilat ndryshojnë shumë pak nga ngacmimi personal më ekstrem që mund të përjetojë një i ri në shkollë.

Adoleshentët nuk jetojnë në një ishull. Lidhja midis shëndetit emocional të prindërve dhe shëndetit emocional të fëmijëve të tyre është e mirëvërtetuar. Për më tepër, mënyra se si prindërit i rrisin fëmijët e tyre, mund të ndikojë drejtpërdrejt në shëndetin e tyre emocional. Edhe stilet e prindërimit kanë ndryshuar. Siç shkroi Peter Grey vitin e kaluar në “Psychology Today”, shtimi i vuajtjeve shpirtërore të adoleshentëve “ka ndodhur gjatë një periudhe në të cilën të rinjtë i janë nënshtruar një kohëzgjatje gjithnjë e më të madhe duke u mbikëqyrur, drejtuar dhe mbrojtur nga të rriturit”.

Ai argumenton se “presioni dhe monitorimi dhe gjykimet e vazhdueshme nga të rriturit, së bashku me humbjen e lirisë për të ndjekur interesat e tyre dhe për të zgjidhur problemet e tyre, shkakton ankth, depresion dhe pakënaqësi të përgjithshme me jetën”.

Kjo nuk do të thotë se fajtorët kryesorë janë prindërit. Unë jam i hapur ndaj tezës së smartfonëve (dhe tezës së shekullarizimit dhe politizimit ekstrem të gjërave) si shpjegimi kryesor mbi pakënaqësinë e adoleshentëve, por nuk jam i bindur nëse fëmijët tanë do të jenë ndonjëherë mirë për sa kohë që mami dhe babi vetë vuajnë nga probleme serioze.

“Prindërimi helikopter” (një stili prindërimi ku prindërit janë tepër të fokusuar te fëmijët e tyre), është potencialisht mbytës. Por ai duhet të jetë edhe më i dëmshëm kur ky lloj prindi është i kapluar nga frika dhe ankthi. Por çfarë duhet bërë? Unë nuk dua që t‘i bëj prindërit të ndihen edhe më të shqetësuar për ankthin e tyre.

Por për aq sa shëndeti ynë mendor është i rrënjosur te faktorë që janë përtej kontrollit tonë të menjëhershëm, ia vlen të bëjmë një pyetje të thjeshtë:

Sa frikë dhe ankth duhet të importojmë në jetën dhe shtëpitë tona? Për momentin harrojini adoleshentët. A po tregohemi ne të rriturit më të aftë për të përballuar epokën e informacionit?

Është një pyetje që ia bëj sinqerisht edhe vetes. E di që përvojat e mia në internet kalojnë në jetën familjare. E di që ankthi im mund të rrezatojë dhe ndikojë te fëmijët e mi. Vetë varësitë tona, ndaj alkoolit ose drogës, por edhe ndaj informacionit dhe zemërimit, mund t’i shkatërrojnë familjet tona.

Mendoj shpesh për fjalët prekëse të pastorit britanik Endrju Uillson: “Një nga gjërat që më ka bërë përshtypje në dy vizitat e mia të fundit në SHBA, ka qenë se sa shumë të dhimbshme janë bërë luftërat kulturore për shumë e shumë njerëz. Në internet, ju shihni luftëtarë që duken se u shijon kjo luftë (sepse përmes saj fitojnë edhe para). Por në jetën reale sheh lëndimin, konfuzionin dhe lodhjen”.

Tani ka ardhur koha ta kuptojmë se lëndimi ynë mund të bëhet lëndim i fëmijëve tanë. Dhe nëse duam të shërojmë fëmijët tanë, ky proces mund të fillojë duke kërkuar ndihmën që na nevojitet për të shëruar veten tonë.

Sa filxhanë në ditë duhen?

Kafja ju ndihmon të bini në peshë!

Disa këshilla për ta mbajtur pastër

Furça e dhëmbëve “parajsë” bakteresh!

"Nëse jeni duke përdorur një shampo tradicional..."

Ja sa shpesh duhen larë flokët!