MENU
klinika

Analiza

Që të mos varet më nga Amerika, Evropës i duhet një ushtri e veta…

11.03.2023 - 13:02

Në shkurtin e vitit 1941, kur Britania e Madhe po përballej e vetme kundër diktatorëve fashistë, kryeministri britanik Uinston Çërçill kishte një kërkesë për Amerikën. “Na jepni mjetet, dhe ne do ta përfundojmë vetë punën!”- tha ai. Dhe Amerika e bëri këtë. Nga mishi dhe gruri, dhe deri tek 17.000 tanket “Sherman” për Britaninë dhe 15.000 avionët për Rusinë, SHBA-ja i garantoi “shtyllën kurrizore ekonomike” luftës së aleatëve së saj.

Deri në vitin 1945, Amerika e kishte përmbushur më shumë sesa pritej zotimin e Frenklin Ruzveltit për t’u shndërruar në “arsenalin e demokracisë”. Por çfarë arsenali tjetër kishte? Bashkimi Sovjetik nuk mund të plotësonte dot nevojat e veta ushtarake dhe civile pa huadhënien e madhe të SHBA-së. Megjithëse arriti të dërgonte disa ngarkesa armësh në Rusi, Britania nuk mund ta përfundonte luftën pa ndihmën e amerikanëve.

Sot, SHBA-ja është sërish një arsenal i demokracisë, duke siguruar këtë herë pjesën më të madhe të ndihmës ushtarake për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus. Por këtë herë, Amerika nuk është vetëm. Edhe Evropa ka mundësi të sigurojë armë për ndaljen e agresionit rus në Ukrainë.

Gjithsesi kjo në teori. Në vitin 1943, ekonomia e Evropës ishte nënshtruar nga nazistët. Në vitin 2023, 4 nga 10 ekonomitë më të mëdha në botë (Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia) janë evropiane, ashtu si 4 nga 8 vendet më të mëdha eksportuese të armëve midis viteve 2017-2021.

Evropa duhet të ndërtojë ushtrinë e saj për të mos

Suedia i prodhon vetë avionët e saj luftarakë. Norvegjia prodhon raketat kundër anijeve. Edhe Evropa Lindore zotëron një potencial të konsiderueshëm. Të gjitha fabrikat e vjetra të municioneve të Luftës së Ftohtë në Bullgari, Republikën Çeke, Sllovaki dhe satelitë të tjerë ish-sovjetikë, mund të prodhojnë municione për armët e dizajnuara nga sovjetikët që përdoren ende nga Ukraina.

Bashkimin Evropian mburret me një ekonomi prej gati 17 trilion dollarësh. Prandaj Evropa duhet të jetë në gjendje të plotësojë nevojat e mbrojtjes së Ukrainës dhe të sajat. Problemi i saj është mungesa e integrimit. Në vitet 1940, aftësia unike e Amerikës për t’u bërë një fabrikë e stërmadhe armësh, nuk ishte thjesht sepse ishte një vend i madh dhe me një ekonomi të madhe. Perandoria naziste e Hitlerit shtrihej nga Afrika e Veriut deri në portat e Moskës, dhe sërish nuk mund të krahasohej me vëllimin e prodhimin amerikan. Ajo që Amerika gëzonte vërtet në Luftën e Dytë Botërore ishte luksi i efikasitetit. Gjermania, Britania dhe Japonia u detyruan të shpërndanin sa andej-këtej fabrikat e tyre për të shmangur bombardimet e aviacionit armik.

Ndërkohë e mbrojtur nga dy oqeane të mëdhenj, SHBA-ja kishte mundësi ta përqendronte prodhimin në objekte të mëdha siç ishte uzina “Ëilloë Run” në Miçigan, e cila mund të prodhonte çdo orë një avionë bombardues B-24. Planifikuesit amerikanë mund të vendosnin objektiva prodhimi pa u shqetësuar aspak se zinxhirët e furnizimit do të ndërpriteshin nga avionët bombarduesit, nëndetëset ose njësitë komando të armikut.

Po pse Evropa nuk mund të jetë sot po aq efikase? Askush nuk po bombardon më Ruhr dhe as nuk po e bllokon Liverpulin. Megjithatë, prodhimi në sektorin e mbrojtjes është i fragmentuar në shumë kombe, armët e të cilave kërkojnë municione dhe pjesë të ndryshme këmbimi.

Madje as këto artikuj nuk prodhohen në sasi të mjaftueshme për të përmbushur kërkesat e brendshme ose të Ukrainës. Për këtë arsye trupat, mekanikët dhe zyrtarët ukrainas të logjistikës janë të detyruar të përballen me një grup befasues tankesh dhe artilerie nga shumë vende evropiane.

Në këto kushte edhe artikujt që duhet të jenë të pajtueshëm në fakt nuk janë. Për shembull, topi i kalibrit 155 mm është një standard për predhat e NATO-s. Por Ukraina ka zbuluar se disa predha 155 mm nuk funksionojnë siç duhet me disa topa 155 mm. Dhe këto probleme nuk janë të reja.

Mungesa e efikasitetit dhe mungesa e investimeve në mbrojtjen evropiane, kanë qenë një problem që gjatë Luftës së Ftohtë. Ashtu siç ishte mbështetja kryesisht tek SHBA-ja për të përballuar pjesën më të madhe të barrës së mbrojtjes së NATO-s.

Shtetet e Bashkuara janë zotuar tashmë ta forcojnë bazën e saj industriale të mbrojtjes, duke përfshirë 6-fishimin e prodhimit të predhave të artilerisë dhe shpenzimin e 1 miliardë dollarëve në vit për 15 vitet e ardhshme për të modernizuar impiantet e municioneve.

Megjithatë, pjesa më e madhe e këtij prodhimi të ri do të shkojë në Paqësor, pasi SHBA-ja po fokusohet tek Kina. Dhe në planin afatgjatë, taksapaguesit amerikanë do të zemërohen me gjasë ndaj çdo lloj përpjekje për ta bërë sërish Amerikën si arsenalin e vetëm të demokracisë.

Kjo do të thotë që nëse Evropa dëshiron ta mbajë larg Rusinë, do t’i duhet edhe kapaciteti për ta armatosur Ukrainën dhe për të rindërtuar ushtritë e saj të dobësuara.

Çështja është nëse Evropa ka luksin ta bëjë këtë në një kohë kur Britania, Franca, Gjermania dhe Suedia prodhojnë secila modelet e veta individuale të tankeve, artilerisë dhe avionëve. Në vend të kësaj qasjeje, Evropa mund të zgjedhë të racionalizojë prodhimin dhe prokurimin në këtë sektor.

Vendet më të mëdha me industri po të mëdha të mbrojtjes, si Britania, Franca dhe Gjermania, mund të përqendrohen në prodhimin e objekteve komplekse si avionë, tanke dhe artileri.

Tashmë ka precedentë për projekte të përbashkëta evropiane, si “Eurofighter Typhoon”, me bashkëpunimin e 4 vendeve apo raketat e avancuara të prodhuara nga MBDA, në pronësi të kompanive franceze, italiane dhe britanike.

Ndërkohë vendet më të vogla mund të prodhojnë municione dhe pajisje të tjera. Për shembull, fabrikat e Evropës Lindore mund të prodhojnë municione për armët e Ukrainës të epokës sovjetike. Ndërsa Ukraina po kalon tek tanket dhe artileria perëndimore, këto fabrika mund të riparohen gradualisht për t’i furnizuar ato.

Marrëveshja e BE-së për të ofruar 1 miliardë euro për prodhimin urgjent të municioneve me kontratat të përbashkëta përmes Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes – gjithçka nga armët e vogla deri tek e predhat e artilerisë 155 mm – është një fillim premtues.

Ai dëshmon se udhëheqësit e kontinentit e njohin nevojën për një veprim të shpejtë. Por problemet reale mund të shfaqen në lidhje me sistemet më të avancuara ushtarake, ku luajnë një rol më të madh krenaria kombëtare dhe politika. Shndërrimi i Evropës në një arsenal të demokracisë në mbarë kontinentin nuk do të jetë diçka e lehtë.

Për shembull projekti i përbashkët franko-gjermano-spanjoll “Future Air Combat System” nuk do të prodhojë një avion të ri para vitit 2040. Rivali i tij britaniko-italian, Tempest, do t’i bashkohet programit japonez FX, që do të jetë në shërbim deri në vitin 2035.

Këto janë projekte tepër të kushtueshme dhe të vështira, ku përplasen shpesh synimet kombëtare. Por nëse mund të gjejë vullnetin, Evropa zotëron si teknologjinë ashtu edhe paratë. Siç vuri në dukje shefi ekzekutiv i BAE kur u pyet nëse mund të bashkohen dy projektet e mëdha evropiane të avionëve luftarakë ai tha:”Unë nuk do të përjashtoja asnjë skenar. Tek e fundit, këto janë vendime politike”.

Kjo është e drejtë. Për të qenë një arsenal i demokracisë, Evropa duhet të ketë sigurisht mjetet për ta arritur këtë gjë. Por ndërkohë ajo duhet të pranojë edhe nevojën për bashkëpunim,përndryshe çmimi që do paguajë do të jetë shumë i lartë.

 

Pazaret Putin-Trump, ja çfarë luhet në prapaskenë

Rënia e Assadit, një teori e re po qarkullon në Kremlin

Pas Serbisë, Gjermania “i vë syrin” edhe Bosnjë-Hercegovinës

Minierat e litiumit mund të hapen në gjithë Ballkanin

Investime marramendëse në Moskë!

Jeta e re luksoze e familjes Assad