MENU
klinika

Vijon shkëlqimi i Denni Xhepës

Skiatori shqiptar kampion Ballkani edhe në ‘Sllallom’

31.03.2023 - 12:53

Denni Xhepa, skiatori shqiptar vijon të bëjë mirë në Kampionatin Ballkanik të Bullgarisë. 19-vjeçari ka shkëlqyer sërish në Bansko, duke marrë vendin e parë në disiplinën e Sllallomit.

Sportisti i ekipit të Sestriere në Itali ka bërë që Shqipëria të ketë një Kampion Ballkani në disiplinën e Sllallomit. Xhepa e ka mbyllur garën me kohën totale 1:37.58, teksa në provën e parë siguroi kohën 49.12 dhe në të dytën 48.46.

Sportisti kuqezi la pas australianin Hugh McAdam dhe bullgarin Kalin Zlatkov, teksa ishte më i miri nga 40 garuesit. Me 24.55 pikë në total, Xhepa ka thyer edhe rekordin personal në disiplinën e Sllallomit.

Pasi u shpall kampion Ballkani dje në disiplinën GS, tanimë Xhepa ka ngritur stekën dhe synon arritje të tjera në nivel europian. Mosha e re dhe stërvitja në Itali duket se i kanë dhënë Shqipërisë një talent në fushën e skive.

Pas suksesit të Lara Colturit dhe tanimë Denni Xhepës, sporti i skive në Shqipëri po merr një tjetër vëmendje, teksa është projektuar për ndërtim edhe pista e parë moderne e skive në zonën e Korçës.