MENU
klinika

Në rrjetën e SPAK edhe një turk

47-vjeçarit i sekuestrohen 8 apartamente dhe 260 mijë Euro

05.04.2023 - 13:20

8 apartamente dhe pasuri në vlerën rreth 260 mijë Euro i janë sekuestruar një 47-vjeçari në Fier. SPAK ka njoftuar se procedimi pasuror ka nisur drejt Veip Ormënajt nga Fieri, i cili rezulton i dënuar në Belgjikë për trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

“Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar përsa i përket pasurive të shtetasit V. O., rezulton se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i ketë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Sipas Prokurorisë së Posaçme pasuritë i janë sekuestruar Ormënajt dhe personave të lidhur me të. Në total janë sekuestruar 775 metra katrore sipërfaqe pasuri e paluajtshme në Orikum dhe Vlorë dhe dy llogari bankare në bankat e nivelit të dytë.

“Sekuestrimin e pasurive të paluajtshme me sipërfaqe totale 775 (shtatë qind e shtatëdhjetë e pesë) m2, e cila gjendet në Orikum, Vlorë dhe më konkretisht:

Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 220.80m2.
Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 216.50m2.
Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 47.50m2.
Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 44.30m2.
Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 48.m2.
Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 58.70 m2.
Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 46.30.m2.
Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 93.m2

Për sa i përket shumave të parave të administruara nga Bankat e nivelit të dytë, është vendosur sekuestro të shumave që ndodhen ne llogaritë si më poshtë:

Depozita në shumën prej 190.013.78 Eurosh.
Depozita në shumën prej 68. 987.00 Eurosh”, tha Prokuroria.

Ndërkohë mësohet se procedim pasuror ka nisur edhe ndaj Ramazan Keskin, 44 vjeçar nga Turqia. SPAK thotë se hetimet ndaj tij u kryen në bashkëpunim me autoritetet gjermane të drejtësisë. Ndaj Keskin rezulton se ka pasur në vitin 2020 një urdhër arresti europian pasi rezulton se është kreu i një organizate kriminale e cila ka si aktivitet kriminal trafikimin e lëndëve narkotike dhe pastrimi.

“Nga aktet e administruara rezulton se shtetasi Ramazan Keskin është kreu i një organizate kriminale e cila ka trafikuar sasi të mëdha lënde narkotike të llojit ‘’heroinë’’ dhe ‘’kokainë’’ në Roterdam, Holandë e në Gjermani, ku bëhej grumbullimi e përpunimi i lëndës narkotike, e cila më pas shpërndahej në gjithë Evropën. Gjithashtu shtetasi Ramazan Keskin si kreu i kësaj organizate kriminale nëpërmjet korrierëve të ndryshëm ka transportuar nga Gjermania në Turqi mbi 10 (dhjetë) milion Euro, të cilat janë përfituar nga trafikimi i lëndëve narkotike. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi R. K. ka udhëtuar në mënyrë të vazhdueshme në Shqipëri dhe ka bashkëjetuar me një shtetase shqiptare. Në vijim të hetimeve të kryera është dokumentuar fakti se R. K. ka investuar para në shuma të konsiderueshme në Shqipëri”, tha SPAK.

Po ashtu sipas Prokurorisë së Posaçme rezulton se ai ka një nivel të pajustifikuar ekonomik, në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, të cilat i ka fituar si rezultat i veprimtarisë kriminale.

“Nga ana e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, bazuar në nenet 3-7, 11, 12, 14 dhe 15 ligjit nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” (i ndryshuar) është paraqitur kërkesë për sekuestrimin e pasurive të shtetasit R. K.
Nga ana e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.8 datë 03.02.2023, është vendosur:
Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sekuestrimin e pasurive të subjektit nën hetim pasuror R. K., si dhe të personave të lidhur si më poshtë:
1. Pasurinë me adresë, Selitë, Tiranë, me sipërfaqe 1 000 m2, e llojit “ullishte”.
2. Automjeti tip Audi SQ7, me targa gjermane LR-II7777, me numer shasie Nr.ËAUZZZ4M5HD052188.
3. Automjeti autoveturë, marka AUDI, tipi Q7, targa AA275SB, me shasi Nr.ËUAZZZ4L3BD026080, viti i prodhimit 2011.
4. 25% të aksioneve të Operatorit Ekonomik “GLOBAL LEADER IN SPORT (GLS)” shpk- Nr. NIPT L92229020F, regjistruar më datë 29.10.2019.

5. 50% të aksioneve të Operatorit Ekonomik “KESKINDAG” shpk- Nr. NIPT L71726012K, regjistruar më datë 26.05.2017.
6. 50% të aksioneve të Operatori Ekonomik “REALIZ” shpk- Nr.NIPT L71822022A, regjistruar më datë 22.06.2017, datë themelimi 05.06.2017”, tha SPAK.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mes tyre edhe zyrtarë të lartë policie. Çfarë u zbulua nga përgjimet?

EMRAT/ SPAK lëshon 23 urdhër arreste për kultivim droge