MENU
klinika

Ja përfitimet

A ka efekte shëndetësore pozitive e qara te njerëzit?

26.04.2023 - 08:20

E megjithatë shumica nga ne nxitojnë të gjykojnë mbi qëndrimet dhe qëllimet e atyre që qajnë.

Përshkrimet e të qarit ekzistojnë prej shekujsh në letërsi dhe poezi. E qara për arsye emocionale – në krahasim me të qarën si një sjellje të pavullnetshme – duket unike për Homo Sapiensin. Psikanalisti britanik Xhon Baulbi, besonte se foshnjat njerëzore e zhvillonin aftësinë për të qarë si një mjet evolucionar për të nxitur kontaktin midis foshnjës dhe kujdestarit të tij.

Por pse qajmë edhe kur jemi të rritur? Përgjigjja është e ndërlikuar dhe versioni i shkurtër sugjeron arsye të shumta, duke përfshirë zemërimin, trishtimin, ndjeshmërinë dhe gëzimin. Epoka moderne e kërkimeve mbi këtë çështje udhëhiqet nga Ad Vingerhots, profesor në pension i psikologjisë në Universitetin e Tilburgut në Holandë, por edhe Loren Bilsma nga Shkolla e Mjekësisë e Universitetit të Pitsburgut, SHBA.

A ka efektive shëndetësore pozitive e qara te njerëzit?

Shumica e studimeve janë kryer gjatë 25 viteve të fundit, dhe shumë nga përfundimet janë bërë publike vetëm 5-7 vitet e fundit. Perceptimi popullor do të na nxiste të besonim se e qara është një katarsis apo një ekzorcizëm emocional i trishtimit dhe i inatit të ndrydhur.

Ideja se e qara mund të sjellë përfitimin e çlirimit emocional te një i rritur, u prezantua për herë të parë nga psikanaliasti Sigmund Frojd dhe kolegu i tij Jozef Breuer në fundin e shekullit XIX. Frojd dhe Breuer shkruan se të qarat gjatë psikoterapisë e çonin pacientin në çlirimin e ndjenjave të shtypura, një hap ky i domosdoshëm në rrugën drejt zgjidhjes së konflikteve themelore.

Gjatë trajnimit tim si psikiatre, profesorët e mi (të cilët ishin trajnuar kryesisht në traditën frojdiane) më mësuan se një pacient emocional ishte një gjë e mirë. Sot kur ulem përballë një pacienti që qan, befasohem nga lehtësimi që përjeton ai kur shpreh deri në fund ndjenjat e tij.

Nga reagimet e tyre, vetëm dhembshuria do ta bëjë pacientin tim të ndihet më mirë. Teoria e të qarit si një katarsis (pastrim shpirtëror) ka mbetur e njohur për dekada. Por Vingerhots dhe kolegët kanë bërë hapa drejt rrëzimit të saj.

Një studim i rëndësishëm me pjesëmarrës nga 41 vende, zbuloi se pavarësisht nga kultura apo kombësia, akti i derdhjes së lotëve kërkonte mbështetje nga të tjerët.

“Nëse e qara ju bën të ndiheni më mirë, atëherë qërimi i qepëve do të kishte gjithashtu një efekt pozitiv tek humori. Por është marrja e mbështetjes emocionale, ajo që ju bën të ndiheni më mirë, dhe jo thjesht akti i të qarit”- thekson Vingerhots.

A ka efektive shëndetësore pozitive e qara te njerëzit?

Por, para se të hiqni dorë nga e qara kur jeni vetëm, kini parasysh se realiteti është ende mjaft i ndërlikuar. Në një studim të vitit 2014, Vingerhots dhe Bilsma zbuluan se të qarat mund ta ndihmojnë dikë të qetësohet duke aktivizuar sistemin nervor parasimpatik, i cili ndihmon trupin të pushojë.

Dhe në mungesë të një katarsisi të plotë, të qarat mund të kenë një efekt të dobishëm, duke ju detyruar të përqendroheni në problemin në fjalë. Kjo sepse “kur qan për diçka, nuk mund ta shmangësh më atë”, thotë Bilsma.

“Edhe nëse jeni vetëm, gjeni një vend të mirë, të sigurt dhe të rehatshëm për ta nxjerrë jashtë ndjenjën e ndrydhur. Pasi shtypja aktive e emocioneve mund të ketë efekte negative psikologjike”- shton ajo.

Por çfarë sugjeron hulumtimi në lidhje me teoritë e tjera rreth të qarit? Që nga vitet 1980, ideja se e qara mund të çlirojë gjakun nga toksinat dhe hormonet e stresit, ka qenë gjithashtu shumë e përhapur. Por Vingerhots mbetet skeptik.

“Ekziston vërtet kjo ide, por s’ka asnjë provë absolute se të qarat mund ta stimulojnë endorfinën dhe të reduktojë dhimbjen”- thotë Vingerhots.

Pavarësisht përpjekjeve të shumta, Vingerhoets dhe Bilsma nuk kanë mundur që t’i konfirmojnë këto ide. Në një studim të fundit të botuar në Gazetën Europiane të Dhimbjes, Vingerhots dhe kolegët e tij shfaqën para pjesëmarrësve një film të trishtuar që prodhoi lot, dhe më pas i ekspozoi ata ndaj një stimuli dhimbjeje.

“Ne zbuluam se të qarët e rriti perceptimin e dhimbjes, në vend që ta zvogëlonte atë”- tha ai.

Në të kundërt, një aspekt i të qarit që ka rënë në sy, është diferenca biologjike midis gjinive. Sipas Vingerhots testosteroni e pengon të qarën. Nëse reduktohen nivelet e testosteronit, atëherë personi bëhet më emocional.

Raportet për shpeshtësinë e të qarave të femrave dhe meshkujve, kanë qenë të qëndrueshme gjatë viteve. Gratë raportojnë 2-5 episode të të qarit në muaj, ndërsa meshkujt 0 deri në 1 episod në muaj. Por edhe këto gjetje të qëndrueshme duhet të interpretohen me kujdes. Faktorë të tillë si mosha, kultura dhe normat shoqërore, mund të ndikojnë në shprehjen e këtyre sjelljeve. Edhe qasjet popullore ndaj të qarit nuk janë të gjitha pozitive. Turpi dhe stigma mund të rrethojnë të qarat tek të rriturit. Por studimet nga Bilsma, Vingerhots dhe të kolegëve të tyre, po i përmbysin këto stereotipe.

“Ne kemi zbuluar vazhdimisht se njerëzit që qajnë për arsye të vlefshme, shihen si më empatikë dhe më të ngrohtë”- thotë Vingerhots.

Por i rëndësishëm është edhe konteksti. Është e rëndësishme që personi të shihet se ka një arsye të besueshme për të derdhur lot. Sportistët profesionistë që qajnë po e zvogëlojnë këtë stigmë.

“Sporti është një pasqyrë e shoqërisë. Dhe sportistët kanë treguar me sjelljen e tyre se është normale të ekspozojmë emocionet tona”- thotë Aleks Kramer, ekspert në Kolegjin Universitar të Moldes në Norvegji.

Rasti tipik është ai i ylli i tenisit, Roxher Federer, i famshëm për të qarat në publik. Po ashtu edhe lojtari i famshëm i golfit Tajger Uds, futbollisti Tim Tebou dhe ylli i bejsbollit Uillmer Flores. Lista është e gjatë. Pra, a e kemi zgjidhur misterin që qëndron pas lotëve të njeriut? Jo tamam, ose të paktën, ende jo. Por studiues si Bilsma dhe Vingerhots, po vazhdojnë përpjekjet për të zbardhur disa nga misteret më të mëdha të të qarit./ “The Conversation”

Nga shërimi i diarresë tek infeksionet vaginale

Arrat ndihmojnë në shërimin e këtyre sëmundjeve

Flasin mjekët për faktet që duhet t’i dini

A është gjenetike sëmundja e depresionit?