Nëse ka një çështje ku Kina nuk toleron askënd, madje as aleatët dhe partnerët tregtarë, është çështja e Tajvanit.
Ndaj, disa komente nga Josep Borell, kreu i diplomacisë së Bashkimit Evropian, mund të marrin përgjigje të ashpër nga Kina.
Ai tha se beson se marinat evropiane duhet të patrullojnë ngushticën e Tajvanit për shkak të tensioneve të reja kino-tajvaneze.
Sipas “The Guardian”, Borell shkroi mendimin e tij në një artikull për Journal Du Dimanche, ku tha se Tajvani shqetëson Bashkimin Evropian ekonomikisht, komercialisht dhe teknologjikisht.
“Prandaj u bëj thirrje marinave evropiane të patrullojnë ngushticën e Tajvanit për të treguar përkushtimin e Evropës për lirinë e lundrimit në këtë zonë absolutisht vendimtare”, theksoi ai.
Gjatë debatit për Kinën në Parlamentin Evropian, Borell deklaroi se Tajvani është një pjesë e domosdoshme e “perimetrit gjeostrategjik që garanton paqen”.
“Çdo veprim kundër Tajvanit duhet të refuzohet, jo vetëm për arsye morale, por edhe sepse, në kuptimin ekonomik, do të ishte jashtëzakonisht serioze për Bashkimin Evropian. Tajvani ka rëndësi strategjike për shkak të prodhimit të gjysmëpërçuesve”, theksoi përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme.
Kjo mund të zemërojë Kinën, e cila vetëm pak ditë më parë kritikoi presidentin francez Macron për komentet e gjatë vizitës në SHBA.
Po ashtu, zyrtarët kinezë dërguan një letër, ku kritikuan presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk-Yeol, që tha se çështja e Tajvanit është globale dhe e krahasoi me situatën në Korenë e Veriut.
Zëvendësministri i Jashtëm kinez Sun Weidong e përshkroi komentin si “plotësisht të papranueshëm”.