MENU
klinika

Vrasja e Ardian Nikulajt brenda lokalit të tij

Del dëshmia e dy turistëve, detajet e reja nga policia

24.04.2023 - 16:43

Hetimet për lëvizjet e vrasësit së Ardian Nikulajt janë kthyer në pikën zero.

Policia e Lezhës pas gjetjes së mjetit që transportoi motorin e vrasësit dhe intervistimit të dy turistëve të shoqëruar, ka përjashtuar mundësinë që ata mund të jenë bashkëpunëtorë.

“Kemi ardhur në Shqipëri për turizëm. Kemi marrë një shtëpi me qira në fshatin Kukël. Nuk kemi lidhje me ngjarjen”, kanë thënë ata.

Pas marrjes në pyetje, dy të huajt janë lënë të lirë.

Ndërkohë, pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se vrasësi i biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin ka qenë i vendosur për të kryer ekzekutimin në momentin më të përshtatshëm të cilin e ka pritur disa ditë.

Pamjet e marra në pedonalen e Shëngjinit kanë fiksuar autorin me të njëjtin mjet dhe me të njëjtën veshje edhe në datat 17 dhe 18 prill. Ai ka qëndruar pa lëvizur për orë të tëra para lokalit “Coral” në pritje të momentit kur objektivi i tij do të ishte vetëm. Momenti i përshtatshëm u krijua rreth orës 13.30 të datës 19 prill kur Ardian Nikulaj u ul në një tavolinë vetëm.

Burri i veshur me një jelek fosforishent si të policisë, apo si një postier i vdekjes me kasketë në kokë hyri në lokal. Brenda pak sekondash, nxorri armën dhe qëlloi pa mëshirë, fillimisht pak hapa larg shenjestrës dhe më pas afrohet për t’u siguruar që e kreu porosinë.