Dan Hutra, autori i masakrës së Paskuqanit tregon se e kishte planifikuar fundin e tij ndryshe nga në burg. Në një rrëfim për Uniko, vrasësi i 3 grave dhe plagosjes së 3 të tjerave, tregon se kishte hapur një varr në zonën e Sharrës, atje ku mendonte të hynte pasi të vriste edhe Rahman Selën, personin që e akuzon për vdekjen e babait të tij. Vrasja e katërt u parandalua dhe Hutra u arrestua, zhvillime që sipas tij, prishën planet e tij.
Rrëfimi për Uniko:
Dan Hutra: Pasi do vrisja Rahmanin, kisha hap një varr edhe do futesha atje në varr. Të çoheshin këta në daç me helikopter, në daç me.. nuk do më gjenin dot ore.
Spartak Koka: Ku e kishe hapur varrin?
Dan Hutra: Në Sharrë. E kisha hapur natën, nja 2-3 netë para se me ashtu ato. Do vrisja Rahmanin, do futesha pastaj atje ose do dorëzohesha. Edhe mund të dorëzohesha. Se pas Rahmanit s’kisha më.
Spartak Koka: Varrin që ke hapur, sa metra larg nga vendi që të kanë kapur është?
Dan Hutra: Është shumë larg. Shiko, unë e kisha llogarit vrasjen e Rahmanit do dilja poshtë aty ku më ka kapur policia, do dilja do futesha poshtë te rruga poshtë te varrezat, do futesha te varrezat, është shumë larg varri që e kam hapur. Unë jam futur brenda, e kam provuar veten a më merr a s’më merr.
Spartak Koka: Do futeshe vetë? E kishe hapur për vete?
Dan Hutra: Vetë e kam rregulluar, vetë e kam studiuar, nuk ka ditur askush asnjë gjë. Dhe në Kukës atë ditë kur kam ikur nga Kukësi, i kam thënë familjarëve më bëni çantën gati se unë pasnesër iku për Gjermani. Po pasaportën më thanë. Pasaportën i thashë do ta marr nesër.