MENU
klinika

Analiza

Lufta merr fund para verës, Krimea “vulos” fatin e Putinit

01.04.2023 - 14:43

Kushdo që merr, ose mban, Krimenë, merr gjithçka. Në Uashington duket se e kanë vendosur, rezultati i luftës do të vendoset deri në verë. Nëse kundërofensiva e planifikuar e pranverës e Ukrainës do të ketë sukses, Rusia do të mposhtet përfundimisht. Por, duke pasur parasysh edhe skepticizmin në rritje të opinionit publik evropian dhe amerikan në lidhje me kostot e mëdha të konfliktit, një pjesë e pushtimeve territoriale ruse do të duhet të pranohen. Megjithatë, risia e vërtetë e këtij skenari është objektivi strategjik i një kundërofensive me fokus ripushtimin e Krimesë.

Synimet e Ukrainës

Një objektiv i miratuar, pas shumë hezitimesh, nga Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë. Pas pasigurive fshihej, dhe fshihet ende, frika e përdorimit të armëve bërthamore nga një Kremlin i gatshëm për të bërë gjithçka për të mos humbur gadishullin. Gjithashtu, nëse armët dhe udhëzimet strategjike të garantuara nga NATO ia kthejnë gadishullin Ukrainës, Kremlini do të ketë vështirësi për të mbrojtur Donbasin e rrethuar nga të treja anët. Kjo është konfirmuar edhe nga nënsekretarja Victoria Nuland. “Në Krime, ka baza të rëndësishme ushtarake të cilat në këtë luftë janë bërë qendra logjistike shumë të rëndësishme për rusët.

Këto janë qëllime legjitime. Ukraina i godet dhe ne i mbështesim”, shpjegoi ajo në fillim të shkurtit. Por të synosh marrjen e Krimesë do të thotë të planifikosh një sulm kompleks dhe të përgjakshëm ndaj mbrojtjes ruse, falë mobilizimit të treqind mijë burrave. Për ta bërë këtë, ukrainasit duhet, siç shpjegon Nuland, të godasin paraprakisht logjistikën dhe depot ruse në Krime. Suksesi me parandalimin e sulmeve në bazat e Krimesë do të lejojë nisjen e një operacioni që do të përdorë tanket perëndimore dhe 60,000 ushtarë ukrainas të trajnuar nga NATO. Sipas ministrit ukrainas të Mbrojtjes Oleksii Reznikov, Ukraina ka marrë tashmë 18 tanke “Leopard 2” nga Gjermania, 3 nga Portugalia dhe 6 nga Spanja. Furnizime që i shtohen British Challenger 2.

Ndihma e Perëndimit

“Pika e dobët”, megjithatë, mbeten ushtarët dhe municionet. Sipas vlerësimeve, Kievi ka humbur të paktën 120,000 ushtarë, duke përfshirë shumë veteranë, për sa i përket përvojës. Por pa krijimin e tre trupave të reja të ushtrisë, Kievi nuk do të jetë në gjendje të garantojë mbrojtjen e pozicioneve aktuale dhe të ardhshme. Për t’i vendosur ato, shtabi ukrainas do të duhet të rekrutojë 60,000 burra të fortë me trajnime në vendet e NATO-s, por pa përvojë luftarake. Në frontin e municioneve, ka paqartësi po ashtu. Sipas NATO-s, tre muajt e operacioneve do të kërkojnë disponueshmëri ditore prej 10/15 mijë fishekë obusi. Pra, suksesi i ofensivës do të varet gjithashtu nga aftësia e vendeve evropiane për të furnizuar Ukrainën me predhat 155 mm të premtuara javë më parë. Një premtim për të cilin, duke pasur parasysh disponueshmërinë ushtarake të BE-së, ka shumë dyshime.

Moment vendimtar

Zelensky gjithmonë ka pohuar se lufta në Ukrainë duhet të përfundojë me çlirimin e Krimesë. Rrjedhimisht, kjo ka shkaktuar retorikë të ashpër nga Moska, së fundmi nga ish-presidenti rus Dmitry Medvedev, i cili paralajmëroi se Moska do të përdorte “absolutisht çdo armë” nëse Ukraina do të përpiqej të rimarrë gadishullin. Krimea është tepër e rëndësishme në nivelin strategjik. Është një bazë për flotën ruse të Detit të Zi dhe ofron qasje kritike në tregti përmes porteve të tilla si Sevastopol. Por për sa i përket narrativës së konfliktit, Putini dhe aleatët e tij e kanë konsideruar Krimenë si një pjesë jetike të kombit. Humbja e rajonit do të ishte poshtëruese dhe e kushtueshme për regjimin. Për vite me radhë, ideja e Ukrainës për të rimarrë Krimenë është shfaqur më shumë se e largët. Por sukseset ushtarake të Kievit në fund të vitit 2022 e kanë ndryshuar këtë perceptim, dhe rimarrja e Khersonit në shtator e ka vendosur Ukrainën në pozicion më të favorshëm. Një operacion që dikur dukej i pamundur, tani po konsiderohet seriozisht nga të dyja palët.Megjithatë, një gjë duket e sigurt, rezultati i betejës për Krimenë do të jetë një moment vendimtar në rrjedhën e këtij konflikti.