MENU
klinika

"Marrëveshja e shekullit”

“Power of Siberia 2” mund të përçajë miqësinë Putin-Xi Jinping

02.04.2023 - 09:30

Disa muaj më parë, Moska ka njoftuar se Nord Stream 2 do të “zëvendësohet” nga një gazsjellës alternativ për Kinën. “Power of Siberia”, (Fuqia e Siberisë 2), diçka që Moska dhe Pekini e kanë diskutuar për disa vite, do të zërë vendin e Nord Stream 2, tha të enjten ministri rus i Energjisë, Alexander Novak.

“Power of Siberia 2” (POS2), që do të transportojë gazin nga Siberia Perëndimore në Kinë përmes Mongolisë, është shndërruar në një emblemë të marrëdhënies së njëanshme dhe disi abuzive midis Kinës dhe Rusisë që nga fillimi i luftës së Ukrainës. Dhe ky është një lajm i mirë për Moskën.

Përpara vizitës së fundit të Xi Jinping në Rusi, Vladimir Putin njoftoi duke u mburrur se marrëveshja mbi gazsjellësit ishte gati për t’u nënshkruar, duke e cilësuar para kohe si “marrëveshja e shekullit”. Por Xi, i pa trazuar aspak nga entuziazmi i homologut rus, nuk pranoi të nënshkruante asgjë. Madje asnjë përmendje mbi POS2 nuk figuron në deklaratat zyrtare që bëri Xi gjatë vizitës së tij të fundit në Moskë.

Në komunikatën e përbashkët përfundimtare, gjithçka që mund të komentonte një Putin i zhgënjyer ishte se duhej bërë akoma më shumë punë “për studimin dhe miratimin” e projektit. Rusia e propozoi itinerarin vite më parë, por plani duket se është përshpejtuar pasi Moska shikon nga Pekini për të zëvendësuar Evropën si klientin e saj kryesor të gazit, sidomos pas luftës.

Tubacioni 2,600 km mund të transportojë 50 miliardë metra kub (bcm) gaz në vit, pak më pak se gazsjellësi Nord Stream 1 tashmë jo në funksion që lidh Rusinë me Gjermaninë nën Detin Baltik. Megjithatë, Kina nuk pritet të ketë nevojë për furnizim shtesë me gaz deri pas vitit 2030, siç thonë ekspertët.